Ndërlidhjet

logo-print

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e shohin në mënyra të ndryshme mundësinë e rritjes së pagave të tyre. Përderisa një pjesë e vlerëson si shumë të dobishme, të tjerët nuk e shohin si të përshtatshme në këtë kohë.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi nga Partia Demokratike e Kosovës, Bahri Hyseni, duke mos e konsideruar si “bazë të mirë” pagën e deritashme, thotë se rritja e saj do të ishte shumë e rëndësishme për punën e një deputeti.

“Deputetët, deri më tash, nuk kanë pasur edhe ndonjë pagë bazë. Deri para uljes së TVSH-së ka qenë 800 euro dhe nuk është pagë me të cilën deputeti përmbyll komplet muajin, sepse ne kemi obligime, dalim shumë me njerëzit, me votuesit...”.

“Në shumë raste, duhet të angazhohemi edhe me vetura private, nëpër shumë takime që na ftojnë. Nuk kemi ndonjë mbulesë nga Kuvendi i Kosovës”,
thotë Hyseni, duke u shprehur skeptik në mundësinë e realizimit të këtij rekomandimi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin kërkuar rritje pagash edhe vitin e kaluar, kërkesë kjo që ishte hedhur poshtë nga Qeveria e Kosovës. Por, kësaj here, ekzekutivi i vendit ia ka lënë në duar vetë Kuvendit që të vendosë për pagat.

Deputeti Eqrem Kryeziu, anëtar i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se pagat e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të krahasueshme me ato të homologëve të tyre në rajon.

“Në vitin që vjen, unë do të isha për njëfarëlloj komperacioni me vendet e rajonit. Nëse del që mesatarja e deputetit në rajon është më e lartë sesa kjo që e marrin deputetët (këtu), atëherë unë nuk e di pse të jenë deputetët e Kosovës të persekutuar në njëfarë forme”.

“Nuk duhet pasur komplekse aty. Nëse mesatarja është më e madhe, atëherë unë jam për atë që edhe deputetët tanë t’i afrohen asaj mesatareje të rajonit
”, shprehet Kryeziu.

Krahas pagës së mirë, Kryeziu thotë se deputetët duhet të kenë edhe kushte të mira pune. Sipas tij, varfëria në vend mund të ulet me politika efikase, e jo me paga të ulëta.

“Këtu nuk dihet kush i kontribuon varfërisë më shumë. A të jenë të gjithë të varfër apo të ketë dikush kushte për punë që të krijojë perspektiva për të dalë nga varfëria? Kjo është dilema”.

“Të gjithë të barabartë dhe të gjithë të varfër - këtë logjikë nuk do ta pranoja”,
thotë Kryeziu.

Janë deputetët nga radhët e opozitës ata që i shohin ndryshe deklaratat për rritjen e pagave të tyre. Donika Kadaj Bujupi, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ato deklarata i konsideron politikë të qeverisë, për ta larguar, siç thotë ajo, vëmendjen e opinionit nga problemet e mëdha, me të cilat po përballet vendi.

Deputetët meritojnë një trajtim më të mirë në kuptimin e kushteve të punës, në kuptimin e zyrave dhe mundësive më të mira për të punuar”.

“Sa u takon pagave, unë konsideroj që kjo është më tepër një tendencë për të tërhequr vëmendjen prej problemeve të shumta që sot janë në qeveri dhe për t’u hedhur te një ngjarje e tillë siç është rritja e rrogave, në një moment kur qytetaret e Kosovës po ballafaqohen me varfri të skajshme, në një moment kur kjo qeveri, sidomos në vitin 2009, ka dështuar komplet
”, thotë Kadaj Bujupi.

Nivelizimi i pagave duhet të bëhet në të gjitha institucionet publike, thotë, në anën tjetër, deputeti i pavarur, Driton Tali. Sipas tij, nuk duhet të ketë rritje të pagave vetëm për deputetët.

“Unë nuk mendoj që duhet të rriten pagat e deputetëve, por, përkundrazi, duhet të nivelizohen. Unë nuk e di se çka bëjnë anëtaret e kryesisë për të pasur 2,000 euro një pagë”.

“Pastaj hapet edhe një çështje, që nivelizimi i pagave nuk është bërë siç duhet, gjithmonë duke pasur parasysh ndërmarrjet publike. Megjithatë, mendoj se kërkesa nuk është e qëlluar dhe nuk e di nga ka ardhur”,
shprehet Tali.

Kundër rritjes së pagave të deputetëve ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, si dhe disa subjekte politike opozitare dhe sindikalistët e shëndetësisë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG