Ndërlidhjet

Funksionalizimi i komunave të reja pritet të bëhet para përfundimit të këtij viti. Ministria e Pushtetit Lokal thotë se ndër sfidat që do të dalin përballë komunave të reja, janë edhe strukturat paralele serbe të vendosura në këto mjedise tash dhjetë vjet.


Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, premton se brenda këtij muaji do të funksionalizohen kuvendet komunale të Graçanicës, Ranillugut e Kllokotit, të tri këto komuna të reja, udhëheqësit e të cilave u zgjodhën më 15 nëntor.

“Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet. Janë në dijeni edhe ish-kandidatët, të nominuarit për kryetar komune. Besoj se brenda shtatë ditëve pas certifikimit, që mund të pritet të jetë javën e ardhshme, ne do të ndihmojmë dhe do të ndodhë dhënia e betimit të kryetarit të komunës dhe konstituimi i kuvendeve komunale”, thekson Ferati.

Në këto tri komuna, kandidatët serbë kanë fituar postin e kryetarit që në raundin e parë.

Partia e Pavarur Liberale do të udhëheqë Graçanicën dhe Kllokotin. Sekretari i kësaj partie, Petar Miletiq, beson se konstituimi do të ndodhë shpejt pas mbajtjes së balotazhit.

“Mendoj se është herët të flitet për funksionalizimin e komunave të reja, sepse nuk janë konstituuar ende asambletë lokale. Madje, edhe në ato komuna ku kandidatët kanë fituar në raundin e parë, nuk janë formuar kuvendet komunale lokale, sepse pritet raundi i dytë i zgjedhjeve”.

“Vetëm atëherë kur të kryhet raundi i dytë i zgjedhjeve në të gjitha komunat, do të mund të ngriten kuvendet komunale dhe të punohet me kapacitetet të plotë”,
thotë Miletiq, duke shpresuar se ndihma e Qeverisë së Kosovës dhe e komunitetit ndërkombëtar do ta përshpejtojë funksionalizimin.

Por, në Ministrinë e Pushtetit Lokal janë të vetëdijshëm se e tërë puna nuk mbaron me konstituimin e asambleve komunale. Asnjëra nga komunat e reja ende nuk e ka objektin e vet komunal. Ministri Ferati shpjegon:

“Kemi një situatë kalimtare dhe do të shfrytëzojmë objekte me qira. Ndërkohë, kemi projektuar buxhetin dhe janë të parapara në bashkëpunim me Komisionin Evropian, por edhe nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, se do të financohen objektet e kuvendeve komunale në Graçanicë, Kllokot, Ranillugë. Deri në përfundimin e objekteve, do të shfrytëzohen objektet me qira”.

Por, përveç çështjeve të pazgjidhura teknike, ka edhe sfida të tjera. Prania e strukturave paralele serbe në këto mjedise, sipas Ministrisë së Pushtetit Lokal, paraqet një problem më vete.

Megjithatë, Ferati thotë se mendon që me kalimin e kohës, roli i strukturave paralele do të zbehet.

“Të gjithë qytetarët e kanë kuptuar dhe kanë manifestuar me daljen në zgjedhje, se është improvizim dhe simulim i qeverisjes, sesa qeverisje e mirëfilltë, ngase ato janë struktura jolegale dhe veprimet e tyre nuk krijojnë obligime në qëndrueshmërinë e tyre”.

“Ato do të jenë vendime që ne nuk do t’i njohim. Prandaj, strukturat paralele do të zbehen dhe do të eliminohen, sa më të fuqishme që do të bëhen në të ardhmen këto komuna”,
thotë Ferati.

Në anën tjetër, Petar Miletiq nuk beson se do të ketë konflikte mes strukturave të dala nga institucionet kosovare dhe ato të Qeverisë së Serbisë.

“Shpresoj se nuk do të ketë probleme. Mendoj se rrëfimet për konflikte mes institucioneve që i ka formuar Republika e Serbisë dhe institucioneve të Kosovës, janë ekzagjeruar”.

“Mendoj se ka qenë më shumë në frymë të fushatës paraelektorale për të bojkotuar zgjedhjet lokale dhe jo një situatë reale”,
shprehet Miletiq.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit janë bojkotuar tërësisht nga serbët në veri, të cilët kanë dëgjuar thirrjen e Beogradit zyrtar.

Por, kjo s’ka ndodhur në komunat në Kosovën qendrore, ku ka pasur një pjesëmarrje të vogël, por që nga institucionet vendëse e ndërkombëtare është parë si një tregues se komuniteti serb po fillon ta pranojë realitetin e ri në Kosovë.
XS
SM
MD
LG