Ndërlidhjet

Rreziku nga rritja e varfërisë


Kriza globale financiare do ta rrisë në mbi 10 milionë numrin e të varfërve në Evropë dhe në Azinë Qendrore, thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore. Ekspertë kosovarë për çështje ekonomike thonë se Kosova nuk mund të jetë imune përballë kësaj krize.








Kosova nuk mund të jetë imune karshi çfarëdolloj krize evropiane. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, duke komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore, ku thuhet se kriza globale financiare do ta rrisë edhe në mbi 10 milionë numrin e të varfërve në Evropë dhe në Azinë qendrore, ndërkaq 23 milionë të tjerë do t’i afrohen kufirit të varfërisë.

Alban Zogaj, nga Instituti “RIINVEST”, thotë se në Kosovë do të ketë tronditje në stabilitetin ekonomik, për shkak të rënies së dërgesave të parave nga emigrantët, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të tyre.

“Konsiderohet se një pjesë e madhe e popullatës së Kosovës pranon remitanca nga diaspora dhe ulja e tyre do të ndikojë direkt në uljen e konsumit të këtyre familjeve, sepse rreth 90 për qind e remitancave shkojnë në konsum të këtyre familjeve”.

“Çdo ulje në nivelin e remitancave, do të ndikojë në uljen e konsumit, e normalisht edhe në rritjen e varfërisë. Kështu, ky vlerësim nga ana e Bankës Botërore qëndron dhe më të vërtetë është brengosës”,
thekson Zogaj.

Ndryshe, sipas Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, deri në gjysmën e parë të këtij viti, remitancat kanë rënë deri në 8 për qind.

Edhe në raportin e Bankës Botërore thuhet se vendet më të goditura do të jenë ato shtete, të cilat nuk pranojnë shuma të mëdha të parave nga emigrantët.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se kur merret parasysh fakti se deri 20 për qind e të hyrave materiale në Kosovë, kanë qenë nga diaspora, rënia e tyre tregon edhe ngritjen e nivelit të varfërisë.

Ai thekson se tashmë një numër i madh i kosovarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës, i kanë humbur vendet e tyre të punës, për shkak të krizës globale financiare.

“Për shkak të numrit të kosovarëve që janë të punësuar atje dhe mundësisë së tyre, kemi indikacionet e para që tashmë po vërehen në Kosovë, humbjes së vendeve të punës të emigrantëve kosovarë”.

“Por, është edhe një fakt tjetër, siç është Feronikeli, është shumë ngushtë i lidhur edhe me trendet, bursat botërore, qoftë ku është fjala për çmimet, qoftë për problemet në plasimin e mallrave”,
shpjegon Rexhepi.

Ndërkaq, Alban Zogaj thotë se në shumicën e rasteve, ato që do të ballafaqohen më tepër me këtë problem, janë familjet në viset rurale.

“Po, kjo është shumë e vërtetë se, në qoftë se bien remitancat, kurse një pjesë e madhe e familjeve jetojnë nga to, atëherë do të rritet niveli i varfërisë. Banka Botërore, tashmë është duke përgatitur raportin e fundit lidhur me remitancat dhe rrjedhën e tyre të shpenzimeve në Kosovë”.

"Është shumë interesant fakti, që sidomos familjet rurale janë të prira të jetojnë me remitanca dhe kjo do të mund të bënte që një numër i madh i këtyre familjeve, të futej në një krizë shumë të thellë të varfërisë”,
shprehet Zogaj.

Por, se si duhet të menaxhohet kjo situatë nga autoritetet kompetente, Ibrahim Rexhepi shpjegon më shumë.

“Duhet të ketë menaxhim shumë më efikas, investimet të kryhen shumë më shpejt dhe të ketë kujdes se ku do të investohet çdo cent. Qeveria duhet të jetë shumë më e përgjegjshme në shfrytëzimin e parasë, ta ulë korrupsionin, ta ulë informalitetin dhe t’i ulë kanalet prej nga i ikin paratë
”, vlerëson Rexhepi.

Sipas statistikave të Bankës Botërore, mbi 45 për qind e kosovarëve thuhet se jetojnë në varfëri, 15 për qind prej tyre në varfëri të skajshme, ndërkaq 18 për qind e qytetarëve të tjerë janë të rrezikuar nga varfëria.
XS
SM
MD
LG