Ndërlidhjet

logo-print

Formimi i komunave të reja dhe decentralizimi kanë marrë kuptim më përmbajtjesor pas daljes së serbëve në zgjedhjet lokale, kanë thënë zyrtarët kosovarë, gjatë një debati që është mbajtur në qendrën mediale në Çagllavicë.

- - -

Dalja e serbëve në zgjedhje, duke përjashtuar veriun, ka ndihmuar konsolidimin e komunave të reja dhe fillimin e procesit të decentralizimit, është vlerësuar në një debat të organizuar në qendrën mediale në Çagllavicë.

Aty kanë marrë pjesë ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, si edhe kryetarët e zgjedhur serbë në komunat e reja, tashmë të formuara.

Ministri Ferati u shpreh i inkurajuar me faktin se shumë serbë nuk i përfillën thirrjet e Beogradit për bojkot të zgjedhjeve.

Ndërkaq, ai nuk dha ndonjë vlerësim të prerë nëse Qeveria e Kosovës po e fiton betejën për decentralizimin dhe përfshirjen e serbëve, pavarësisht kundërshtimeve që vijnë nga Beogradi.

Mendoj se kanë fituar qytetarët e këtyre lokaliteteve, sepse tash do ta kenë komunën e tyre, do të menaxhojnë me të gjitha ato kompetenca, do të shndërrohen në njësi - komuna efikase, do të menaxhojnë me buxhetin që e kanë dhe, për një kohë të shkurtër, do të shihet se do të ndikohet drejtpërdrejt në kualitetin e jetës së qytetarëve. Prandaj, këtu fitues është qytetari”, tha Ferati.

Ministri Ferati tha se aktualisht po zhvillohen konsultime edhe me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje edhe për komunat në veri, ku nuk kishte dalje të serbëve në zgjedhje.

Ai tha se vendimi për komunat veriore nuk është aq i lehtë, por, sidoqoftë, do të ketë një vendim dhe ai do të jetë konform ligjit.

“Nuk është ministria dhe nuk jam unë i vetmi faktor i përfshirë në të gjitha këto konsultime. Unë po besoj se shumë shpejt, mbase brenda javës së ardhshme, do ta kemi një qëndrim, me të cilin do të informohet edhe opinioni. Vërtet është një situatë jo e lehtë, është shumë komplekse”, tha Ferati.

Në debatin e sotëm morën pjesë edhe kryetarët serbë të komunave të reja, Ranillug dhe Kllokot. Ata thanë se do të punojnë me ligjet e Kosovës, ndërsa u zotuan se do të realizojnë një varg projektesh, përmes të cilave do të përmirësohen kushtet e jetesës për banorët e komunave të tyre.

Sasha Mirkoviq, kryetar i Komunës së Kllokotit, tha se me ndihmën e Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, mund të realizohen shumë projekte për këtë komunë.

“Shpresoj se me këtë proces decentralizimi do të ketë ndryshime në komunën e Kllokotit dhe se unë, bashkë me ekipin tim, do të punojmë me përgjegjësi të plotë për një zhvillim ekonomik, uljen e papunësisë, infrastrukturën rrugore, si: kanalizimin, ujësjellësin e të tjera”,
tha Mirkoviq.

Ndërkaq, Gradimir Mikiq, kryetar i Komunës së Ranillugut, tha se i kishte dëgjuar premtimet e Beogradit që 10 vjet, por në terren nuk kishte parë ndryshime.

Për këtë arsye, ai tha se kishte dalë në zgjedhje dhe tash garanton një zhvillim dhe përmirësim të kushteve të jetesës për të gjithë banorët e kësaj komune të re.

“Mund t’ju garantoj se do të ketë përmirësime në çdo fushë të jetës në Komunën e Ranillugut
”, tha Mikiq.

Formimi i komunave të reja me shumicë serbe konsiderohet se ka ndihmuar daljen e këtij komuniteti në zgjedhje. Kurse, sfidë tash mbetet konsolidimi i pushtetit në veri dhe krijimi i komunës veriore të Mitrovicës, për shkak të bojkotit dhe mosbashkëpunimit të serbëve me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG