Ndërlidhjet

ENEMO: Sfidat mbeten


ENEMO ka publikuar raportin preliminar për ecurinë e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në vend. Sipas raportit, njoftohet për një varg sfidash, me të cilat janë ballafaquar autoritetet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të sivjetme lokale në Kosovë dhe vihen në pah sjelljet e partive politike, të mediave, të shoqërisë civile dhe të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë.



Rrjeti Evropian i Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve, ENEMO, ka publikuar vlerësimet paraprake mbi gjetjet e vëzhguesve të këtij misioni për fushatën parazgjedhore dhe për ecurinë e procesit zgjedhor në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë.

Sipas vlerësimeve të ENEMO-s, misionarët e të cilit të dielën ishin të pranishëm në 21 komunat, ku u zhvillua balotazhi, në raundin e dytë janë vërejtur përmirësime të dukshme, krahasuar me zgjedhjet e 15 nëntorit. Mirëpo, siç thuhet në raport, vazhdojnë të mbesin disa sfida për autoritetet përgjegjëse.

Udhëheqësi i ENEMO-së, Darko Aleksov, ka shpjeguar një nga sfidat për autoritetet vendore.

“Një nga këto sfida, së cilës mund t’i referohemi, është paaftësia e autoriteteve, ndonëse ka pasur përpjekje, për të siguruar kushte të barabarta për votim për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Nëse e specifikojmë këtë në aspektin territorial, do t’i referoheshim pjesës veriore (të vendit), apo pjesës veriore të Mitrovicës”, ka thënë Aleksov.

Në raport, po ashtu, është thënë se në Shtërpcë dhe në Novobërdë, në bazë të informatave preliminare të këtij misioni, duket të ketë pasur një rritje të konsiderueshme të votuesve në këto komuna.

“Kemi parë një interesim më të madh për votime në disa komuna të minoriteteve”, ka theksuar Aleksov, duke shtuar se raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune kishte filluar derisa rezultatet për kuvende komunale ende nuk qenë certifikuar.

Për këtë, sipas udhëheqësit të ENEMO-s, më 13 dhjetor Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është përballur me sfida në përgatitjen e raundit të dytë.

Përveç aspektit të administrimit, raporti i ENEMO-s ka dhënë po ashtu një pasqyrë për sjelljen e mediave dhe të partive politike në fushatën paraelektorale dhe në ditën e zgjedhjeve.

Aleksov ka thënë se janë vërejtur shkëmbimet e akuzave ndërmjet partive politike në ditën e zgjedhjeve.

“Shumë deklarata të mashtrimit dhe manipulimit nga shumica e partive politike, shpesh të bëra pa konsideratë ndaj mekanizmave ligjorë dhe institucionalë të nevojshëm për zgjidhjen e ankesave, kanë krijuar një atmosferë të tensionuar në të cilën legjitimiteti i rezultateve zgjedhore mund të sfidohet”, është shprehur Aleksov.

Më 13 dhjetor, ENEMO kishte caktuar 106 vëzhgues për të mbikëqyrur hapjen e vendvotimeve, votimin dhe procedurat e numërimit.

Është bërë e ditur se këta vëzhgues kanë realizuar gjithsej 538 vizita në vendvotime në shumicën e 504 qendrave të votimit.

Mandati i ENEMO-s thuhet se pritet të përfundojë me përfundimin e tërë procesit zgjedhor.
XS
SM
MD
LG