Ndërlidhjet

Situatë e qetë, me incidente minore


Autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se përveç një incidenti në Lipjan, ku katër persona kanë sulmuar komisionarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, procesi i votimit ka shkuar kryesisht në rregull.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e pasdites, në fshatin Janjevë të Komunës së Lipjanit, është sulmuar komisionari i LDK-së.

Ky i fundit, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga policia, për shkak të lëndimeve të marra, është dërguar në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se policia ka arrestuar katër të dyshuarit.

Policia nuk ka dhënë informacione se cilit subjekt politik i takojnë personat tashmë të arrestuar.

Ndryshe, në komunat e tjera, ku u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave, nuk është shënuar ndonjë incident i madh.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se autoritetet e rendit kanë përcjellë me kujdes situatën e sigurisë. Sipas tij, i gjithë plani është realizuar ashtu siç ishte paraparë.

“Mund të themi se siguria në tërësi ishte në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm. Pra, nuk kemi pasur ndonjë incident, që do të mund të ndikonte në pengimin e procesit zgjedhor. Plani, i cili është hartuar nga policia e Kosovës, ka paraparë që t’i mbulojë të gjitha qendrat e vendvotimeve në të gjitha komunat”, tha Kelani.

Ndryshe, rrjeti i organizatave joqeveritare, që ka bërë monitorimin e procesit zgjedhor, gjatë ditës ka raportuar për disa parregullsi, përfshirë edhe rrahje të simpatizantëve. Por, zëdhënësi Baki Kelani, incidentet e tilla i quajti minore.

“Të gjitha ato komente, të cilat vijnë nga parti të ndryshme politike dhe të tjerët, mund të jenë si incidente minore, të cilat fare nuk ndikojnë në procesin e zhvillimit të votimit”, deklaroi Kelani.

Për të siguruar një ditë të qetë dhe pa incidente, policia e Kosovës kishte angazhuar rreth 4 mijë zyrtarë policorë. Autoritetet policore, tha Kelani, do të bëjnë edhe bartjen dhe ruajtjen e kutive me fletëvotime.

“Policia e Kosovës do të jetë e angazhuar deri në përfundim të procesit, pra edhe në përcjelljen e eskortës së kutive të votimit. Policia do të jetë prezente duke ofruar siguri maksimale. Kështu që, të gjitha masat janë ndërmarrë”,
u shpreh Kelani.

Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë mohoi të ketë pasur masa të shtuara të sigurisë në vendbanimet e banuara me shumicë serbe, ku u zhvilluan votimet.

Kurse, ekspertët për siguri e shohin si pozitive mbarëvajtjen e procesi të votimit.

Eksperti Ramadan Qehaja tha se kjo situatë e sigurisë dëshmoi që Kosova është duke shkuar në rrugë të drejtë. Ai tha se ecuria e rregullt e votimeve është e rëndësishme për ecjen e Kosovës përpara si shtet i pavarur.

“Prandaj, unë do të thosha që qytetarët janë ata që e kanë thënë fjalën e vet me veprat e tyre konkrete, duke krijuar një qetësi në terren”, u shpreh Qehaja.
XS
SM
MD
LG