Ndërlidhjet

Sfidat e funksionalizimit të plotë të FSK-së


Forca e Sigurisë e Kosovës

Forca e Sigurisë e Kosovës

Zyrtarë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë se janë duke punuar maksimalisht që sa më parë të bëhet funksionalizimi i plotë i kësaj force. Ndërkaq, ekspertët për çështje ushtarake dhe të sigurisë, konsiderojnë se një nga sfidat e FSK-së është profesionalizimi dhe pajisja me armët e duhura.


Përfaqësues nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndonëse nuk mund të japin afate të sakta kohore se kur kjo forcë do të jetë komplet operacionale, thonë se viti 2011, ose 2012, mund të jetë koha kur kjo forcë do të jetë krejtësisht operacionale.

Megjithatë, zëvendësministri Behxhet Brajshori thotë se kjo forcë është në rrugë të drejtë që të arrijë në nivelin e dëshiruar të profesionalizmit të saj.

“Sipas rrjedhave të deritashme, lirisht mund të themi se jemi në dinamikën e paraparë kohore në ngritjen e kapaciteteve në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkatësisht në FSK”.

“Ju e dini që në shtator ne kemi bërë deklarimin e kapaciteteve operacionale fillestare. Tani kemi hyrë në fazën e dytë, kryesisht rreth trajnimeve dhe ne do të vazhdojmë me këtë dinamikë”,
thekson Brajshori, duke shtuar se gradualisht janë duke pranuar rekrutë të rinj nga shoqëria civile.

Sipas zyrtarëve të FSK-së, të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët janë të interesuar të jenë pjesë e kësaj force, mund të konkurrojnë në konkursin që do të hapet në muajin janar, ku pritet të pranohen edhe 400 rekrutë të rinj.

Nga ana tjetër, ekspertët për çështje ushtarake dhe të sigurisë konsiderojnë se operacionalizimi i plotë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është shumë i rëndësishëm.

Eksperti Nuredin Ibishi, konsideron se FSK-ja pas kompletimit të saj, jo vetëm që do të shërbejë për kosovarët, por, siç thotë ai, ajo mund të jetë pjesë edhe e misioneve ndërkombëtare.

“Ky është një proces i vetëformimit të saj, pra prej fazës së rekrutimit, seleksionimit, por edhe vetë ngritjes së kapaciteteve, pra aftësimit të kuadrove sipas niveleve të saj, kështu që ajo vetë në detyrat, në kompetencat e saj, do të evoluojë”, thotë Ibishi.

Aktualisht, sipas zëvendësministrit Brajshori, një nga sfidat, me të cilat mund të përballet kjo forcë, është ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe ajo e infrastrukturës.

“Do të thosha të njerëzve, përkatësisht të kapaciteteve njerëzore, pra nevoja e ngritjes së kapaciteteve fizike brenda ministrisë, përkatësisht përmirësimit të infrastrukturës fizike në tërë vendin dhe shtrirjen horizontale të këtyre kapaciteteve”.

“Dhe, nëse arrijmë, brenda vitit 2010 të kemi vërtet një akomodim të mirë të stafit në përgjithësi dhe të kapaciteteve të FSK-së. Dhe, natyrisht, edhe shkollimin e kuadrove, si brenda, ashtu edhe jashtë vendi”,
shprehet Brajshori.

Kurse, për sfidat në operacionalizimin e plotë të kësaj force, eksperti Ibishi thotë:

“Sfidë llogaris që kjo do të ketë nevojë, ashtu siç është paralajmëruar nga disa shtete që kanë thënë se do të japin donacione dhe do të ndihmojnë, në ngritjen e kapaciteteve, po edhe në pajisjen dhe armatosjen e saj, konsideroj se aty duhet të përqendrohemi më shumë në kuptim të asaj që këto pajisje dhe vetë armatimi, të jetë në formën e standardeve çfarë janë ato të NATO-s”.

Qëllim i ardhshëm i FSK-së, thuhet, do të jetë arritja e kapaciteteve të plota operacionale.

Sipas planit të Ahtisarit, mbi të cilin rrjedhimisht është mbështetur dhe Ligji për FSK-në, Forca e Sigurisë së Kosovës është e paraparë të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë. Ndërsa, FSK-ja aktualisht ka 1530 pjesëtarë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG