Ndërlidhjet

Kopenhagë: Rriten shpresat për një pakt mbi klimën



Udhëheqësit botërorë dhe zyrtarët e lartë nga 192 shtete raportohet se i kanë afruar qëndrimet rreth një marrëveshje të mundshme për ndryshimet klimatike, gjatë bisedimeve që janë zhvilluar edhe natën.

Zyrtarët thonë se propozim teksti i deklaratës do të diskutohet nga burrështetasit botërorë gjatë ditës së sotme, e cila është dhe e dita e fundit e takimit dy javor për klimën.

Udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga 25 shtete, përfshi Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Indinë, vendet evropiane dhe ato afrikane, kanë pasur bisedime produktive gjatë natës që lamë pas. Vendet synojnë të arrijnë marrëveshje lidhur me sasinë e dioksidit të karbonit të lëshuar në atmosferë që duhet reduktuar, për të penguar ngrohjen e mëtejshme globale.

Njëherësh marrëveshja parasheh ndihma financiare për vendet e varfëra që të mund të përballojnë përpjekjet për zvogëlimin e gazrave të lëshuara në atmosferë.

Gjatë ditës së djeshme, Sekretaraja amerikane e Shteitt, Hillari Klinton, tha se SHBA-të janë të përgatitura të ndihmojnë në ngritjen e një fondi, që deri në vitin 2020, do të arrijë një vlerë prej 100 miliardë dollarë në vit. Ky fond do t’i kushtohet vendeve në zhvillim për të luftuar ndryshimet klimatike. Klinton kërkoi nga shtetet që të ishin të hapuara ndaj kontrollit për përmbushjen e zotimeve lidhur me reduktimin e dioksidit të karbonit të lëshuar në ajër. Kina premtoi se ishte e gatshme për transparencë.

Gjatë ditës së sotme në Kopenhagë do të jetë dhe presidenti amerikan Barak Obama. Obama do të takohet me kryeministrin kinez Ven Xhiabao.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë ndotësit më të mëdhenj të atmosferës me dioksid karboni, çfarë dhe fajësohet si shkaktar i ngrohjes globale.
XS
SM
MD
LG