Ndërlidhjet

logo-print
E ardhmja e Maqedonisë është në Bashkimin Evropian, pasi alternativë tjetër nuk ka, andaj edhe duhet bërë të mundur gjithçka për arritjen e kompromisit me Greqinë.

Kështu vlerësojnë analistët politikë në vend, duke komentuar deklaratën e fundit të presidentit Gjorgje Ivanov, se Maqedonia nuk do të përkulet para asnjë presioni që të heqë dorë nga e drejta e vetëpërcaktimit dhe vetidentifikimit.

Presidenti Ivanov qartë kishte bërë me dije se, “Maqedonia nuk do ta ndërrojë Kushtetutën dhe nuk do të pranojë asnjë lloj zgjidhjeje që prish dhe dëmton identitetin tonë kombëtar dhe gjuhësor ”.

Duke i komentuar këto pohime të presidentit, analisti Xhelal Neziri thotë se vlerësimet e Ivanovit janë edhe një dëshmi e qartë se ai dhe pushteti aktual nuk duan zgjidhje dhe nuk duan t’i dëgjojnë mendimet, apo kërkesat, për ndërtimin e një strategjie të përbashkët me të gjitha subjektet tjera politike në vend.

“Kemi të bëjmë me instalimin e sistemit njëpartiak, pra rikthimin e sistemit monist në vend, ku të gjithë të tjerët janë vetëm spektatorë të të gjithë asaj që po ndodh me Maqedoninë”.

“Për fat të keq, kjo politikë mund të rezultojë të jetë fatale për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, sepse izolimi në një afat më të gjatë i Maqedonisë nga integrimet në NATO dhe në Bashkimin Evropian, mund të sjellë probleme të brendshme, pse jo edhe konflikte të brendshme”,
thotë Neziri.

Kanë reaguar edhe organizatat joqeveritare, duke ftuar pushtetin që të mos lëshohet në, siç thuhet, satanizimin e Greqisë, të opozitës dhe të nxisë anti-evropianizimin në vend.

“Qeveria nuk guxon të lëshohet në satanizimin e Greqisë, në satanizimin e opozitës dhe të mbarë opinionit të orientuar me kritika dhe ta shndërrojë Maqedoninë në viktimë të komplotit të ri evropian, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm se cila është situata jonë reale politike”.

“Nëse dëshirojmë të ecim përpara, duhet të gjejmë mënyra dhe mekanizma se si ta zgjidhim këtë nyje”,
deklaron Fani Panovska, nga Instituti për Shoqëri të Hapur.

Analistët dhe ekspertët që merren me çështje evropiane, i rekomandojnë Qeverisë të ndërtojë strategji mbipartiake për kontestin me Greqinë, të vazhdohet me negociata në Kombet e Bashkuara dhe, nëse është e nevojshme, të kërkohet edhe ndihmë nga Komisioni Evropian.

Analisti Xhelal Neziri thekson se përveç Bashkimit Evropian, Maqedonia nuk ka zgjidhje tjetër, pasi çdo zvarritje në zgjidhjen e kontestit me Greqinë, mund të çojë në humbjen e durimit të shqiptarëve.

“Nuk ka alternativë tjetër. Maqedonia është një shtet me stabilitet të brishtë dhe me marrëdhënie jo aq të mira ndëretnike”.

“Nëse për një kohë të gjatë Maqedonia do të qëndrojë e izoluar, ndërsa, në anën tjetër, Shqipëria do të përparojë me integrimet evropiane, pasi tashmë është anëtare e NATO-s, atëherë logjikisht shqiptarët e Maqedonisë do të dëshirojnë dhe do të punojnë që të jetojnë në atë Shqipëri që është e integruar në strukturat euro-atlantike”.

“Mirëpo, me çmimin që të mos shkojnë vetëm fizikisht, por që me vete të marrin apo të shkëpusin një pjesë të Maqedonisë ”,
vlerëson Neziri.

Në samitin e BE-së në Bruksel, Maqedonia nuk mori datën për fillimin e negociatave për anëtarësim, për shkak të bllokadës greke, e cila këtë e kushtëzon me zgjidhjen e dallimeve rreth emrit.

Çështja ka mbetur të diskutohet në gjashtë muajt e ardhshëm, gjatë presidencës spanjolle në Bashkimin Evropian.

Por, sipas analistëve, gjasat për të lëvizur përpara janë minimale, pasi, sipas tyre, Maqedonia nuk do të ketë mbështetjen e njëjtë siç e pati nga presidenca suedeze me Bashkimin Evropian.

Ekspertë dhe analistë me ndikim nga Spanja qartë kanë bërë me dije në disa prononcime për mediat e këtushme, se vendi i tyre është aleat i fuqishëm i Greqisë dhe se Maqedonia nuk duhet të presë shumë nga kryesimi spanjoll i BE-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG