Ndërlidhjet

logo-print

Obama pranoi Çmimin Nobel për Paqe


Oslo, 10 dhjetor 2009.

Oslo, 10 dhjetor 2009.

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka marrë sot Çmimin Nobel për Paqe, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Oslo të Norvegjisë.

Komiteti i Nobelit nderoi Obamën me këtë çmim për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve”.

Kreu i Komitetit të Nobelit, Thobrjon Jagland, theksoi në fjalën e tij si një nga arsyet për çmimin shtytjen që po u jep Obama përpjekjeve për një botë pa armë bërthamore.

Jagland nënvizoi se përpjekjet e Obamës ishin në përputhje të plotë me kriteret e vendosura nga industrialisti Alfred Nobel, që e krijoi këtë çmim në vitin 1901.

Oslo, 10 dhjetor 2009
“Pyetja ishte shumë e thjeshtë: Kush ka bërë më së shumti për paqen në botë gjatë vitit të fundit? Nëse pyetja do të vendosej sipas kushteve të Alfred Nobelit, përgjigjja do të ishte relativisht e lehtë. Ai ka qenë presidenti amerikan, Barak Obama”.

“Shumë rrallë një person dominon politikën ndërkombëtare në këtë shkallë si Obama apo që në një kohë kaq të shkurtër ka nxitur nisma që sjellin ndryshime madhore”,
tha Jagland.

Kritikët thonë se Obama nuk e meritonte çmimin, sepse ka pasur shumë pak suksese në politikën e jashtme që nga ardhja në Shtëpinë e Bardhë, në janarin e këtij viti. Së fundi ai mori vendimin për të dërguar 50 mijë trupa shtesë në Afganistan, theksojnë kritikët.

Por, në fjalimin me rastin e marrjes së çmimit, Obama, në një mënyrë, iu përgjigj dhe kritikëve. Presidenti amerikan theksoi se disa herë përdorimi i forcës është jo vetëm i nevojshëm, por moralisht i justifikueshëm.

Ai nuk harroi të nënvizonte dhe qëndrimet e tij lidhur me luftën, sigurinë dhe çuarjen përpara të paqes.

Unë përballem me botën ashtu siç është dhe nuk mund të jem indiferent përballë kërcënimeve ndaj popullit amerikan. Mos harroni, e keqja ekziston në botë”.

“Një lëvizje paqësore nuk do të mund të kishte ndaluar ushtrinë e Hitlerit. Bisedimet nuk mund ta bindin Al Kaidën të heqin dorë nga armët. Të themi se forca ka raste kur është e nevojshme, nuk është cinike, është pranim i historisë, është pranim i faktit se njeriu dhe njerëzimi nuk janë të përsosur dhe arsyeja ka kufijtë e saj”,
tha Obama.

Duke folur para gazetarëve në Oslo, Obama shprehu përunjësi, duke thënë se vendimi i Komitetit Nobel e kishte zënë në befasi.

“Nuk kam dyshim se ka edhe të tjerë, të cilët mund ta meritojnë më shumë. Detyra ime këtu është të vazhdoj në rrugën, për të cilën besoj se është e rëndësishme jo vetëm për Amerikën, por është e rëndësishme për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në botë”, tha Obama.

Presidenti amerikan tha se arritja e paqes dhe sigurisë kërkon të adresohen një varg çështjesh, prej luftimit efektiv të ndryshimeve globale të klimës, deri te stabilizimi i vendeve si Afganistani dhe mobilizimi i përpjekjeve ndërkombëtare për t’ia dalë mbanë me terrorizmin, që është në vijë me vlerat dhe idealet e Perëndimit.

“Kjo do të thotë që të adresohen çështjet e zhvillimit, sepse ne e kuptojmë lidhjen ndërmjet drejtësisë dhe paqes”, tha Obama.

Kritikat nuk vijnë vetëm nga kundërshtarët politikë në Shtetet e Bashkuara. Sot edhe disa banorë të Oslos shprehën skepticizëm.

“Nuk mendoj se atij i takon Çmimi Nobel, sepse ende nuk e ka merituar. Ai vetëm ka dërguar njerëz në Afganistan dhe Irak. Nuk mendoj se për këtë e meriton Çmimin Nobel për Paqe”, tha një banor i Oslos.

Por, ka edhe të atillë, si biznesmeni Terje Sunde Jonsen, që thonë se çmimi do t’i ndihmojë Obamës që më mirë t’ia dalë mbanë me sfidat e administratës së tij, prej luftërave në Afganistan dhe Irak, e deri te krizat bërthamore me Iranin dhe Korenë e Veriut.

Mendoj se është shumë mirë, sepse kjo paraqet përdorimin aktiv të çmimit të paqes për të ndikuar në zhvillimet”, tha Jonsen. (V.P. & I.B.)
XS
SM
MD
LG