Ndërlidhjet

logo-print

Ligji për sigurime shëndetësore ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe gjasat janë që një gjë e këtillë të mos ndodhë deri në vitin 2012, për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore.


Kështu, të paktën, thonë anëtarë të Komisionit Parlamentar për shëndetësi, në mesin e të cilëve është edhe Rita Hajzeraj.

“As në vitin 2010, 2011 dhe 2012 nuk parashihet një buxhet i veçantë për Ligjet për sigurime shëndetësore, si dhe Ligjin e punës, të cilat ligje janë të ndërlidhura njëra me tjetrën”,
thotë Hajzeraj.

Në anën tjetër, Arsim Çavdërbasha, zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se versioni i parë i Ligjit për sigurime shëndetësore është hartuar qysh në vitin 2004.

Mirëpo, pas shqyrtimit një kohë të gjatë nga Qeveria e Kosovës, Ligj për sigurime shëndetësore është kthyer për t’u rishqyrtuar, ngase ka pasur implikime të larta buxhetore.

Çavdërbasha shpjegon më shumë lidhur me këtë çështje:

“Grupet punuese kanë punuar gjatë këtij viti dhe e kanë ripunuar Ligjin, duke i përgatitur të gjitha elementet e nevojshme sipas kërkesave të Qeverisë dhe ai është dërguar në Qeverinë e Kosovës”.

“Pritet që Ligji të kalojë në Parlament. Është duke u proceduar dhe afat kohor përfundimtar nuk ka. Ministria e Shëndetësisë është munduar të përgatisë një ligj sa më pragmatik e të aplikueshëm, për arsye se sigurimet shëndetësore kërkojnë investime substanciale”
.

Ndërkaq, zonja Hajzeraj pohon se Ministria e Shëndetësisë, megjithatë, ka punuar në këtë drejtim.

“Unë, si deputete, mendoj se ky projektligj do të ketë pak implikime buxhetore duke pasur parasysh buxhetin e vogël që ka Ministria e Shëndetësisë, si dhe statusin e këtij projektligji dhe këtij resori që nuk është në prioritet të Qeverisë, e cila vazhdimisht ka deklaruar që për ne, prioritet është shëndetësia”,
shprehet Hajzeraj.

Eshref Osmani, shef i Repartit të Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare, thekson se moszbatimi i këtij ligji ndikon edhe në punën e tyre. Osmani shpjegon më shumë:

“Mungesa e sigurimeve shëndetësore ka bërë që niveli i mjekësisë të jetë në nivel mjaft të ulët. Kjo mungesë është rezultat edhe në punën tonë, sepse kjo ka bërë që edhe njerëzit që janë të siguruar me sigurime jashtë vendit, nuk kanë mundur të bëjnë kompensimin e punës tonë”.

“Rast konkret është një i siguruar në Zvicër, baba i një qeveritari tonë, tek i cili është kryer puna me vlerë rreth 100 mijë franga dhe mungesa e këtij ligji ka bërë që të mos i paguhen as klinikës, as ekipeve dhe ato mjete kanë humbur pa ardhur në Kosovë fare. Ne kemi kryer edhe shumë punë edhe të të siguruarve të tjerë, por mungesa e këtij ligji ka bërë që ne të jemi në këtë situatë çfarë jemi”.


Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, mungesën e sigurimeve shëndetësore e konsideron si një gjë të pakuptimtë.

Sipas tij, sigurimet shëndetësore në Kosovë janë shumë të nevojshme, derisa shteti i Kosovës nuk ka dashur të marrë obligim, për shkak të kufizimeve buxhetore.

Sipas tij, një herë për një herë, as që ka gjasa që ky ligj të krijojë kushte për sistemin e sigurimeve shëndetësore.

“Ne, si këshill, kemi reaguar kundër gjendjes, meqë pjesa dërmuese, 99 për qind, nuk kanë sigurime shëndetësore Është e papranueshme që disa kategori të shoqërisë, si policia, nuk kanë sigurim shëndetësor. Kosova është në një pozitë siç është dhe nuk ka mekanizma që ky ligj të miratohet më shpejt dhe ky ligj të bëhet obligim i shtetit ndaj qytetarëve të vet”, sqaron Shala.

Ligji për sigurime shëndetësore parashikon sigurimin bazik shëndetësor për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës.

Ligji mbështetet në kontributet që parashihet të mblidhen nga të ardhurat personale, derisa të papunët do të futen në njërën nga kategoritë e veçanta, për të cilat do të përgjigjet sektori përkatës qeveritar.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG