Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet kosovare falënderuan të gjitha vendet, të cilat, para GJND-së, po argumentojnë se pavarësia e Kosovës ishte shpallur konform së Drejtës Ndërkombëtare. Ata shprehën bindjen se pas procesit në Hagë, do të pasojë një valë e re e njohjeve të Kosovës.





Liderët kosovarë falënderuan të gjitha shtetet, që me prezantimet e tyre para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kanë mbrojtur dhe po mbrojnë të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur e sovran.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi thanë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një vendim i drejtë dhe konform së drejtës ndërkombëtare dhe se kjo është argumentuar në paraqitjet e tyre para GJND-së edhe nga vende të shumta.

Presidenti Sejdiu tha se kishte parë para GJND-së një prezantim të shkëlqyeshëm nga të gjitha vendet që mbrojtën pavarësinë e Kosovës.

Argumentet janë shtruar në mënyrën më të mirë të mundshme, tha Sejdiu, duke përsëritur se Kosova, edhe këtë herë, u trajtua si një rast i veçantë. Presidenti shprehu bindjen e tij se pas procesit të GJND-së, do të pasojnë njohje të reja.

Presidenti Fatmir Sejdiu
“Do t’i falënderoja të gjitha veç e veç, secilin prej këtyre vendeve dhe mbetemi në angazhimet tona që pas kësaj periudhe, Kosova të hyjë në një epokë të re të mbështetjes ndërkombëtare me njohjet që do të vijnë”.

“S’mund të them se cilat do të jenë këto vende, por është në agjendën e tyre, besoj të studiuar jashtëzakonisht mirë, dhe do të dalin me mbështetje të mëtutjeshme edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë”,
tha Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, falënderoi shtetet mike që mbrojtën të drejtën e Kosovës për pavarësi.

Thaçi tha se Kosova tashmë është përcaktuar qartë si shtet që mëton ndërtimin e demokracisë së brendshme dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t’i ndihmojë edhe shtetet që hezitojnë tash për tash që ta njohin vullnetin legjitim të qytetarëve të Kosovës, të institucioneve të Kosovës, që të ndodhin njohje edhe më të shpejta, edhe më të shumta”.

“Pavarësia e Kosovës, përveç që është e drejtë legjitime, ka sjellë edhe qartësi, stabilitet, bashkëpunim rajonal, fqinjësi të mirë me gjithë rajonin tonë”,
tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi përshëndeti edhe aprovimin e Brukselit për nisjen e dialogut me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Një proces i tillë, sipas Thaçit, është në interesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës, si pjesë e familjes evropiane.

Kryeministri Hashim Thaçi
Me këtë aprovim, qytetarëve të Kosovës përfundimisht u ofrohet trajtimi i barabartë me të gjitha vendet e rajonit. Ky vendim, për Qeverinë e Republikës së Kosovës, ua kthen dinjitetin e merituar të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke u mundësuar lëvizjen e lirë në gjithë Evropën”.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj që publikisht ta falënderoj Komisionin Evropian”,
theksoi Thaçi.

Njohjet e reja, si dhe integrimet evropiane dhe anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë, tashmë nga liderët vendorë shihen si procese që do të përshpejtohen pas përfundimit të procesit të GJND-së në Hagë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG