Ndërlidhjet

Nis verifikimi i votave me kusht


Autoritetet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë bëjnë të ditur se ka filluar procesi i verifikimit të votave me kusht për komunën e Prizrenit, proces ky që pritet ta përcaktojë fituesin për këtë komunë.


Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar verifikimin e rreth 1600 votave me kusht, të cilat do të përcaktojnë fituesin për komunën e Prizrenit, ku kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi, dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, kanë arritur përqindje të barabartë votash, me 42 vota epërsi për PDK-në.

Përfaqësues të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve bëjnë të ditur se kjo qendër tashmë ka pranuar kutitë e votimit nga Prizreni dhe se në orët e pasdites ka filluar procesi i verifikimit të fletëvotimeve me kusht.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, thotë se për këtë proces është njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë dhe përfaqësuesit e të gjitha partive politike.

“KQZ-ja dhe partitë politike do të jenë (të pranishëm) gjatë procesit të verifikimit të të gjitha votave me kusht edhe pastaj do të dimë saktësisht se sa vota me kusht do të jenë të konfirmuara, të cilat duhet të shkojnë të numërohen”, shprehet Ahmetaj.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, del se përqindja 50 me 50 ndërmjet PDK-së dhe LDK-së për komunën e Prizrenit mund të përcaktojë fituesin vetëm pas numërimit të votave me kusht.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkuan ditë më parë, konservimin e pakove të votimit dhe që numërimi i votave me kusht të bëhet në mënyrë publike.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Blerim Buriani, bën të ditur se ende nuk është marrë ndonjë vendim definitiv se a do të jenë, apo jo, të pranishëm anëtarët e KQZ-së, gjatë procesit të numërimit të votave me kusht.

“Ende nuk ka ndonjë qëndrim të prerë, ose vendim nga KQZ-ja. Është në idenë tonë që ne të participojmë drejtpërdrejt në vëzhgim të procesit të numërimit të votave për komunat, për të cilat diskutohet që ka pasur dyshime se nuk ka shkuar procesi si duhet, apo nuk ka pasur rregullsi”, thotë Buriani.

Fituesi i garës elektorale për qytetin e dytë më të madh në Kosovë, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund të përcaktohet shumë shpejt.

Përfaqësues të KQZ-së thonë se janë një varg procedurash, të cilat duhet të kryhen deri në arritjen e rezultatit përfundimtar për komunën e Prizrenit.

Ndërkohë, zyrtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor të Prizrenit kanë deklaruar se gjatë futjes së materialit në të dhënat e votimeve në kompjuter, janë bërë disa gabime teknike dhe se fitues për Prizrenin, siç thuhet, është kandidati i LDK-së.

Mirëpo, këto deklarata, sipas Burianit, duhet të shqyrtohen nga Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Secila parti e involvuar me interes atje është ankuar dhe po i ofron fakte, prova materiale ose prova të tjera verbale KZAP-it që të mund të arrihet një pasqyrë reale dhe e vërtetë e asaj që ka ndodhur në Prizren”, thekson Buriani.

Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për balotazhin e së dielës, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në 10 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në 5, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 3 komuna.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG