Ndërlidhjet

Në Novobërdë, gara për kryetar komune është zhvilluar mes një kandidati shqiptar dhe një serb. Qytetarët e të dyja komuniteteve thonë se vota e tyre është shpresë për një të ardhme më të mirë për Novobërdën.


Procesi i votimit në Komunën e Novobërdës ka përfunduar në orën 19:00, ashtu edhe siç ishte paraparë. Kështu kanë njoftuar zyrtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Novobërdë, komunë kjo e zgjeruar në bazë të decentralizimit, e cila, gjatë ditës së sotme, ka pasur të hapura 18 qendra të votimit, për rreth 8,000 votues potencialë.

Për kryetar të kësaj komune, në raundin e dytë të votimeve kanë garuar kandidati shqiptar, Bajrush Ymeri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe ai serb, Radovan Deniq, nga Partia Social-Demokrate.

Selim Mehmeti, zyrtar ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Novobërdë, ka thënë se procesi i votimeve në këtë komunë ka kaluar pa probleme.

“Procesi i zgjedhjeve në Komunën e Novobërdës sot ka shkuar mjaft mirë. Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 7:00 dhe, sipas informatave të fundit që kemi nga menaxherët e qendrave të votimit, në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit”.

“Deri në këto momente, në bazë të raporteve nga menaxherët e qendrave të votimit, kanë votuar 32,93 për qind e votuesve. Çdo gjë ka shkuar në rregull, nuk ka pasur kurrfarë problemi dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë nga subjektet politike”,
ka thënë Mehmeti.

Ndryshe, në fshatin Llabjan të Komunës së Novobërdës ka votuar edhe kandidati për kryetar të kësaj komune, Bajrush Ymeri.

“Ne, tash, jemi dy kandidatë në balotazh dhe le ta zgjedhin më të mirin. Njëri prej nesh do të jetë fitues dhe le të zgjedhin atë që ata mendojnë se nesër do të jetë zgjidhja më e mirë”.

“Normalisht, uroj dhe kërkoj nga ta që gjatë votimeve të shkojë gjithçka mirë, të mos ketë ndonjë ekses, duke pasur parasysh që kemi edhe qytetarë nga komuniteti tjetër
”, ka deklaruar Ymeri.

Thirrje të ngjashme qytetarëve u ka bërë edhe kandidati Radovan Deniq, i cili ka votuar në fshatin Kufcë e Epërme, ku, që nga orët e mëngjesit, është shënuar dalja e qytetarëve serbë për të votuar.

Dita e mirë njihet në mëngjes dhe, ashtu siç po rrjedhin gjërat, mendoj se një numër i madh i qytetarëve serbë do të dalë në këto zgjedhje, për shkak se ata e kanë kuptuar seriozitetin e decentralizimit dhe situatën ku ata mund ta marrin fatin në duart e veta”, ka thënë Deniq.

Ndërkaq, banorët e fshatrave të Komunës së Novobërdës, shqiptarë dhe serbë, të cilët sot ua kishin mësyrë vendvotimeve, kanë thënë se vota e tyre kishte domethënien e shpresës për një jetë më të mirë për të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë komunë.

Kurti Haliti, shqiptar nga fshati Llabjan, është shprehur:

“Votuam. Unë kam dalë për një ditë më të mirë, për një jetesë, për një rrugë të drejtë dhe të mirë”.

Edhe Xhemajl Novobërdaliu, shqiptar nga Novobërda, ka thënë se ka votuar për të ardhmen e komunës së tij.

“Kam dalë të votoj për të ardhmen e Komunës së Novobërdës dhe për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë komunë”.


Mejreme Mustafa, nga fshati Llabjan, pas votimit, ka theksuar se pret nga kryetari i ardhshëm angazhim më të madh për të siguruar mirëqenien e qytetarëve.

“Presim përmirësime. Mirë ka qenë edhe deri më tash, por presim edhe më mirë, për punësim, për të rinjtë dhe për të gjitha”,
është shprehur ajo.

Në anën tjetër, Goran Cvetkoviq, serb nga fshati Kufcë, derisa po hynte në vendvotim, ka deklaruar:

“Jam nisur për të votuar dhe pres një të ardhme më të mirë. Mendoj se të gjithë duhet të dalin të votojnë, sepse kështu mund të sigurohet e ardhmja e mirë”.

Velibor Trajkoviq, nga fshati Bostan, ka votuar edhe në raundin e parë. Ndërsa, në raundin e dytë, ai ka thënë se pret të fitojë më i miri.

Për herë të dytë po votojmë, në mënyrë që ta përmbushim obligimin tonë qytetar. Janë dy kandidatë. Ne do ta zgjedhim më të mirin. Kushdo që të fitojë, duhet të angazhohet për të rinjtë”, është shprehur ai.

Ndryshe, Gjorgje Antiq, serb nga fshati Kufcë, ka thënë se ka dyshime nëse duhet dalë në zgjedhje ose jo.

“Nuk di a do të dal. Jam në mëdyshje lidhur me këtë çështje, sepse asgjë nuk po shkon ashtu siç do të duhej”, ka deklaruar ai.

Sidoqoftë, bazuar në të dhënat e deritashme të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Novobërdë, përqindja e daljes në votime në këtë komunë, në raundin e dytë ka shënuar ngritje krahasuar me raundin e parë, në të cilin patën votuar 26.93 për qind e votuesve potencialë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG