Ndërlidhjet

logo-print

Prelec: Ligji ndërkombëtar s'i rregullon pavarësitë


Marko Prelec

Marko Prelec

“Pyetja drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është një pyetje së cilës Gjykata nuk mund t’i përgjigjet”, thotë drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin, Marko Prelec.







RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Prelec, seancave dëgjimore për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë u erdhi fundi. Janë vërejtur, ndoshta mund të themi, disa konfrontime në qëndrimet e shteteve të ndryshme. Cili është mendimi juaj për procesin në tërësi?

MARKO PRELEC
Në të vërtetë, nuk ka pasur shumë befasi. Kjo ka qenë kryesisht një lëvizje politike. Qëndrimet e shteteve janë mjaft të njohura.

Duhet të rikujtojmë se vetë pyetja është një pyetje e keqe, sepse ligji ndërkombëtar, në fakt, nuk rregullon çështjet e pavarësisë dhe të secesioneve. Pra, pyetja drejtuar Gjykatës, është një pyetje të cilës Gjykata nuk mund t’i përgjigjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur zëra se i tërë procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë do të mund të ketë një ndikim në procesin e njohjes së Kosovës. A keni parë zvarritje në këtë gjë deri më tani?

MARKO PRELEC
Sigurisht se do të ketë një ndikim. Ka pasur shtete që kanë hezituar, sepse nuk kanë një qëndrim të fuqishëm, ose për arsye se i nënshtrohen autoritetit moral të Gjykatës.

Këto shtete, sipas të gjitha gjasave, do të përfshihen në procesin e njohjes pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të gjykatës.

Ajo që mund të ndodhë, është që gjykatësit do të duan të veprojnë jashtë ndonjë direktive të prerë legale në frymën e ligjit ndërkombëtar, që do të thotë se do të dëshirohet të ruhen marrëdhëniet paqësore ndërmjet shteteve.

Këtu është e rëndësishme të përmendet që në 2008-ën, kur Kosova shpalli pavarësinë, nuk kishte asnjë alternativë tjetër paqësore, nuk kishte mënyrë të kthimit të sovranitetit të Serbisë – atëkohë, kjo ishte e pashmangshme. Ishte më shumë një miratim i bashkësisë ndërkombëtare që ajo të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni mundësi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të dalë me një mendim neutral, që nuk do të ishte as pozitiv e as negativ, qoftë për Kosovën apo Serbinë? Çfarë ndikimi do të mund të kishte një mendim i tillë?

MARKO PRELEC
Një mendim neutral është i pritshëm dhe mendoj se do ta ketë ndikimin e njëjtë me mendimin aprovues të deklarimit të pavarësisë së Kosovës. Është fakt që Kosova është këtu, është një realitet.

Pra, nëse nuk ka një ndalim për ta njohur atë, atëherë shtetet mund të vazhdojnë dhe do të vazhdojnë për ta njohur atë gradualisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Kemi dëgjuar gjithashtu mendimet e disa shteteve të Bashkimit Evropian, ndërsa, në anën tjetër, janë ende pesë shtete të këtij blloku që refuzojnë ta njohin Kosovën. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?

MARKO PRELEC
Për këto pesë shtete ekziston kryesisht një arsye, që ka të bëjë me politikat e brendshme dhe jo me politika ndërkombëtare, për secilin në mënyrën e vet.

Fatkeqësisht, këto shtete kanë lejuar që shqetësimet e brendshme, të cilat, në asnjë mënyrë nuk ndikohen nga Kosova, t’i determinojnë politikat e tyre dhe të vendosin një pengesë të madhe në aftësinë e Bashkimit Evropian për të ekzekutuar politikën e vet në Ballkanin Perëndimor.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mendoni se Kosova duhet të jetë më e përkushtuar për vetë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian?

MARKO PRELEC
Absolutisht. Sa i përket Bashkimit Evropian dhe shteteve që e kanë njohur Kosovën, dyert janë të hapura për të bërë progres drejt BE-së apo për t’u anëtarësuar eventualisht në Bashkimin Evropian.

Nuk ka kurrfarë ambiguiteti në lidhje me këtë dhe shkalla në të cilën Kosova avancohet, varet kryesisht nga Qeveria e Kosovës. Mendoj se kjo do të mund të ishte më e shpejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se mbesin sfidat në këtë proces dhe, në përgjithësi, për vitin e ardhshëm?

MARKO PRELEC
Kemi pasur së fundi raportin e Komisionit Evropian, i cili ishte mjaft negativ dhe mjaft shtytës. Ai duhet të merret parasysh dhe të veprohet në lidhje me të.

Janë dy kategori të veprimeve që duhet të ndërmerren: janë veprimet formale që duhet të bëhen dhe pozitat që duhet të emërohen, por edhe ligjet që duhet të miratohen. Për më tepër, kjo është çështje e zbatimit.

Institucionet e Kosovës duhet t’i zhvillojnë kapacitetet për t’i zbatuar ato që i kanë kryer formalisht. Duhet të zhvillohet po ashtu praktika në përmbushjen e përkushtimeve të bëra karshi Bashkimit Evropian. Kjo mendoj se është sfida më e rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë sa i përket sundimit të ligjit? EULEX-i, së fundi, shënoi njëvjetorin e tij në Kosovë. Çka mendoni se është bërë deri më tani nga EULEX-i dhe nga mekanizmat tjerë ndërkombëtarë që veprojnë në vend?

MARKO PRELEC
Ky vit është përqendruar kryesisht në vendosjen dhe gjetjen e rrugëve. Është mirë që EULEX-i është këtu, por duhet të bëhet më tepër punë. Duhet të bëhet më shumë në lidhje me koordinimin me institucionet e Kosovës.

Në vështrim afatgjatë, nëse EULEX-i deri në fund të mandatit të tij gjykon një numër të caktuar të rasteve dhe përmbush disa nga funksionet e veta ekzekutive, atëherë do të jetë thjesht një dështim i shtrenjtë.

Mënyra e vetme për të justifikuar këtë intervenim të shtrenjtë dhe të gjerë, mund të ndodhë përmes ndërtimit të kapaciteteve. Është mirë që janë ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim për të planifikuar aktivitetet në mënyrë të përbashkët, por duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.

Kjo varet gjithashtu nga ndryshimi i mendimit të EULEX-it për ta parë veten si mentor dhe partner, e jo si njerëz të hyrë nga jashtë që punojnë me institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Një proces tjetër që është vlerësuar si një test për institucionet kosovare, është procesi zgjedhor, përkatësisht zgjedhjet lokale në Kosovë. A mendoni se Kosova e ka kaluar këtë test?

MARKO PRELEC
Mendoj se zgjedhjet ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare, me disa përjashtime të lokalizuara serioze në disa vende dhe me më shumë probleme të përgjithshme që janë më pak serioze. Disa nga këto janë vetëm tipare të jetës rurale, si për shembull votimi në grupe familjare.

Kam përshtypjen se këto zgjedhje ishin kryesisht të lira dhe të drejta. Ishin një avancim krahasuar me zgjedhjet e administruara nga Kombet e Bashkuara dhe, në këtë aspekt, një gjë me të cilën mund të krenohet Kosova. Pra, një test që është kaluar.

Natyrisht se duhet të presim raundin e dytë këtë të diel, por jam veçanërisht i inkurajuar nga dalja e madhe e serbëve në Graçanicë, në Shtërpcë dhe shpresoj që kjo të përsëritet dhe të zgjerohet në raundin e dytë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për daljen e serbëve, në veri serbët i kanë bojkotuar këto zgjedhje. Cili është vlerësimi juaj për këtë çështje dhe cila është zgjidhja që duhet të gjendet atje?

MARKO PRELEC
Shumë njerëz në veri nuk e shohin aspak jetën e tyre në Kosovë. Duhet të fillojmë procesin e përfshirjes së veriut në jetën në Kosovë dhe ky proces do të jetë i gjatë.

Këtu, mendoj se EULEX-i duhet të luajë një rol më pro aktiv dhe Qeveria e Kosovës duhet të rikujtojë se veriu mund të inkorporohet suksesshëm vetëm duke tërhequr serbët që jetojnë atje.

Kjo nuk mund të bëhet përmes presionit dhe kërcënimeve, por duke e bërë atraktiv bashkëpunimin me institucione. Ky duhet të jetë një proces gradual, i cili mund të përfshijë disa kompromise të dhimbshme, kundrejt të të cilit, megjithatë, nuk ka ndonjë alternativë më të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se kjo çështje i takon vetëm Kosovës dhe EULEX-it apo është çështje edhe për Beogradin?

MARKO PRELEC
Absolutisht. Beogradi po sillet në mënyrë të papërgjegjshme në këtë aspekt. Duhet të ketë një vullnet më të madh nga ana e Beogradit për të punuar jo vetëm me vendimmarrësit ndërkombëtarë, por edhe me ata kosovarë, gjë që mund të bëhet në mënyrë joformale.

Pra, nuk duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë, ashtu siç është bërë, për të shkaktuar telashe në veri dhe kudo tjetër. Kjo nuk është një garë ndërmjet dy shteteve.

Kjo është një situatë, në të cilën e gjejmë veten të gjithë dhe duhet të kërkojmë rrugën më të mirë për njerëzit që jetojnë në këtë pjesë të botës. Andaj, mendoj se Beogradi mund të jetë shumë më tepër ndihmues.
XS
SM
MD
LG