Ndërlidhjet

Rasmusen: Rusia të bashkëpunojë rreth Afganistanit



Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen sot bëri thirrje për angazhim të mëtejmë të Rusisë në operacionet e aleancës në Afganistan.

Rasmusen i tha presidentit Dimitri Medvedev në Moskë se dështimi i misionit të NATO-s në Afganistan, do të rriste kërcënimin nga terrorizmi përmes Azisë Qendrore në Rusi.

Medvedev tha se Rusia është e gatshme ta forcojë bashkëpunimin me NATO-n, duke shtuar se dy palët kanë “shumë arsye për ndërveprim dhe shumë çështje për diskutim”.

Ai tha se sfidat e përbashkëta i përfshijnë terrorizmin dhe krimin, dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të gjerë.

“Marrëdhëniet NATO-Rusi kanë rëndësi të madhe. Pak kohë më parë e paraqita draftin për traktatin e sigurisë evropiane dhe e dij se ai është shqyrtuar seriozisht, përfshirë nga partnerët tanë në NATO”, tha Medvedev.

Vizita e Rasmusenit është e para e një shefi të NATO-s në Moskë pas luftës Rusi-Gjeorgji në gushtin e kaluar.

Rasmusen bisedoi edhe me ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, kurse pritet të bisedojë edhe me kryeministrin Vladimir Putin.
XS
SM
MD
LG