Ndërlidhjet

Partitë flasin për parregullsi në votime



Partitë politike në Kosovë përmes konferencave të shtypit kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me ecurinë e deritashme të procesit zgjedhor.

Partia Demokratike e Kosovës, e cila garon në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 17 komuna të Kosovës, ka njoftuar për një sërë parregullsish në procesin e deritashëm zgjedhor. Në një konferencë për media, zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, bëri të ditur se nga informatat që partia ka marrë nga terreni, janë vërejtur disa parregullsi në vendvotimet në komunën e Lipjanit, në Rahovec, në Prizren, Suharekë, Dragash, Kaçanik dhe në Viti.

“Kemi të bëjmë me 7 komuna, me përafërsisht 10 raste që i përmenda me gjëra konkrete, të cilat mund të verifikohen te autoritetet kompetente. Ne kemi shfrytëzuar të drejtën tonë ligjore atë të ankimimit dhe të gjitha ato ua kemi përcjellë autoriteteve kompetente, qoftë pranë KZAP-it, qoftë pranë autoriteteve të rendit dhe të sigurisë”, u shpreh Stavileci.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur pakënaqësitëe veta lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në 21 komuna. AAK-ka është e shqëtesuar për ecurinë e procesit zgjedhor në Komunën e Klinës dhe të Vushtrrisë. Përfaqësuesi i kësaj partie, Avni Arifi, tha se në disa vendvotime në këto komuna është ushtruar presion ndaj votuesve. Sipas tij, është e nevojshme ndërhyrja e forcave të rendit për ta vënë situatën nën kontroll.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Dardanisë ka njoftuar për parregullësi në komunën e Vitisë dhe në Mitrovicë. Në Pejë, sipas LDD-së gjithçka deri me tani ka shkuar në rregull, por theksohet se “në bazë të praktikës së mëhershme në Dukagjin në orët e pasdites situata atje mund të ndryshojë radikalisht”.
LDD-ja është në balotazh në dy komuna, në Viti dhe në Pejë. Në Mitrovicë LDD-ja mbështet kandidatin e AKR-së.
XS
SM
MD
LG