Ndërlidhjet

Kosovë: Tuberkulozi në rënie


Në Kosovë brenda një viti preken rreth një mijë persona nga sëmundja e tuberkulozit. Kështu thotë Idriz Mumxhiu, pulmolog. Sipas tij, tuberkulozi ka qenë një problem i madh shëndetësor dhe social, që në vitet e fundit ka shënuar rënie, por ende paraqet kërcënim për popullatën e Kosovës.



“Nëse e krahasojmë me të kaluarën, vitet e mëhershme ka pasur rreth 1700 persona të prekur me tuberkuloz, derisa dy vitet e fundit ka rënë numri i të prekurve nga kjo sëmundje në 1000 raste. Paraqitja e tuberkulozit është në lëvizje pozitive”,
thotë Mumxhiu.

Derisa kjo sëmundje para dhjetë vjetësh ka prekur moshën 14 deri 40 vjeç, sipas Mumxhiut, tash tuberkulozi paraqitet te personat me moshë mbi 65 vjeç, sikurse në vendet e zhvilluara evropiane.

Në Kosovë janë përmbi 65 mjekë specialistë për sëmundje të mushkërive dhe tuberkuloz, gjë që mund të konsiderohet se ka kapacitet të mjaftueshëm.

Edhe Rukije Mehmeti, menaxhere kombëtare për tuberkuloz në Kosovë, thotë se 44 persona në 100 mijë banorë janë të prekur nga tuberkulozi.

Sipas saj, me gjithë punën e madhe që bëhet për parandalimin e kësaj sëmundjeje, rezultatet janë të kënaqshme, megjithatë.

Hera e parë në Kosovë që në dy vitet e fundit janë 1000 raste. Mjekimi ekziston, ndërsa për tuberkulozin rezistent nuk kemi antituberkular, por do të aplikojmë shumë shpejt për trajtimin e tuberkulozit rezistent”.

“Deri tash kemi gjashtë raste të evidentuara me tuberkuloz rezistent. Sa për çrrënjosjen e sëmundjes, as në vendet perëndimore nuk është çrrënjosur aty ku kanë kushte edhe më të mira se te ne”,
shpjegon Mehmeti.

Në Kosovë, sipas Mehmetit, është një fat i mirë që nuk ka numër shumë të madh të personave të prekur me HIV/AIDS, narkomanëve dhe të pastrehëve, që janë grupet më të rrezikuara dhe do të mund ta rrisnin numrin e të sëmurëve me tuberkuloz.

Nëse vazhdohet me këtë ritëm, vlerëson Mehmeti, do të arrihet të realizohen objektivat ashtu siç janë paraparë prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Ne kemi filluar edhe grantin e dytë të terapisë për tuberkuloz nga Fondi Global. Numri i vdekjeve nga tuberkulozi nuk është shumë i madh dhe nuk kemi shifra zyrtare”, thotë Mehmeti.

Projekti i Fondit Global në Kosovë paraqet mbështetje kryesore në luftën kundër tuberkulozit. Buxheti vjetor kundër kësaj sëmundjeje në vend kap shumën rreth pesë milionë euro.

Elita Tarani, zyrtare në këtë fond, shpjegon më shumë:

“Më shumë se pesë milionë eurosh i janë dhënë Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht mekanizmit koordinues të Kosovës për ta menaxhuar. Secili me rolin e vet mundohet të kontribuojë për të ndodhur aktivitetet, që janë të parapara në kuadër të këtij programi”.

Programet e Fondit Global kanë të bëjnë kryesisht me mirëmbajtjen e raportimit të rregullt që ndikon në rënien e numrit të të sëmurëve nga tuberkulozi, me dhënien e barnave, trajnimin e punëtorëve shëndetësorë etj.

Gjatë 15 vjetëve të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka qenë e fokusuar në sëmundjen e tuberkulozit, duke pasur për qëllim mjekimin e personave tashmë të infektuar dhe eventualisht çrrënjosjen e sëmundjes.

Afro 36 milionë njerëz janë mjekuar nga sëmundja e tuberkulozit, ndërsa 8 milionë vdekje janë parandaluar nën një regjim të caktuar.
XS
SM
MD
LG