Ndërlidhjet

Economist: "Ballkan: Marshimi i ngadaltë drejt Evropës"


"Economist"

Serbia po shkrihet pak nga pak, komenton një eurokrat në Bruksel. Më 7 dhjetor, pas një debati të gjatë, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian bënë të ditur se marrëveshja tregtare me këtë vend, më në fund, do të zbatohet.

Rëndësia e këtij akti nuk ka nevojë të zmadhohet, por lehtësisht mund të thuhet se rruga e Serbisë drejt BE-së është rihapur.

Në prill të vitit 2008, në përpjekje për të ndihmuar partinë pro evropiane të presidentit serb, Boris Tadiq, BE-ja nënshkroi një marrëveshje asocimi me Serbinë.

Por, holandezët, të mbështetur dhe nga belgët, këmbëngulën që marrëveshja të mbetej e ngrirë, për shkak të dështimit të Serbisë që të arrestonte Ratko Mlladiqin, gjeneralin e serbëve të Bosnjës, i akuzuar, mes të tjerash, për masakrën e Srebrenicës, ku humbën jetën rreth 8,000 djem e burra boshnjakë.

Tashmë, edhe nën presionin e kolegëve dhe pas raportit të kryeprokurorit të Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë se Serbia po bënte çka mundej, u hoq vetoja holandeze. Së paku për momentin.

Serbia po bën nxehjen drejt hapit tjetër të radhës, që është aplikimi zyrtar për t’iu bashkuar BE-së. Një hap i tillë nuk do të vonohet, thotë Bozhidar Gjeliq, zëvendëskryeministër serb.

Kjo mund të ndodhë më së afërti më 22 dhjetor, vetëm tri ditë pasi serbët, malazezët dhe maqedonasit do të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës së Shengenit.

Milica Gjeleviq, drejtore e zyrës serbe të integrimit në BE, thotë se në këtë mënyrë, qytetarët mund të shohin së paku përfitimet nga integrimi evropian.

Më herët, shpresat e Bashkimit Evropian për Ballkanin dukeshin të zbehta, por duket se së fundi kanë marrë më shumë fuqi.

Sllovenia hoqi veton ndaj Kroacisë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth vijës kufitare. Ministrat e jashtëm të BE-së tashmë kanë miratuar paketën financiare që do t’i duhet Kroacisë për t’iu bashkangjitur Unionit, më së shpejti në janar të vitit 2012.

Në përpjekje për të kapur këtë ritëm edhe shqiptarët e boshnjakët mund të fitojnë të drejtën të udhëtojnë pa viza në vendet e Shengenit nga mesi i vitit 2010. Së fundi, u fillua të bashkëpunohet dhe me Kosovën për të njëjtin qëllim.

Maqedonia ka bërë një lloj përparimi, edhe pse nuk mund të fillojë zyrtarisht bisedimet për anëtarësim, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth emrit me Greqinë.

Ata që mendojnë se e ardhmja për Ballkanin do të njohë përmirësime, e dinë mirë se gjendja mund të përkeqësohet lehtësisht.

Edhe miqtë e Serbisë nuk do të nxisnin një aplikim të shpejtë për anëtarësim. Një diplomat vë në pah faktin se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është në gjendje të mirë, madje shumë vende anëtare duan ta ndalojnë procesin e zgjerimit pas anëtarësimit të Kroacisë, e ndoshta dhe të Islandës.

Ingeborg Grassle, europarlamentare me kristian-demokratët gjermanë, thotë se “e di që ata do të anëtarësohen, por duhet të hyjnë në BE në një gjendje më të mirë se Bullgaria e Rumania, pasi, në të kundërtën, do të dobësonin Unionin”. (I.B.)
XS
SM
MD
LG