Ndërlidhjet

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale, kandidatët për kryetar kanë premtuar projekte të ndryshme që ndikojnë në zhvillimin ekonomik. Tashmë, pas zgjedhjeve të kryetarëve komunal, ekspertë për çështje ekonomike thonë se këto premtime vështirë se mund të realizohen, meqë ato kanë tejkaluar shumën buxhetore të komunave.


Përmbushja e premtimeve të kryetarëve komunal për realizimin e shumë projekteve kapitale në komunat e tyre, vështirë se mund të realizohet, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Muhamet Mustafa, udhëheqës i Institutit “RIINVEST”, thotë se premtimet e kandidatëve për kryetar të komunave, për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, kanë tejkaluar shumën buxhetore të komunave, por edhe të donacioneve nga pushteti qendror.

Ndryshe, nga buxheti i vitit 2010, që arrin në 1 miliard e 460 milionë euro, 238 milionë euro janë dedikuar për të gjitha komunat e Kosovës.

“Është shumë vështirë t’i realizojnë, sepse buxhetet e shumicës së komunave nuk e kalojnë 10-milionëshin, kurse premtimet kanë shkuar në disa dhjetëra e qindra miliona”,
thotë Mustafa.

Muhamet Mustafa thekson se udhëheqësit e komunave duhet të gjejnë alternativa të tjera për realizmin e projekteve të premtuara.

“Prandaj, komunat besoj se do të detyrohen që të krijojnë një agjendë të zhvillimit të tyre lokal, e cila do t’u mundësojë një partneritet më të suksesshëm në tri rrafshe: Së pari me komunitetin e biznesit vendor dhe të jashtëm që të kenë një mundësi më të madhe për partneritet publiko-privat, do të thotë duhet të bëjnë një lloj marketingu urban”.

“Rrafshi i dytë i partneritetit do të duhej të ishte me pushtetin qendror, për realizmin e projekteve të caktuara dhe adresimin e tyre me kohë në ministri, si dhe rrafshi i tretë janë donatorët”,
shpjegon Mustafa.

Edhe Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës, pohon se premtimet nuk kanë qenë të bazuara sipas mundësive reale financiare të Kosovës.
Për këtë ai konsideron se kryetarët e rinj e kanë shumë të vështirë t’i realizojnë premtimet e tyre.

“Kanë qenë premtime, fillimisht të bazuara në Kornizën buxhetore. Ne e kemi një Kornizë Afatmesme të Shpenzimeve, që në pika të përgjithshme i definon orientimet strategjike dhe politikat e caktuara, në të cilat duhet të jetë e fokusuar Qeveria”.

“Dhe, në të njëjtën kohë jep edhe ato vlera buxhetore dhe projeksione të rritjes ekonomike për një periudhë afatmesme”,
vlerëson Rukiqi.

Megjithatë, që një pjesë e projekteve të realizohen, sipas Rukiqit, duhet që kuvendet komunale të bashkëpunojnë me sektorin privat.

“Realisht, diçka që tani e lehtëson punën në komuna, janë edhe mundësitë e reja që i ka krijuar ligji mbi partneritetet publiko-private”.

“Mirëpo, fatkeqësisht, shumë pak kandidatë e kanë pasur idenë e qartë se si mund ta shfrytëzojnë këtë ligj dhe këtë mundësi ligjore, dhe në bashkëpunim me sektorin privat, të realizojnë projekte të caktuara që do të mund të kontribuonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve nëpër komuna”,
thekson Rukiqi.

Pavarësisht këtyre, Muhamet Mustafa mendon se kryetarët e rinj të komunave, në rend të parë duhet të fillojnë punën për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e efikasitetit në qeverisjen komunale.

“Po shihet që infrastruktura është problem në të gjitha komunat. Problemi numër dy që është cekur në shumicën e studimeve, ka të bëjë me efikasitetin e qeverisjes”.

“Do të thotë administrata komunale duhet të jetë më eficiente, duhet t’i kryejë punët me kohë, duhet të ketë një sjellje dhe një trajtim të qytetarëve shumë më të mirë”.

“Mandej, qasja e tretë është arsimi, shëndetësia, sepse këto janë probleme që edhe kandidatët për kryetar i kanë pasur parasysh në paraqitjet e tyre”,
shprehet Mustafa.

Sidoqoftë, gjatë fushatës zgjedhore, përmirësimi i kushteve socio-ekonomike, duke filluar nga hapja e vendeve të reja të punës, ka qenë në krye të listës së premtimeve të kandidatëve për kryetar të komunave.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG