Ndërlidhjet

logo-print

Independent: "Flet-arresti britanik e tërboi Izraelin"


Cipi Livni, ish ministre e jashtme britanike

Cipi Livni, ish ministre e jashtme britanike


"Independent"


Izraeli ka reaguar furishëm ndaj lajmit për flet-arrestin britanik për ish-ministren e jashtme, Cipi Livni, duke tërhequr vërejtjen se lëvizja nga gjykata e Londrës i kërcënon marrëdhëniet bilaterale dhe rrezikon përfundimin e vizitave zyrtare në Britani, deri në ndryshimin e ligjit.


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, këtë e vlerësoi si “një absurditet”.

E zënë ngushtë, Zyra e Jashtme Britanike e distancoi veten nga aksioni juridik, duke thënë se “liderët izraelitë duhet të jenë në gjendje të vijnë në Britani për bisedime me qeverinë britanike”, për të mirën e raporteve ndërmjet të dy vendeve.

Por, ambasadori britanik në Jerusalem, Tom Filips, megjithatë ishte nën presion të zyrtarëve izraelitë.

Naor Gilon, zëvendësdrejtor i sektorit evropian, i tha zotit Filips se, “nëse kjo vazhdon, atëherë situata do të na detyrojë që të mendojmë a të shkojnë zyrtarët në Britani, apo jo”.

Sipas një kumtese, Uzi Arad, ndihmës i kryeministrit Netanjahu, ka kërkuar nga Qeveria britanike që të ndërmarrë aksion paraprak për “të vepruar kundër këtij fenomeni amoral”.

Kjo thirrje u bë pasi Ministria e Jashtme izraelite kishte konfirmuar se një flet-arrest i paprecedent është lëshuar nga një gjykatë londineze kundër zonjës Livni, sipas kërkesës së aktivistëve propalestinezë, mbi bazën se ajo ishte përgjegjëse për krime lufte gjatë operacionit shkatërrues izraelit në Gaza, para një viti.

Zonja Livni tha se gjykata është “abuzuar” nga paditësit. “Ky proces është kundër secilës demokraci, që e lufton terrorin”, i tha ajo BBC-së.

Ministrja tha se flet-arresti më vonë ishte tërhequr, pasi zyrtarët mësuan se zonja Livni, lidere e partisë opozitare Kadima, nuk ishte fare në Britani.

Flet-arresti kundër Cipi Livnit u bë dy muaj pasi një avokat ishte përpjekur ta ketë flet-arrestin e lëshuar kundër ministrit izraelit të mbrojtjes, Ehud Barak, derisa ai po e vizitonte Britaninë.

Në të kaluarën edhe zyrtarët e tjerë izraelitë janë ballafaquar me aksione të ngjashme.

“Me një ndryshim të vogël në legjislacion, çështja së paku do të mund të kontrollohej, nëse krejtësisht nuk mund të eliminohet”, i tha ministri izraelit i informacionit, Juli Edelshtajn, agjencisë AP.

Një kumtesë e Ministrisë së Jashtme izraelite ka tërhequr vërejtjen se Britania nuk do të mund “ta përmbushte rolin aktiv në procesin e paqes”, nëse liderët izraelitë nuk do të ishin në gjendje ta vizitonin Britaninë.

Sekretari i jashtëm britanik, Dejvid Miliband, e siguroi Izraelin se është “partner strategjik dhe mik i afërt i Mbretërisë së Bashkuar” dhe se liderët izraelitë “duhet të jenë në gjendje ta vizitojnë dhe të kenë dialog adekuat me qeverinë britanike”.

Ai theksoi se Londra, “me urgjencë po i shqyrtonte” mënyrat, me të cilat “sistemi i Mbretërisë së Bashkuar do të mund të ndryshonte, në mënyrë që të shmangej paraqitja e situatave të këtilla”. (F.B.)
XS
SM
MD
LG