Ndërlidhjet

Kompetencat e kryetarëve komunalë


Prishtinë
Prishtinë

Me Ligjin për vetëqeverisje lokale, kryetarët e rinj të komunave, që dalin nga zgjedhjet e nëntorit, kanë më tepër kompetenca se ç’kishin paraardhësit e tyre. Ata thuhet se kanë më shumë hapësirë në menaxhimin e financave komunale.







Kryetarët e rinj të komunave, që dalin nga zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, kanë më tepër kompetenca për të qeverisur komunën, të cilat drejtpërdrejt kanë të bëjnë me jetën dhe mirëqenien e asaj komune, duke përfshirë edhe menaxhimin e financave komunale.

Këto kompetenca i siguron Ligji për vetëqeverisje lokale, i cili ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.

Skënder Zogaj, këshilltar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke shpjeguar ligjin, thotë se pozicioni i kryetarit të komunës është shumë më preciz dhe më i fuqishëm.

Kryetari, thotë ai, jep përgjegjësi të plotë për menaxhimin e mirë apo të dobët të mjeteve buxhetore, së pari para deputetëve komunalë, e më pas para strukturave më të larta të vendit.

“Me ligjin e ri, fuqizohet figura e kryetarit të komunës, i cili realisht ngrihet në këtë strukturë dhe ka mundësinë e planifikimeve më vetanake, në mënyrë që mund të ushtrojë një pozicion më të fortë dhe më të drejtpërdrejtë me interesat e qytetarëve”.

“Realisht, ai tashmë del një menaxher më i drejtpërdrejtë me interesat e qytetarëve, i cili idetë e tij i bart në asamble dhe asambleja realisht nxjerr specifikat për realizmin më të mirë, më efikas dhe më cilësor të interesave komunale dhe qytetit e qytetarëve”,
shpjegon Zogaj.

Me gjithë faktin se përgjegjësitë e kuvendeve komunale tashmë janë më të mëdha, Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se udhëheqësve komunalë tashmë u mbetet të krijojnë projekte, të cilat ndikojnë në përmirësimin e zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës në komunat e tyre - programe këto, që, sipas tij, deri tash kanë munguar.

“Të them sinqerisht, nuk shihet se ka shumë programe nga këto parti. Nuk kanë dalë me ndonjë program konkret, i cili, në mënyrë specifike, do të tregonte se investimet, qoftë nga buxheti komunal, nga donacionet apo nga institucionet qendrore, do të përkrahin segmente të caktuara të këtyre komunave”,
thotë Keqa.

Por, Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP, mendon se një kryetar komune ka më tepër kompetenca, nëse ka vullnet politik. Nëse një gjë e tillë ekziston, ai thotë se çdo kryetar mund t’i ndryshojë gjërat në komunën e vet.

Ndryshe, thekson Ahmeti, zyrtarët komunalë duhet të gjejnë edhe alternativa tjera për investime kapitale, pasi, sipas tij, disa projekte tejkalojnë edhe shumën e mjeteve buxhetore të komunave.

Po i shohim premtimet për zgjidhjen e problemeve, që po i bëjnë kandidatët për kryetarë komunash”.

“Në qoftë se marrim një qytet, si Komuna e Gjilanit, që ka problem me ujëra të zeza, ai projekt kushton mbi pesë milionë euro minimumi. Dhe, po e marrim që secila komunë ka projekte të tilla, atëherë definitivisht projektet në komuna tejkalojnë mundësitë që i ka buxheti i Kosovës”,
thotë Ahmeti.

Përparësi tjetër në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, Skënder Zogaj thekson edhe mundësinë e realizmit të projekteve tjera komunale nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.

“Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës lejon mundësi të tjera financimi të buxhetit të ministrive të ndryshme. Atëherë, kryetari i komunës, në bashkëpunim edhe me ministritë e caktuara, do të mund të nxjerrë një sasi shumë më të madhe të mjeteve për investime kapitale në komunën e tij”.

“Nga ministritë e linjave, realisht ai do të plasojë projektet e veta dhe në shumicën e tyre do ta ketë përkrahjen e ministrive, do të thotë qeverisë qendrore”,
shprehet Zogaj.

Ndryshe, për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, por edhe në fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve, që po mbahen sot, zhvillimi ekonomik ka qenë në krye të listës së premtimeve politike. Ndërsa, ekspertë për çështje ekonomike deklarojnë se programi ekonomik ishte bazë për votuesin.
XS
SM
MD
LG