Ndërlidhjet

Balotazhi për kryetarë komunash, që zhvillohet të dielën, nga disa analistë kosovarë shihet si një mundësi tjetër për rirenditje të subjekteve politike në nivel qendror. Analistët thonë se subjektet politike po i shohin zgjedhjet lokale si një platformë për të përfituar sa më shumë vota për zgjedhjet qendrore.




Edhe pse fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash ka qenë më e zbehtë sesa ajo për zgjedhjet e 15 nëntorit, analistët politikë nënvizojnë rëndësinë që ka balotazhi.

Më 13 dhjetor, pesë partitë më të mëdha politike shqiptare, dy serbe dhe një kandidat i pavarur garojnë në 21 komuna, për të siguruar fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Ramush Tahiri
Analisti për çështje politike, Ramush Tahiri, thotë se balotazhi do të bëjë një rirenditje të subjekteve politike.

“Shihet se bilanci që ishte më herët, do të prishet dhe do të kemi një renditje të re të partive politike, e cila, në njëfarë forme, mund të ndikojë në koalicionin qeverisës, ose në rikonfigurimin e qeverisë, gjë që është normale”.

“Por, nuk pritet që qeverisja të rikonfigurohet me këto parti që kanë dalë të tretat ose që kanë shtuar numrin, ta zëmë, për një herë, sepse nuk është ky raport aq i fortë sa ta destabilizojë në themel qeverisjen në nivel qendror”,
shprehet Tahiri.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 15 nëntorit për asambletë komunale, Partia Demokratike e Kosovës mban vendin e parë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar një ngritje të lehtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pothuajse është dyfishuar, ndërsa dy subjektet tjera parlamentare, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, kanë shënuar rënie.

Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, mendon se balotazhi nuk do ketë ndikim në nivel qendror.

“Raundi i dytë nuk do të ketë rëndësi të madhe sa i përket renditjes së partive politike dhe kapaciteteve”.

“Megjithatë, raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash është i rëndësishëm për partitë që kanë shumë ego, për të menaxhuar me sa më shumë komuna, sidomos në kuadër të procesit të decentralizimit, ku kryetarët e komunave kanë më shumë kompetenca, sesa që kanë pasur përpara, por edhe për arsye se partitë politike i shohin zgjedhjet lokale si një platformë për të përfituar sa më shumë vota për zgjedhjet nacionale, që pritet të mbahen vitin e ardhshëm ose më 2011-ën”,
thotë Gashi.

Në anën tjetër, analisti Tahiri mendon se koalicionet që po lidhen në nivelin lokal do të kenë ndikim edhe në qeverisjen qendrore.

“Me përpjekjet për të formuar koalicione në nivel komunash, do të dëshmohet stabiliteti i qeverisjes, por edhe stabiliteti i koalicioneve që po zhvillohen në nivel lokal”, thotë Tahiri.

Krenar Gashi
Por, Krenar Gashi nënvizon një rëndësi tjetër, që, sipas tij, ka balotazhi për subjektet politike.

“Rëndësia e menaxhimit të komunave për një parti politike është shumë e madhe, për shkak të shtimit të kompetencave të kryetarëve të komunave, por edhe të qëndrimit financiar të partive politike, siç ne e dimë”.

“Për këtë arsye, ka pasur edhe përplasje të partive politike dhe tendenca për të krijuar koalicione vetëm sa për të fituar një komunë në menaxhim
”, thekson Gashi.

Lidhja e koalicionit në nivel lokal mes partnerit qeverisës, LDK-së, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës rrezikoi rrëzimin e koalicionit qeverisës, meqë subjekti më i madh, PDK-ja, e konsideroi veprimin e partnerit të tij si shkelje të marrëveshjes së koalicionit.

Megjithatë, dy subjektet politike tashmë janë deklaruar pro vazhdimit të koalicionit, ndërkohë që ka zëra që thonë se qeveria mund të pësojë një rikonfigurim pas balotazhit të 13 dhjetorit.
XS
SM
MD
LG