Ndërlidhjet

logo-print

"Muri i Shengenit” për Kosovën


Monumenti i Traktatit të Shengenit

Monumenti i Traktatit të Shengenit

Ndërsa në mesnatën ndërmjet së premtes dhe së shtunës, tri shteteve fqinje të Kosovës, Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, u hiqet regjimi i vizave, Kosova mbetet në mesin e vendeve më të izoluara në botë. Përfaqësues të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian e të Qeverisë së Kosovës kanë diskutuar mënyrat për liberalizim vizash edhe me Kosovën.



I ashtuquajturi Mur i Shengenit duket se nuk do të rrëzohet edhe për një kohë për Kosovën. Që nga mesnata ndërmjet së premtes dhe së shtunës, qytetarët e Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, por Kosova, Shqipëria e Bosnja mbesin jashtë këtij procesi.

Përderisa Shqipëria e Bosnja presin heqjen e regjimit të vizave në vitin e ardhshëm, shpresat për Kosovën janë më të zbehta.

Raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, tha se do të ishte mirë që të gjitha vendeve të Ballkanit t’u hiqeshin vizat në të njëjtën kohë.

Personalisht do të dëshiroja që të kishim një pako të përbashkët për të gjitha shtetet e Ballkanit së bashku dhe jo t’i kemi tri tash, dy më vonë dhe Kosovën edhe më vonë. Mendoj se politikisht do të ishte më mirë. Por, mendoj se disa standarde teknike duhet të përmbushen”.

“Megjithatë, argumenti im për ata që hezitojnë, është se krimi i organizuar gjithnjë gjen rrugën e vet, edhe pa liberalizim vizash. Nëse doni ta luftoni atë, luftojeni me rrugë të tjera
”, tha Lunacek në një konferencë për liberalizimin e vizave, të mbajtur në Prishtinë.
Frikësohem se nëse pesë shtetet tjera të BE-së nuk e pranojnë pavarësinë, atëherë do të kemi problem politik...

Ndërsa ky proces është quajtur vazhdimisht teknik, Lunacek pranoi se politika ka ndikim mjaft të madh.

“Edhe nëse Kosova arrin të gjitha standardet e kriteret, frikësohem se nëse pesë shtetet tjera të BE-së nuk e pranojnë pavarësinë, atëherë do të kemi problem politik”, tha Lunacek.

Edhe pse, fillimisht, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, tha se është gabim që të cilësohet ky proces politik, në fund të konferencës pranoi se proceset politike mund ta vonojnë Kosovën në rrugën drejt integrimit dhe liberalizimit të vizave.

Nuk dua ta fsheh se çështja e statusit nuk ka rëndësi - janë disa procese dhe mekanizma vendimmarrës që aplikohen në institucionet evropiane, ku vendimet merren në mënyrë unanime, që nënkupton se nëse nuk keni përkrahjen e plotë të të gjitha 27 vendeve anëtare, nuk mund të lëvizni përpara”, tha Renzo Davidi.

Ai, megjithatë, kërkoi nga autoritetet kosovare që të punojnë në përmbushjen e kritereve, pasi, siç tha, shpejtësia me të cilën lëvizin autoritetet, është në një formë përcaktuese se kur do të hiqen vizat.

Marr guximin të them se ky proces nuk do të përmbyllet shumë shpejt. Por, sërish mendoj se nëse ka vullnet politik dhe vendosmëri, është një proces që mund të menaxhohet brenda një periudhe të arsyeshme kohore”, tha Davidi.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, tha se, edhe pse jo e përfshirë në dialogun për viza direkt me Komisionin Evropian, Kosova ka përpiluar udhërrëfyesin e vet, në mënyrë që njëanshëm t’i përmbushë kriteret e caktuara.

Nuk kemi ndenjur duarkryq. Kemi marrë modele të vendeve fqinje, e kemi adaptuar një udhërrëfyes dhe ia kemi caktuar vetes detyrat tona. E kemi aprovuar në qeveri një dokument të tillë”, tha Pajaziti, duke përsëritur se një nga kriteret që duhet për liberalizim vizash - pasaportat biometrike - do plotësohet vitin e ardhshëm.
Në verën e ardhshme, kjo ndjenjë e izolimit mbase do të përkeqësohet në Kosovë, kur të tjerat vende mund të udhëtojnë lirshëm, ndërsa vetëm Kosova lihet anash.

Një situatë më pesimiste u dha nga organizatori i konferencës, Iniciativa Evropiane për Stabilitet. Verena Knaus, nga kjo organizatë, tha se Kosova sot është vendi më i izoluar në botë, me mundësi udhëtimi pa viza në vetëm 5 vende.

“Kjo do të përkeqësohet në vitin e ardhshëm, kur Bosnja dhe Shqipëria do t’i bashkohen grupit me fat që udhëton pa viza. Dhe, në verën e ardhshme, kjo ndjenjë e izolimit mbase do të përkeqësohet në Kosovë, kur të tjerat vende mund të udhëtojnë lirshëm, ndërsa vetëm Kosova lihet anash”, tha Knaus.

Ndryshe, raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian tha se detyra kryesore e këtij parlamenti do të jetë që të shtyjë përpara Komisionin Evropian që të fillojë menjëherë dialogun për vizat me Kosovën, rekomandim ky i dalë nga një rezolutë e PE-së e kohëve të fundit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG