Ndërlidhjet

Edhe këtë vit suficit (!)


Pak ditë para mbylljes së vitit fiskal për 2009-ën, zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave thonë se nuk kanë të dhëna të sakta se sa mund të jetë suficiti buxhetor, por konfirmojnë se edhe këtë vit do të ketë tepricë të mjeteve buxhetore. Ndërsa, ekspertët vlerësojnë se mjetet financiare tepricë edhe këtë vit po mbesin të pashfrytëzuara për mungesë resursesh, me të cilat do të mund të investohej në projekte konkrete.



Suficiti buxhetor është bërë dukuri e zakonshme në buxhetin e Kosovës qysh nga viti 2000.

Në vitin paraprak Qeveria kishte trashëguar një suficit prej rreth 440 milionë eurosh, si pasojë e mungesës së planifikimit dhe shkallës së ekzekutimit të agjencive buxhetore.

Por, zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Muharrem Shahini, thotë se gjatë këtij viti, suficiti mund të jetë zvogëluar dukshëm, pasi është rritur shkalla e ekzekutimit të projekteve kapitale.

“Sa i përket mbetjes së suficitit prej vitit 2000, ne e dimë se me krijimin e institucioneve të reja nuk ka pasur kapacitete absorbuese, apo një menaxhment të kualifikuar sa i përket shfrytëzimit dhe implementimit të të gjitha projekteve”.

“Pra, shumë projekte, si nivelin komunal, ashtu edhe në atë qendror, kanë mbetur të pashfrytëzuara, e njëkohësisht janë bërë edhe tejkalime të planeve të të hyrave, sa i përket të hyrave nga administrata tatimore nga doganat dhe të gjitha këto janë bartur vit pas viti si suficite të ndryshme”,
shpjegon Shahini.

Zëdhënësi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Shahini, thotë se nuk mund të japin shifra konkretet se sa mund të ketë mbetje buxhetore për këtë vit, pasi që, siç thekson ai, pagesat mund të nënshkruhen nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, deri më datën 31 dhjetor.

“Suficitin e vitit të kaluar, shumë ekspertë e kanë interpretuar në forma të ndryshme, duke pasur parasysh edhe rezervat që i ka pasur Qeveria. Për vitin e ardhshëm, kemi rezervat që janë prej 200 milionë euro në rast rreziku nga ndonjë fatkeqësi”.

“Prandaj, shumë njerëz këto mjete të bartura nga viti në vit i trajtojnë si suficit. Këto mjete nuk janë suficit, por janë rezerva të shtetit që në raste të caktuara përdoren”,
thotë Shahini.

Arsyet kryesore për mbetjen e suficitit buxhetor, sipas ekspertit për çështje ekonomike, Naim Gashi, kanë qenë planifikimet e dobëta, mungesa e kapaciteteve absorbuese nëpër agjenci buxhetore, mandej procedurat e stërzgjatura të prokurimit dhe tenderimit.

“Ne kemi agjenci buxhetore, të cilat zotojnë shpenzimin e miliona eurove të taksapaguesve kosovarë, ndërsa nuk kanë kapacitete menaxhuese administrative për shpenzimin e këtyre mjeteve dhe në fund të vitit ne kemi suficit buxhetor”.

“Një arsye tjetër janë procedurat joadekuate të prokurimit, të cilat krijojnë hapësira të mëdha për subjektivizëm dhe për zvarritje të projekteve”,
vlerëson Gashi.

Procedurat e stërzgjatura të tenderimit, po ashtu qenë kritikuar edhe nga Komisioni Evropian. Ata patën kërkuar që këto procedura të ndryshohen, në mënyrë që të ketë racionalizim të shpenzimit të buxhetit.

Njohësit e çështjeve ekonomike vazhdimisht potencojnë se pavarësisht faktit që vendi ballafaqohet me mungesa të mëdha të investimeve kapitale e publike dhe me nevoja jashtëzakonisht të mëdha për investime në sektorë të ndryshëm shoqërorë, buxheti i Kosovës çdo herë pëson suficit.

Eksperti Gashi shprehet:

“Suficiti buxhetor në nivel qeveritar zakonisht ndodh te shpenzimet kapitale, për arsye se shpenzimet administrative, pagat, mëditjet dhe shpenzimet tjera kanë një nivel më të lartë të shpenzimeve”.

“Zakonisht, kur flasim për suficitin buxhetor, është fjala për suficitin buxhetor në shpenzime kapitale, të cilat nuk mund të realizohen nga institucionet dhe agjencitë buxhetore, për shkak të kapaciteteve të limituara administrative”.


Ndryshe, suficiti buxhetor ka qenë njëra nga pengesat kryesore kur Qeveria e Kosovës ka kërkuar fonde për rindërtimin e vendit pas statusit, në Bashkimin Evropian dhe në komunitetin e donatorëve.
XS
SM
MD
LG