Ndërlidhjet

“Mjegulla” mbi pagat e deputetëve


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës kritikon ata që reaguan ndaj rritjes së pagave të deputetëve, ndonëse nuk saktëson nivelin e rritjes, por flet për rikonfigurim. Ndërsa, KDI-ja, që monitoron punën e Kuvendit, thotë se fjala është për një rritje prej 50 për qind


Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës është përpjekur të demantojë lajmin për rritjen e pagave për 50 për qind për deputetët.

Por, deputeti Haki Shatri, që ka folur në emër të këtij Komisioni, ka pranuar se është bërë rikonfigurimi i pagave, që, sipas tij, nënkupton edhe rritje, edhe zbritje të pagave.

Shatri nuk ka saktësuar se sa për qind do të rriten pagat, por ka kritikuar ata që kanë ngritur zërin kundër rritjes së pagave të deputetëve.

“Kam vërejtur një disponim në opinion që në njëfarë forme vë në pikëpyetje integritetin, edhe moral, edhe material, të deputetëve nga shpjegimi i njëanshëm, ose marrja e tërthortë e të dhënave, të cilat fatkeqësisht nuk janë reale”, ka thënë Shatri.

Por, Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit në tërësi, thotë se Kryesia e Kuvendit ka miratuar rekomandimin që pagat e deputetëve të rriten për 50 për qind.

Driton Selmanaj nxjerr thekse nga vendimi që, sipas tij, është i nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Rikonfigurim - nuk nënkupton tjetër, pos rritje pagash. Ne, e kemi siguruar vendimin, të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, ku shkruhet se deputeti pagën bazë e ka pasur mbi 1050 euro, ndërsa tash parashihet ta ketë 1488 euro”.

“Domethënë, rritje prej 50 për qind të rrogës bazë që e kanë pasur. Duke shtuar këtu edhe mëditjet, që kapin shifrën 400 euro në muaj dhe shpenzimet e rrugës, atëherë pagat mesatare për një deputet do të jenë rreth 2 mijë euro në muaj”,
ka thënë Selmanaj.

Në anën tjetër, Haki Shatri ka theksuar se fondi që shkon për pagat dhe mëditjet e deputetëve në vitin 2010 do të jetë 10 për qind më i ulët sesa në vitin 2009.

“Fondi për Kuvendin e Kosovës, pjesa për paga dhe mëditje, për deputetët është 10 për qind më e vogël sesa në vitin 2009. Dokumenti (projektligji për buxhet), e ka kaluar leximin e parë dhe është në diskutim, në amendamentim në Komisionin për Buxhet dhe, sigurisht, para Vitit të Ri do të miratohet”, ka shpjeguar Shatri.

Nëse ky fond pëson ulje prej 10 për qind, si do të sigurohet rritja e pagave? Driton Selmanaj, nga KDI-ja, ka sqaruar se rritja e pagave është paraparë të bëhet nga një suficit buxhetor i Kuvendit.

“Kuvendit të Kosovës i kanë tepruar disa mjete dhe ato mjete tash provojnë t’i shpërndajnë në këtë formë dhe këto të ardhura të rritura do t’i marrin nga janari”, është shprehur Selmanaj,

Deputeti Haki Shatri ka hedhur poshtë deklarimet e KDI-së për rritje prej 50 për qind të pagave. Megjithatë, Shatri ka pranuar se do të ketë rritje, por nuk e ka saktësuar sa do të jetë ajo.

“Me propozimin e ri, ne kemi propozuar koeficient, por nuk mund t’ju them shifrën, sepse nuk e kam shifrën. Ndonjë kategori do të ketë rritje, e ndonjë do të ketë zbritje dhe ka zbritje”.

“Kjo është ajo që ne kemi rekomanduar, që në total mund të ketë ndonjë ndryshim në shifra, por jo ashtu siç është proklamuar“, ka thënë Shatri.

Deputetët e Kuvendit patën kërkuar rritje pagash edhe vitin e kaluar, kërkesë kjo e hedhur poshtë nga Qeveria e Kosovës.

Por, kësaj here Qeveria ia ka lënë në duar Kuvendit të vendosë vetë për pagat. Këtë e ka shpjeguar zëdhënësi Memli Krasniqi.

“Realisht, nuk është çështje e Qeverisë. Kuvendi i Kosovës e ka një buxhet dhe ata kanë përgjegjësi për ta bërë organizimin e shpërndarjes së tyre, qoftë edhe përmes nivelizimit dhe kategorizimit të pagave. Është një çështje, që projektligji përgatitet nga Qeveria, Kuvendi është ai që ia jep vulën dhe është vendim autonom për këtë”.

“Sa i përket rritjes së pagave, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përgjegjësi të vendosë dhe fjala e fundit i mbetet Kuvendit”, ka deklaruar zëdhënësi Memli Krasniqi, duke shtuar se nuk ka pasur kërkesë për buxhet shtesë nga Kuvendi.

Ndryshe, kundër rritjes së pagave të deputetëve ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Ndërsa, Driton Selmanaj nga KDI-ja, ka potencuar se rritja e pagave nuk përkon me gjendjen socio-ekonomike të Kosovës.

“Rroga mesatare është 200-300 euro. Marrë parasysh këtë nivel, nivelin e lartë të papunësisë dhe shkallën e vogël të zhvillimit ekonomik, atëherë deputetët e Kuvendit të Kosovës marrin dhjetëfishin e një rroge mesatare”, ka theksuar Selmanaj.

Edhe disa subjekte politike opozitare, si dhe sindikalistët e Shëndetësisë, kanë reaguar ndaj vendimit për rritjen e pagave të deputetëve.
XS
SM
MD
LG