Ndërlidhjet

logo-print

KQZ shpall rezultatet preliminare


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të balotazhit për kryetarët e komunave. Sipas këtyre rezultateve, PDK-ja ka fituar në 10 komuna, LDK-ja në 5, kurse AAK-ja në 3 komuna. KQZ ka nxjerrë rezultat të barabartë në Prizren, ku PDK-ja dhe LDK-ja presin numërimin e votave me kusht.



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të balotazhit për kryetarët e 21 komunave.

Sipas kryetares së KQZ-së, Nesrin Lushta, në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht, ato nga jashtë, si edhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Rezultatet preliminare kanë sjellë një barazim në Prizren ndërmjet kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi, me nga 50 për qind të votave.

Paraprakisht, si PDK ashtu edhe LDK kishin shpallur dhe festuar fitoren në Prizren.

Por, Nesrin Lushta ka thënë se atje, rezultati përfundimtar do të dihet pas numërimit të votave me kusht.

“Në komunën e Prizrenit, kandidati Ramadan Muja nga PDK-ja, ka 24.982 vota, ndërsa kandidati Hanefi Muharremi nga LDK-ja, ka 24.940 vota dhe përqindja është 50 me 50. Kjo do të thotë se pas numërimit të votave me kusht do të dihet se cili ka fituar më tepër vota”,
ka deklaruar Lushta.

Përveç Prizrenit, rezultatet në 20 komunat tjera, sipas KQZ-së, janë:

Kandidatët e PDK-së kanë fituar në Gjilan, Mitrovicë, Klinë, Lipjan, Kaçanik, Malishevë, Dragash, Viti, Vushtrri dhe Rahovec.

Ata të LDK-së kanë fituar në Istog, Kamenicë, Novobërdë, Podujevë dhe Obiliq.

Kurse, kandidatët e AAK-së në Pejë, Suharekë dhe Junik.

Kandidati nga partia serbe, SLS, ka fituar në Shtërpce, kurse kandidati i pavarur Refki Suma në Han të Elezit.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, ka thënë se rezultatet përfundimtare mund të priten gjatë dy-tri ditëve të ardhshme.

Krahas KQZ-së dhe partive politike, edhe Koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia në Veprim” ka shpallur rezultatet e para preliminare.

Për dallim nga KQZ-ja, “Demokracia në Veprim” e ka nxjerrë LDK-në si fituese në Prizren, kurse rezultatet tjera janë të ngjashme me ato të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Një pasqyrë të rezultateve në vazhdimësi kanë prezantuar edhe partitë politike.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka shpallur fitoret e kandidatëve të partisë së tij në 11 nga 17 komuna në sa kjo parti ka garuar në balotazh.

“Fillojmë me qytetin e Lidhjes së Prizrenit duke ia uruar fitoren kryetarit Ramadan Muja. Urime z.kryetar..., vazhdojmë me fitoren tjetër të radhës, po ashtu shumë të fuqishme e meritore dhe urojmë qytetarët e Gjilanit për fitoren e kandidatit të PDK-së”, ka thënë Thaçi para përkrahësve të partisë së tij.

Ndërkohë, edhe LDK-ja, përmes nënkryetarit Lutfi Haziri, ka shpallur fitoret e kandidatëve të saj në 6 nga 10 komunat në sa ka garuar, duke pretenduar se kandidatët e saj janë fitues edhe në Gjilan dhe Lipjan.

“Komuna më e suksesshme pas Prizrenit, natyrshëm, dhe falënderimit për mbështetje të LDK-së dhe kandidatit tonë për kryetar, i bashkëngjitet edhe kryetari i Lipjanit. Imri Ahmeti ka fituar 43 vota më shumë”, ka theksuar Haziri.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar fitoren e kandidatëve të saj në Suharekë, Pejë dhe Junik.

Në raundin e parë, 15 komuna qenë fituar pa balotazh. Më 15 nëntor PDK-ja kishte fituar në Ferizaj, Skenderaj, Gllogovc, Shtime dhe Zubin-Potok.

LDK-ja kishte fituar Prishtinën dhe Fushë-Kosovën, ndërkaq AAK-ja Deçanin, Gjakovën, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Po në raundin e parë, Partia Liberale Serbe kishte fituar Graçanicën dhe Kllokotin.

Kurse, kandidati i Partisë Demokratike Turke do ta udhëheqë Mamushën. Përderisa ai i Iniciativës Qytetare për Ranillugun, do të qeverisë komunën e re të Ranillugut.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në balotazhin e 13 dhjetorit kanë votuar 37.88 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.


Rezultatet preliminare të garës së balotazhit sipas KQZ-së:

Gjilan - Qemajl Mustafa, PDK, 51.4 për qind - Fatmir Rexhepi, LDK, 48.6 për qind;

Sharr - Salim Jonuzi, PDK, 53.3 për qind - Halim Shemsedini, LDK, 46.7 për qind;

Kaçanik - Xhabir Zharku, PDK, 57.9 për qind - Tahir Çaka, AAK, 42.1 për qind;

Klinë - Sokol Bashota, PDK, 56.3 për qind - Enver Berisha, AAK, 43.7 për qind;

Dardanë - Shaip Surdulli, LDK, 54.1 për qind - Begzad Sinani, PDK, 45.9 për qind;

Mitrovicë - Avni Kastrati, PDK, 53 për qind - Nexhmedin Spahiu, AKR, 47 për qind;

Lipjan - Shukri Buja, PDK, 50.5 për qind - Imri Ahmeti, LDK, 49.5 për qind;

Kastriot - Mehmet Krasniqi, LDK, 51.9 për qind - Haki Mjeku, PDK, 48.1 për qind;

Rahovec - Qazim Qeska, PDK, 50.8 për qind - Ibrahim Kryeziu, LDK, 49.2 për qind;

Prizren - Ramadan Muja, PDK, 50 për qind - Hanefi Muharremi, LDK, 50 për qind;

Vushtrri - Bajram Mulaku, PDK, 63.5 për qind - Muharrem Shabani, AAK, 36.5 për qind;

Malishevë - Isni Kilaj, PDK, 61.8 për qind - Januz Kastrati, LDK, 38.2 për qind;

Novobërdë - Bajrush Ymeri, LDK, 80.9 për qind - Radovan Deniq, SNSD, 19.1 për qind;

Istog - Fadil Ferati, LDK, 70.8 për qind - Naim Imeraj, AAK, 29.2 për qind;

Pejë - Ali Berisha, AAK, 76.7 për qind - Elmi Berisha, LDD-AKR, 23.3 për qind;

Besianë - Agim Veliu, LDK, 66.5 për qind - Muhamet Latifi, PDK, 33.5 për qind;

Shtërpcë - Bratislav Nikoliq SLS 65 për qind - Beqir Fejzullahu PDK 35 për qind;

Therandë - Blerim Kuçi, AAK, 52.4 për qind - Ramë Vataj, PDK, 47.6 për qind;

Viti - Nexhmedin Arifi, PDK, 55.2 për qind - Sokol Haliti, LDD, 44.8 për qind;

Junik - Agron Kuçi, AAK, 56.7 për qind - Tahir Isufaj, LDK, 43.3 për qind dhe

Hani i Elezit - Refki Suma, kandidat i pavarur, 53.3 për qind - Mehmet Ballazhi, PDK, 46.7 për qind.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG