Ndërlidhjet

Klimë e pafavorshme biznesore


Përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë thonë se moszbatimi i legjislacionit, gjendja jo e mirë në fushën e prokurimit dhe infrastruktura e brishtë e politikave ekonomike, janë disa nga elementet, të cilat Kosovën e bëjnë një vend të pafavorshëm për zhvillimin e veprimtarisë së tyre.




Në Kosovë është arritur shumë progres në formimin e shtetit, thonë përfaqësues të biznesit, mirëpo ka një ngecje në qasjen e zhvillimit ekonomik.

Sipas tyre, zhvillimi ekonomik i vendit në nivelin qeveritar ende nuk është vendosur si prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se pavarësisht rënies ekonomike në tërë botën, Kosova ka shënuar trende pozitive, por që këto trende, siç thotë ai, nuk janë rezultat i aktivitetit ekonomik, por rezultat i investimeve publike.

“Stabiliteti ekonomik nënkupton stabilitet politik. Kosovës tani i duhet një ambient i mirë, i duhen ndërmarrje stabile dhe raporte të mirëfillta partneriteti mes biznesit dhe Qeverisë”.

“Biznesi të mos trajtohet siç trajtohet nganjëherë - që është i predispozuar të shkelë legjislacionin, i predispozuar të bëjë evazione fiskale, por të shihet me sy të mirë se, realisht, mbi 70 për qind e buxhetit mblidhet nga 150 ndërmarrje”,
thotë Beqaj.

Në njërin nga raportet e Bankës Botërore, Kosova ishte radhitur në vendin e 113-të, nga 183 vende të botës në lidhje me ekzistimin e ambientit të pafavorshëm për zhvillimin e biznesit.

Sipas këtij raporti, bizneset kosovare hasin në vështirësi në pajisjen për leje ndërtimi, pastaj thuhet se ekzistojnë procedura të stërzgjatura për regjistrimin e biznesit, si dhe probleme në legjislacion.

Duke e komentuar këtë raport, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, shprehet:

“Ne kemi një legjislacion shumë të mirë, i cili është konform rregullave, por kemi probleme me implementim të legjislacionit, kemi probleme që ndërmarrjet i vënë në pozita shumë të rënda”.

“Si rezultat i kësaj, kemi një gjendje relativisht të keqe në fushën e prokurimit publik, pastaj kemi procesin e licencimit dhe certifikimeve, të cilat kanë ndodhur në ministri dhe në momente të caktuara nuk kanë qenë shumë të favorshme”.


Ndërkohë, udhëheqësi i Agjencisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Naser Grajçevci, potencon energjinë elektrike si një problem kyç që hasin bizneset kosovare gjatë zhvillimit të tyre.

Megjithatë, ai thekson se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e një klime më të mirë për bizneset.

“Edhe në këtë drejtim jemi duke bërë vazhdimisht progres. Ne kemi përfituar nga Banka Botërore për vitin 2010 një grant prej rreth 850 mijë eurosh, i cili do të shkojë kah lehtësimi i këtij ambienti”, thotë Grajqevci.

Sektori privat, që në Kosovë konsiderohet si fusha kryesore për zhvillimin ekonomik në vend, edhe sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, po ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet.

“Bizneset e Kosovës kanë probleme, të cilat ende nuk po mund të zgjidhen, siç është kriza e eksportit. Kosova tash është një vend, të cilit i është kufizuar eksporti, dhe kjo është një nga vështirësitë, pavarësisht atyre financiare”.

“Po ashtu, edhe infrastruktura fizike jo e mirë, infrastruktura e politikave ekonomike e pafavorshme në krahasim me vendet regjionale dhe të gjitha këto vetëm po e ngarkojnë biznesin”,
pohon Shahini.

Ndryshe, krijimi i një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit në Kosovë, thonë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, do të ishte një mundësi e mirë edhe për zhvillimin e ekonomik të vendit.
XS
SM
MD
LG