Ndërlidhjet

Analistët politikë në Kosovë kanë mendime pozitive për procesin e zgjedhjeve lokale dhe thonë se Kosova ka dhënë edhe një test të demokracisë. Por, ata kanë mendime të ndryshme për mundësinë e ndryshimeve në skenën politike.






Analistët politikë kosovarë vlerësojnë se procesi i zgjedhjeve lokale, që përfundoi dje, është një tregues i mirë i suksesit të Kosovës.

Sipas tyre, rezultatet e këtyre zgjedhjeve, nuk mund të kenë ndonjë ndryshim në skenën politike.

Krenar Gashi, nga Instituti “KIPRED”, thotë se të dy raundet e zgjedhjeve treguan se Kosova është duke shkuar drejt rrugës se një shteti stabil.

“Nuk mund ta vlerësoj ndryshe procesin zgjedhor në Kosovë nga ajo që është vlerësuar edhe nga faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë, e që është se i gjithë procesi, në parim, ka qenë në rregull dhe një indikator i suksesit të demokracisë në Kosovë”.

“Megjithatë, ka pasur incidente dhe ka pasur manipulime me vota. Ka pasur shumë raste, në të dy raundet, sidomos në balotazh, ku njerëzit kanë vendosur fletëvotime në kuti pasi që janë mbyllur vendvotimet
”, thotë Gashi.

Edhe analisti Driton Lajçi konsideron se procesi zgjedhor në Kosovës ka qenë i suksesshëm.

Ai thekson se pavarësisht rrethanave të krijuara para datës 13 dhjetor, qytetarët kanë dalë në zgjedhje dhe kanë votuar për të preferuarit e tyre

“Zgjedhjet e djeshme, zgjedhjet e raundit të dytë, i demantuan skeptikët se nuk do të dalë numër i mjaftueshëm në votime, por doli se përqindja është më e madhe sesa ajo para dy vjetësh”.

“Dhe, ky është një indikator i rëndësishëm se qytetarët e Kosovës, pavarësisht ngjarjeve që kanë ndodhur para 13 dhjetorit, dolën në zgjedhje dhe dëshmuan pjekurinë qytetare dhe i dhanë votën demokracisë”,
pohon Lajçi.

Sipas Gashit, nga Institutit Kosovar për Politika Zhvillimore, rezultatet e këtyre zgjedhjeve nuk do të mund të kenë ndonjë ndikim në skenën aktuale politike.

“Në parim, rezultatet e balotazhit nuk mund të merren si indikator për ndryshimin e pozitave politike në nivel nacional, sa i takon elektoratit. Por, balotazhi ka thyer disa tabu sa u takon partive politike”.

“E para, ka pasur ndryshim sa i përket votës për asambletë komunale edhe votës për kryetar të komunave. Dhe, këto zgjedhje kanë sjellë këtë risi, që i bie se elektorati nuk po voton me flamur të partive politike, por po e vlerëson mirë programin”.

"Një faktor i dytë është se liderët lokalë po kanë më shumë ndikim sesa vetë partia politike. Dhe, rasti i tretë, thyhet tabuja se në Kosovë nuk mund të fitohet një post politik, nëse nuk je kandidat i një partie politike, pra kemi pasur një kandidat të pavarur që ka fituar dhe kjo është një risi”,
shpjegon Gashi.

Por, për analistin Lajçi, afërsia dhe koalicionet zgjedhore të partive politike LDK-AAK( Lidhja Demokratike e Kosovës-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), në të ardhmen mund të kenë bashkëpunim edhe më të ngushtë në zhvillimet e ardhshme politike.

“LDK-ja dhe AAK-ja, disi kanë pasur një sukses të përbashkët. Dhe, kjo afërsi e tyre, në bazë, mund të hapë një rrugë për marrëveshje të tjera dhe bashkëpunim. Dhe, ky bashkëpunim mund t’i përcjellë këto dy parti edhe në zhvillimet e ardhshme politike”, thekson Lajçi.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve lokale, Partia Demokratike e Kosovës kryeson me fitore në shumicën e komunave, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dyfishuar përqindjen e votave të marra, ndërsa dy subjektet tjera, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, kanë shënuar rënie.

Për këtë, analisti Lajçi shpjegon:

“PDK-ja u konfirmua si parti fituese e zgjedhjeve. AAK-ja, përfundimisht doli nga qarku vicioz me fitoren që arriti në Suharekë. Dhe, LDK-ja, u konsolidua me fitore të vogla, megjithatë për të janë shumë të rëndësishme, sepse ajo filloi të mbahet për fije kashte”.

“Dhe, përfundimisht, humbësit më të mëdhenj të këtij raundi të dytë zgjedhor janë AKR-LDD, që mbetën duarzbrazët”.

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit ishin të gjashtat me radhë që mbahen që nga paslufta, ndërsa të parat në Kosovën e pavarur.

Një sukses të madh të këtyre zgjedhjeve, analistët e cilësojnë edhe pjesëmarrjen e komunitetit serb.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG