Ndërlidhjet

Kopenhagë: Dokumenti final e ka parasysh marrëveshjen


Kopenhagë, 18 dhjetor 2009.
Kopenhagë, 18 dhjetor 2009.

Konferenca e Kombeve të Bashkuara në Kopenhagë formalisht e ka njohur paktin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara për ndryshime klimatike, që është kritikuar ashpër nga vendet në zhvillim.



Vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara formalisht e kanë njohur paktin për luftimin e nxehjes globale në konferencën ndërkombëtare në Kopenhagë, pak orë pasi disa vende në zhvillim, me zemërim e kanë refuzuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Barak Obama, dhe liderët e disa vendeve të tjera të zhvilluara.

“Konferenca e palëve e ka parasysh Marrëveshjen e Kopenhagës”, thuhet në vendimin final të 193 shteteve, që, megjithatë, nuk e kanë mbështetur marrëveshjen.

Një numër i shteteve kanë folur kundër marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Në vendim do të jepet lista e vendeve që ishin në favor të marrëveshjes dhe ato që ishin kundër saj.

Marrëveshja e mbështet thirrjen e shkencëtarëve për kufizimin e nxehjes globale në 2 gradë celsius.

Por, në të nuk ka caqe të përmirësuara për emisionin e gazrave nga vendet e pasura dhe juridikisht nuk është e obligueshme.

Që marrëveshja të shndërrohet në Pakt të Kombeve të Bashkuara, ajo duhet të miratohet unanimisht nga konferenca e 193 vendeve të Kombeve të Bashkuara.

Anëtari i delegacionit të organizatës joqeveritare të Shteteve të Bashkuara, Unioni i Shkencëtarëve të Shqetësuar, Alden Mejer, tha se, megjithatë, marrëveshja “jep status juridik të mjaftueshëm për të qenë operacionale, por pa nevojën e miratimit nga palët”.

Negociatat për ndryshimet klimatike në konferencën ndërkombëtare në Kopenhagë, që sponsorizohet nga Kombet e Bashkuara, e kishin arritur një pikë të krizës, pasi disa vende në zhvillim, me hidhërim e refuzuan planin e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Barak Obama, dhe liderët e vendeve të tjera të zhvilluara ekonomikisht.

Disa vende, përfshirë Bolivinë, Venezuelën dhe Sudanin, thanë se marrëveshja për ta luftuar nxehjen globale ishte shumë e butë dhe se ajo, në mënyrë jokorrekte, ishte përgatitur nga fuqitë kryesore.

Ambasadori sudanez, në Kombet e Bashkuara, Lumumba Di-Aping, e përshkroi marrëveshjen si “zhvillimi më i keq në negociatat për ndryshimet klimatike në histori”.

Këto komente u bënë pasi Barak Obama, duke folur në konferencë, tha se “ishte arritur një “kthesë kuptimplote dhe e paprecedente” gjatë negociatave ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kinës, Indisë, Afrikës Jugore dhe Brazilit.

Megjithatë, marrëveshja nuk është juridikisht e obligueshme dhe pritet që, gjatë vitit të ardhshëm, të ketë negociata të mëtejshme për nxehjen globale.

Obama vlerësoi se marrëveshja është e rëndësishme, por pranoi se “duhet të punohet më tutje” për kompletimin e paktit global.

Ky progres nuk është bërë lehtë dhe ne e dimë se ky progres, si i vetëm, nuk është i mjaftueshëm. Për të lëvizur përpara, ne duhet ta shfrytëzojmë momentin e arritur këtu në Kopenhagë, për të siguruar një aksion ndërkombëtar për reduktimin e rëndësishëm të emisionit të gazrave”.

“Ne e kaluam një rrugë të gjatë, por ne duhet të shkojmë edhe më tutje”,
tha presidenti Barak Obama.

Presidenti i organizatës Miqtë e Tokës, Erih Pika, tha se marrëveshja është “maskim për administratën Obama”.

“Kjo nuk do ta shpëtojë planetin. Është një marrëveshje me caqe joobliguese, me financim të dobët. E gjithë kjo aktualisht flet për dështim të negociatave që ishin këtu”.

“Kjo marrëveshje është diçka që Shtetet e Bashkuara ta marrin në shtëpi dhe të thonë se kanë arritur diçka”,
tha Erih Pika, nga organizata Miqtë e Tokës.

Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetjen e vet për marrëveshje, megjithëse disa liderë të tij kanë thënë se u vjen keq që marrëveshja nuk ishte juridikisht e obligueshme dhe nuk ndërmerr hapa shtesë drejt luftës për ndryshime klimatike. (F.B.)
XS
SM
MD
LG