Ndërlidhjet

The Guardian: "Konflikti i ngrirë NATO-Rusi"


"The Guardian"

Presidentit Barak Obama nuk iu desh shumë që të tregojë se ideja e madhe e tij e politikës së jashtme është angazhimi konstruktiv. Përpjekjet për t’i ulur në tavolinë negociatorët izraelitë dhe palestinezë, kanë ngecur.

Irani e hodhi poshtë ofertën e paramenduar për ta pasuruar uraniumin jashtë vendit dhe po shkon drejt një raundi të dytë të sanksioneve nga Kombet e Bashkuara.

Zoti Obama zgjodhi të shkojë në kahe të kundërt duke përkushtuar më shumë trupa në Afganistan. Pas zbehjes së shpresave dhe retorikës së lartë të fjalimeve të tij, gjërat duken se po shkojnë si më parë.

Drita e vetme në horizont janë marrëdhëniet e transformuara të Amerikës me Rusinë.

Prapa skenave, zyrtarët në Gjenevë përpiqen të gjejnë zëvendësimin e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (START) nga viti 1991, i cili skadoi më 5 dhjetor.

Dje kanë filluar bisedime të ngjashme për të vënë nën kontroll luftën kibernetike dhe për ta përforcuar sigurinë e internetit.

Mbetet të shihet nëse Rusia do ta përkrahë edhe një paketë tjetër sanksionesh kundër Iranit, apo thjesht do të lejohet që Kina t’i bllokojë.

Rusia, tradicionalisht, e ka trajtuar Iranin si një fuqi të besueshme, megjithëse në Moskë privatisht vërehet zemërimi ndaj refuzimit të Teheranit që ta pasurojë uraniumin jashtë vendit.

Sidoqoftë, negociatorët amerikanë gjithnjë e më shumë po bisedojnë me homologët rusë, për dallim nga ditët e Xhorxh Bushit.

Por, e njëjta nuk mund të thuhet për marrëdhëniet e Rusisë me Evropën. Perëndimi i dha përgjigje të ftohtë propozimit rus për një pakt të ri euro-atlantik të sigurisë, i cili do të krijonte mekanizma të rinj për zgjidhjen e konflikteve.

Përgjigjja e Britanisë ishte se strukturat ekzistuese, si OSBE-ja, punojnë mjaft mirë, megjithëse mund të përmirësohen.

Prapa kësaj qëndrojnë dy pikëpamje fundamentalisht të kundërta. Rusia e sheh NATO-n si organizatë ushtarake, zgjerimi i së cilës drejt lindjes u ndal në vend nga përgjigja ushtarake e Rusisë në Osetinë e Jugut.

Rusia tani kërkon garanci se NATO-ja kurrë nuk do ta pranojë Gjeorgjinë, apo Ukrainën, në gjirin e saj.

Një hap modest u bë me takimin e Këshillit NATO-Rusi, por vijat e kuqe të Moskës, rreth afrimit të infrastrukturës ushtarake të aleancës pranë kufijve të saj, mbeten po aq të kuqe dhe aktive si më parë.

Tash e dimë të gjithë se nuk ka konflikt të ngrirë që do të mbetej i ngrirë. Këtë e dëshmoi Osetia e Jugut.

Prandaj, marrëdhëniet e shtrënguara të Rusisë me NATO-n dhe Evropën e zgjeruar, mbeten të ndjeshme edhe për krizat tjera rajonale që mund të shpërthejnë.

Njëra është Nagorno Karabahu, tjetra është Transnistria. Andaj, është e vështirë të thuhet se nuk ka nevojë për ndryshimin e organizatave që qeverisin sigurinë e Evropës.

Në Evropë ende ka kufij të kontestuar, një e treta e popullsisë së saj është jashtë zonës së NATO-s, ndërsa status quo-ja mund të degjenerojë shpejt.(V.P.)
XS
SM
MD
LG