Ndërlidhjet

Vështirësitë në marrjen e vizave


Kosovarët, për të udhëtuar jashtë shtetit, hasin në shumë vështirësi lidhur me marrjen e vizave. Kështu thonë qytetarët, të cilët shpeshherë refuzohen nga ambasadat për të shkuar në shtetet evropiane, e më gjerë.

Edita Ramadani, qytetare, është refuzuar nga shteti britanik dhe nuk i di arsyet. Ajo shpjegon më shumë:

“Kam aplikuar për vizë të Anglisë dhe më kanë refuzuar, nuk e di arsyen pse është refuzuar, por e di që është shumë vështirë të marrësh vizë. E vetmja mënyrë, më e lehtë, është të marrësh vizë në mënyrë grupore”.

Edhe Nita Alija është refuzuar disa herë nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ajo, megjithatë, dëshirën më të madhe e ka për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për vizë nuk ka aplikuar, sepse, siç thotë, është shumë e vështirë si kosovar të udhëtosh jashtë shtetit.

“Unë, ëndërr e kam të shkoj në Amerikë, por për shkak të dokumentacionit që kërkojnë shumë, edhe e di që i refuzojnë, asnjëherë nuk po mundem ta marr guximin që të shkoj e të aplikoj, se e di që krejt po i refuzojnë. Është shumë vështirë të marrësh vizë”, thotë Nita Alija.

Mirëpo, Fisnik Rexhepi, zyrtar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se kohëve të fundit vërehet një lehtësim, sa i përket lëvizjes së qytetarëve jashtë shtetit me dokumente të Republikës së Kosovës, në drejtim të vendeve të ndryshme, me fokus vendet evropiane.

Mund të them që trendi është pozitiv që prej fillimit të lëshimit të dokumenteve civile të Republikës së Kosovës. Turqia, për shembull, ka vendosur ta eliminojë regjimin e vizave për qytetarët, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dokumente të udhëtimit, vizat i kanë vendosur në një letër ndaras nga dokumenti i udhëtimit, ndërsa tani vendosin viza në pasaportën e Republikës së Kosovës”.

“Po ashtu, kemi pasur një politikë të lehtësimit të regjimit të vizave sa u përket vendeve që janë anëtare të zonave të Shengenit. Pra, trendi është gjithnjë në përmirësim e sipër”,
thekson Rexhepi.

Ndërkaq, sipas ekspertit për migrim, Rifat Blaku, arsyeja pse ekziston një regjim i këtillë vizash për qytetarët e Kosovës, është edhe qëndrimi ilegal i tyre jashtë shtetit.

“Ka të bëjë me masat restriktive që shtetet e Evropës veriperëndimore marrin lidhur me kufijtë, azilin dhe migracionin. Një numër i tyre ka ndjekur rrugë të paligjshme dhe tashmë në shumë shtete janë duke pritur për një status, për një lejim të qëndrimit ose edhe kthim”, vlerëson Blaku.

Sipas Blakut, qeveria ka nënshkruar marrëveshje për lejimin e kthimit dhe integrimit të qytetarëve të saj dhe, viteve të fundit, qytetarët ndeshin në vështirësi gjatë marrjes së vizave.

Ndryshe, në vitin 2007, Bashkimi Evropian filloi negociatat me vendet e Ballkanit perëndimor rreth marrëveshjes për lehtësim vizash.

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, që nga 19 dhjetori, do të mund të udhëtojnë pa viza.

Një gjë të këtillë do të mund ta bëjnë edhe Shqipëria e Bosnja e Hercegovina në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, nëse i përmbushin kriteret.

Për Kosovën, aktualisht ekziston vetëm pajtueshmëria që qytetarët e saj të mos lihen jashtë këtij sistemi të lehtësimit.
XS
SM
MD
LG