Ndërlidhjet

logo-print

Kopenhagë: Shpresa për marrëveshje

  • RFE /RL

Kopenhagë

Kopenhagë

Presidenti amerikan Barak Obama po zhvillon biseidme me dyer të mbyllura me udhëheqësit botërorë që po marrin pjesë në ditën finale të samitit për klimën.

Gjatë natës së shkuar raportohet se udhëheqësit botërorë dhe zyrtarët e lartë nga 192 shtete i kanë afruar qëndrimet rreth një marrëveshjeje të mundshme për ndryshimet klimatike.

Zyrtarët thonë se propozim-teksti i deklaratës do të diskutohet nga burrështetasit botërorë gjatë ditës së sotme, e cila është dhe dita e fundit e takimit dyjavor për klimën.

Udhëheqës dhe zyrtarë të lartë nga 25 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kinën, Rusinë, Indinë, vendet evropiane dhe ato afrikane, kanë pasur bisedime produktive gjatë natës që lamë pas.

Vendet synojnë të arrijnë marrëveshje lidhur me sasinë e dyoksidit të karbonit të lëshuar në atmosferë, që duhet reduktuar, për të penguar ngrohjen e mëtejshme globale.

Njëherësh, marrëveshja parasheh ndihma financiare për vendet e varfra, që të mund të përballojnë përpjekjet për zvogëlimin e gazrave të lëshuara në atmosferë.

Gjatë ditës së djeshme, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se SHBA-të janë të përgatitura të ndihmojnë në ngritjen e një fondi, që deri në vitin 2020 do të arrijë një vlerë prej 100 miliardë dollarësh në vit. Ky fond do t’u kushtohet vendeve në zhvillim për të luftuar ndryshimet klimatike.

Klinton kërkoi nga shtetet që të ishin të hapura ndaj kontrollit për përmbushjen e zotimeve lidhur me reduktimin e dyoksidit të karbonit të lëshuar në ajër. Kina premtoi se ishte e gatshme për transparencë.

Obama do të takohet me kryeministrin kinez, Ven Xhiabao.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë ndotësit më të mëdhenj të atmosferës me dyoksid karboni, çfarë dhe fajësohet si shkaktar i ngrohjes globale.
XS
SM
MD
LG