Ndërlidhjet

Shëndetësia dhe arsimi - të pakënaqur me pagat


Ndërkohë që flitet për rritje pagash të deputetëve, gjendja për punëtorët e shëndetësisë dhe të arsimit në Kosovë mbetet e pandryshuar. Përfaqësuesit e sindikatave të këtyre dy sektorëve kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në realizimin e kërkesave të tyre.






Vendimi për ngritje të pagave për deputetët e Kuvendit të Kosovës ka irrituar Sindikatën e Shëndetësisë. Përfaqësuesit e kësaj sindikate thonë se ngritja e pagave do të duhej të bëhej në sektorin e shëndetësisë, pasi që, sipas tyre, ky sektor është në një gjendje alarmante që nga paslufta.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit nuk shprehen kundër ngritjes së pagave të deputetëve, por theksojnë dëshirën që një gjë e tillë të ndodhë edhe në sektorin e tyre.

Nënkryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Jahir Mujolli, thotë se sektori i shëndetësisë është duke u ballafaquar me probleme nga më të ndryshmet, ndërkohë që pagat e punëtorëve shëndetësorë mbesin shumë të ulëta.

“Nuk është shëndetësia në gjendje të rëndë tani, vitin e fundit apo muajin e fundit, por që nga paslufta ka shkuar duke u stërkequr në vazhdimësi. Ne, gjithnjë, kemi tentuar që të veprojmë si sindikatë, porse proceset politike mos t’i lëndojmë, ato të shkojnë rrjedhës së vet normale dhe politikanët të bëjnë punën e vet. Por tani, ka ardhur një gjendje që nuk mund të shtyhet”, thotë Mujolli.

Edhe sektori i arsimit në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ali Shabanaj, kërkon më shumë angazhim nga ekzekutivi kosovar për të stabilizuar gjendjen materiale në arsim.

“Unë uroj që deputetët t’i rrisin pagat. Por, njëkohësisht, kërkoj nga qeveria që edhe te të tjerët, siç është arsimi, që është shtylla kryesore e shtetit, të rriten pagat. Nuk jam nga të tillët, të cilët kërkojnë që pagat e të tjerëve të mbesin aty ku janë, por kërkoj që pagat të rriten edhe në segmente të tjera”, shprehet Shabanaj.

Ai thotë se gjatë vitit 2010 do të fillojë të negociojë me Ministrinë e Arsimit dhe të kërkojë përkrahje financiare. Sipas tij, pa këtë përkrahje, nuk do të mund të realizohen synimet e Ministrisë së Arsimit.

Për gjendjen jo të mirë të punëtorëve në Kosovë shprehet edhe Xhafer Xhaferi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ai thotë se, përkundër pakënaqësive të shprehura vazhdimisht, gjendja e punëtorëve në Kosovë mbetet e pandryshuar.

“Kjo pakënaqësi është shprehur menjëherë pas luftës. Në vazhdimësi, situata me punëtorë është e rëndë. Qeveria, deri më tani, nuk ka marrë ndonjë hap konkret, që të tejkalojë këtë situatë. Përveç një takimi që kemi pasur me kryeministrin dhe në të cilin është premtuar se do të vazhdojë dialogu social, ne nuk kemi pasur takime të tjera dhe hapa të tjerë, që të zgjidhen problemet e tilla”, thotë Xhaferi.

Ndryshe, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë kanë thënë se një përmirësim në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit mund të ndodhë vetëm me investime.
XS
SM
MD
LG