Ndërlidhjet

Lufta kundër ekonomisë joformale


Jarinë
Jarinë

Në vitet e ardhshme, në veçanti në vitin 2010, të gjitha institucionet e Kosovës do të jenë në krye të detyrës për luftimin e të gjitha formave të ekonomisë joformale dhe formave tjera të mosrespektimit të ligjit. Kështu u zotuan përfaqësues të institucioneve qendrore në Kosovë, të cilët theksuan se luftimi i kësaj dukurie mbetet sfidë për mekanizmat e vendit.



Institucionet qendrore të Kosovës janë në fazën përgatitore për hartimin e një plani të veprimit për luftimin e ekonomisë joformale në Kosovë, e cila, siç thuhet, kohëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese për vendin.

Gjatë një takimi të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, në të cilin u diskutua kjo çështje, u tha se në fillim të vitit 2010 të gjitha institucionet e Kosovës do ta kenë prioritet luftimin e të gjitha formave të ekonomisë joformale, ekonomisë së zezë dhe formave të tjera të krimit financiar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua se me këtë gjë do të merret ekzekutivi kosovar, duke theksuar nevojën për veprime konkrete.

“Është imperativë që kjo problematikë të adresohet shpejt, në mënyrë shumë profesionale, për zgjidhje në kuadër të dinamikës së punës sonë të përbashkë; do ta kemi si fushë të rëndësishme prioritare”, tha kryeministri Thaçi.

Që nga fillimi i vitit të ardhshëm, sipas tij, do të fillojë hartimi i planit të veprimit 2010 – 2012.

Kryeministri i vendit kërkoi nga grupi i përhershëm punues për parandalimin e ekonomisë joformale në Kosovë, që të përgatisë vlerësime të rregullta mbi gjendjen sa i përket shtrirjes dhe ndikimit të kësaj dukurie.

Një nga vlerësimet që doli nga takimi i grupit punues për luftimin e ekonomisë joformale, është se kjo dukuri ende ka ndikim negativ në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në menaxhimin e reformave ekonomike dhe strukturore.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, theksoi se institucionet e rëndësishme, siç është Administrata Tatimore, Policia e Kosovës, Doganat, Prokuroria dhe Gjyqësori, në përgjithësi, i kanë identifikuar të gjitha masat e duhura për të vepruar fuqishëm në ditët dhe javët e ardhshme kundrejt këtij fenomeni.

“Nëse të gjitha institucionet e Kosovës veprojnë konform planeve të shkruara, jam shumë i sigurt se viti i ardhshëm dhe ato në vijim do të jenë vitet e luftës së pakompromis ndaj kësaj dukurie, dhe rezultatet kanë filluar të jenë evidente”, theksoi Shala.

Ministri Shala potencoi se çështja e doganave në veri të Kosovës do të mbetet sfidë për Kosovën. Megjithatë, ai theksoi se që nga vendosja e EULEX-it në pikat kufitare 1 dhe 31, ekonomia informale ka rënë në 85 për qind.

“Konsideroj se viti 2010 do të jetë vit i përmbylljes përfundimtare të problemit me pjesën veriore të doganave”.

“Kemi zotime të fuqishme të mekanizmave ndërkombëtarë që të ndihmojnë Kosovën për të qenë vend me integritet dhe sovranitet të plotë territorial dhe institucional, dhe besoj që me kujdesin dhe urtësinë më të madhe, tani janë arritur rezultatet”, tha Shala.

Ndryshe, deri më tash nuk ka hulumtime relevante lidhur me këtë fenomen, mirëpo ka trajtime, të cilat vlerësojnë se pjesëmarrja e ekonomisë joligjore në ekonominë e Kosovës, sillet mbi 40 për qind.
XS
SM
MD
LG