Ndërlidhjet

Protestë për mospërfshirje në liberalizimin e vizave


Prishtinë, 19 dhjetor 2009.
Prishtinë, 19 dhjetor 2009.
Derisa në Beograd, Shkup dhe Podgoricë kalimi nga 18 në 19 dhjetor, kur hyri në fuqi vendimi i Bashkimit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e këtyre qendrave të rajonit, ishte shkas për të festuar, Prishtina nuk kishte arsye t’u bashkëngjitej këtyre festimeve.

Kosova, Shqipëria dhe Bosnja nuk u përfshinë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, gjë që për kosovarët është edhe një, siç e quajnë ata, vendim dëshpërues dhe zhgënjyes i Bashkimit Evropian karshi Kosovës.

Jonuz Fetahu ia hedh fajin Brukselit zyrtar për mospërfshirjen e vendit në këtë proces.

“Shumë keq dhe shumë i diskriminuar, sepse Kosova, në rast se është shpallur shtet i pavarur po nga ajo Bashkësi Evropiane, me përjashtim të 5 shteteve, unë kujtoj se duhet të gjendet mënyra që edhe Kosova ta gëzojë këtë të drejtë”, thotë ai.

Disa të tjerë, ndonëse shprehen të zhgënjyer, thonë se nuk habiten me vendime të këtilla të institucioneve ndërkombëtare karshi Kosovës. Agron Brestovci flet për përshtypjet e tij:

“Si çdo herë, po përsëritet historia. Kosova mbetet prapa në rajon, që është një dëm shumë i madh edhe ekonomikisht, edhe si qytetarë të thjeshtë. Në çdo aspekt ka mbetur prapa”.

Rrona Rushiti duket më optimiste dhe shpreh bindjen se, po qe se përmbushen kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian për liberalizim vizash, Kosovës nuk do t’i mohohet kjo gjë.

“Në të ardhmen, derisa të plotësohen disa kushte dhe derisa politikanët tanë të punojnë më shumë në këtë aspekt, mendoj që edhe neve do të na kenë parasysh. Nëse i kanë pasur parasysh vendet që nuk janë në BE, atëherë edhe neve besoj se do të na i liberalizojnë vizat”, thotë ajo.

Ndaj vendimit të BE-së për përjashtimin e Kosovës nga heqja e regjimit të vizave ka reaguar, me një protestë simbolike, edhe shoqëria civile në Kosovë.

Në shenjë proteste, disa organizata joqeveritare zhvilluan aksionin titulluar “Aksioni Perdja e Kadifenjtë rreth Kosovës”. Vënia e një perdeje të zezë mbi skulpturën “Newborn” në Prishtinë, sipas organizatorëve, simbolizon izolimin e Kosovës pa vullnetin e saj.

Përmes këtij aksioni, përfaqësuesit e shoqërisë civile i bëjnë apel BE-së që ta përfshijë Kosovën në proceset e liberalizimit të vizave, ndërsa Qeverisë së Kosovës i kërkohet që të punojë, siç thuhet, efektivisht në plotësimin e kritereve për heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Nevoja për përmbushjen e kritereve të vëna nga Bashkimi Evropian për vendet që synojnë të përfshihen në procesin e liberalizmit të vizave dhe që synojnë integrimin në BE, theksohet edhe nga ekspertët për integrime evropiane në Kosovë.

Eksperti Avni Mazreku thotë se problemi politik në raportet BE-Kosovë, që ka të bëjë me mosnjohjen e vendit nga 5 shtetet anëtare të këtij mekanizmi, nuk arsyeton mosangazhimin e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim.

Përderisa Kosova nuk mund të akuzohet për problemet formalo-jurdike që i ka procesi, për dimensionin teknik, ka mjaft hapësirë ku institucionet e Kosovës mund të kritikohen në fusha të ndryshme. Një nga aspektet kruciale të procesit është pajisja e qytetarëve të Kosovës me pasaporta biometrike, proces i cili në Kosovë nuk ka filluar ende”, thotë Mazreku.

Sidoqoftë, ai shpreh bindjen se Bashkimi Evropian do të gjejë një mënyrë që, edhe në mungesë të marrëdhënieve kontraktuale me Kosovën, të nisë dialogun për liberalizim vizash.

“Do të gjendet një modus vivendi, duke pasur parasysh vetë mënyrën e funksionimit të Bashkimit Evropian, për shkak se në shumë raste, Bashkimi Evropian ka favorizuar politikat e ashtuquajtura pragmatike”.

“Prandaj, edhe për Kosovën do të gjendet një zgjidhje pragmatike, edhe pse eventualisht Kosova mund të ketë ende probleme formalo-juridike
”, thotë Mazreku.
XS
SM
MD
LG