Ndërlidhjet

Përfaqësues të ekipit për menaxhimin e gripit të derrave në Kosovë bëjnë të ditur se numri i viktimave që kanë vdekur si pasojë e këtij gripi, ka arritur në 11.

850 raste të dyshuara thuhet se janë raportuar në institucionet shëndetësore, prej të cilave 265 janë konfirmuar të jenë pozitive. Kështu njoftoi zyrtari i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Jusuf Dedushaj.

Që nga data 15 korrik e deri më 18 dhjetor, në Institutin Kombëtar janë raportuar 850 raste të dyshimta, ndërsa 265 raste pozitive me virusin pandemik A-H1N1. 11 raste të vdekjes janë konfirmuar”, tha Dedushaj.

Kohë më parë, Kosova kishte pranuar një donacion prej 5,000 dozash të vaksinave kundër gripit të derrave nga Qeveria e Turqisë.

Pas informatave të ndryshme në lidhje me efikasitetin e këtij lloji të vaksinave dhe në lidhje me pasojat eventuale të përdorimit të tyre, qytetarët e Kosovës duket se kanë hezituar t’u drejtohen ekipeve mjekësore.

Edhe pse Komiteti Kombëtar për Sëmundje Ngjitëse ka preferuar që të merret kjo vaksinë, qytetarët, sipas Dedushajt, nuk kanë shprehur interesim për t’u vaksinuar.

Sa u përket vaksinave për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, i kemi marrë nga Republika e Turqisë dhuratë dhe kanë qenë të dedikuara për punëtorë shëndetësorë. Por, fillimisht, kanë hezituar t’i marrin”.

“Ne presim nga OBSH-ja që t’i marrim 220 mijë doza të kësaj vaksine në fillim të janarit. Edhe Qeveria e Kosovës i ka blerë edhe 220 mijë doza të tjera vaksine joadivante, që është njëra ndër vaksinat më të mira. Shpresojmë që kjo vaksinë, sipas planit që kemi përgatitur, do të shpërndahet në tërë Kosovën dhe do të bëjë imunizimin e qytetarëve
”, u shpreh Dedushaj.

Pasqyra e publikuar për numrin e të infektuarve, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk mund të jetë plotësisht e saktë, ngase, siç thuhet, institucioneve shëndetësore nuk u drejtohen të gjithë të infektuarit.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovën, Skënder Syla, tha:

“Numri është shumëfish më i lartë dhe vlerësohet të jetë me mijëra në Kosovë, në bazë të raporteve. Tash ka një intensitet të rënies së gripit”.

Syla tha se statistikat e deritanishme në lidhje me infektimet me virusin A-H1N1, nuk paraqesin numrin real, sepse shumica e pacientëve, sipas tij, e kalojnë lehtë këtë sëmundje dhe disa nuk e lajmërojnë fare si sëmundje.

Syla pohoi se i njëjti problem shtrohet edhe në vendet tjera të botës, sepse nuk ka mundësi dhe kapacitete laboratorike për t’u identifikuar të gjitha rastet.

Që nga shfaqja e këtij virusi në Kosovë, në muajin korrik të këtij viti, e deri më tani, sipas infektologëve, mund të flitet për rënie të personave që përballen me simptoma të këtij gripi, e që u drejtohen institucioneve të shëndetësisë.

Infektologu Ilir Tolaj tha se numri i përgjithshëm i pacientëve që po hospitalizohen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, ka rënë gjatë kohëve të fundit.

“Krahasuar me disa javë më herët, që ishin me dhjetëra brenda ditës, tani kanë rënë nën shifrën 10. Disa vijnë në klinikë dhe nuk janë për hospitalizim, kurohen në shtëpi. Në përgjithësi, vërehet një numër në rënie”, u shpreh Tolaj.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG