Ndërlidhjet

Funksionalizimi i sistemit ekonomik


Ekspertët për çështje të ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë mbështesin synimin e Qeverisë së Kosovës, që ta ketë prioritet luftën kundër ekonomisë joformale që nga fillimi i vitit të ardhëm. Por, sipas tyre, plani i qeverisë nuk do të jetë i efektshëm pa mbështetjen e misionit të EULEX-it.


Lufta kundër ekonomisë joformale është e domosdoshme jo vetëm për një ngritje dhe zhvillim stabil të ekonomisë së Kosovës, por edhe për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, stimulimin e bizneseve legale, si dhe joshjen e investimeve të huaja.

Kështu thonë ekspertët për çështje ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, pas paralajmërimeve të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, se me fillimin e vitit të ardhshëm, lufta kundër ekonomisë joformale, ekonomisë së zezë dhe formave të tjera të krimit financiar, do të jetë prioritet i të gjitha institucioneve të Kosovës.

Bedri Selmani, ekspert i ekonomisë, thotë se burimet kryesore të ekonomisë joformale kanë qenë dhe mbeten doganat në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë arritur të shtrijnë pushtetin.

Ndërkaq, hartimin dhe futjen në funksion të një plani të veprimit për luftimin e ekonomisë joformale, të cilin e ka paralajmëruar ekzekutivi i vendit, ai i konsideron të domosdoshme.

“Nuk kemi rrugëdalje, sepse ky është edhe njëri nga standardet që ne duhet t’i plotësojmë, me qëllim që të fillojë të funksionojë sistemi ekonomik. Kjo gjendje, e cila ka dominuar deri më tash, është e paqëndrueshme”.

“Posa t’i iket doganës, atëherë i shmanget edhe pjesëve tjera të tatimeve direkte dhe indirekte dhe kjo i ka shkaktuar buxhetit të Kosovës, i cili edhe ashtu është i dobët, dëme që nuk mund të llogariten”,
thotë Selmani.

Ai shton se, në bazë të disa përllogaritjeve, ikja nga doganat dhe tatimet tjera aktualisht mund të jetë rreth 40-50 për qind.

Sipas Selmanit, të gjitha mjetet financiare nga ekonomia joformale qarkullojnë jashtë sistemit bankar dhe në këtë mënyrë dëmtojnë rritjen e ndërmarrjeve, si dhe pamundësojnë përcaktimin e saktë të rritjes ekonomike.

Në anën tjetër, Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve, thotë se pasojat e ekonomisë joformale janë duke i vuajtur edhe bizneset, të cilat zhvillojnë veprimtarinë legale.

Natyrisht se shumë biznese i kanë mbyllur aktivitetet e veta, për shkak të joformalitetit dhe konkurrencës jo fer, që është zhvilluar në veri të Kosovës”.

“Joformaliteti është një fenomen ku humb biznesi legal, humb buxheti i konsoliduar i Kosovës, por edhe rrezikohet shëndeti i qytetarëve, sepse mallrat që hyjnë në forma ilegale, përveç se u ikin taksave, ato u ikin edhe inspektimit sanitar dhe inspektimit të kualitetit”,
deklaron Shahini.

Ai thotë se bizneset në vazhdimësi e kanë alarmuar Qeverinë e Kosovës për rrezikun që ekonomia joformale po u sjell atyre dhe përgjithësisht ekonomisë kosovare, por, deri më tash, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë angazhim frytdhënës për parandalimin e saj.

Nismën e tashme të qeverisë, ai e vlerëson pozitivisht, ndonëse, sipas tij, ka mjaft hapësirë për të dyshuar se ajo mund të jetë e suksesshme.

Është mirë që e kanë kuptuar seriozisht rrezikimin e ekonomisë nga joformaliteti. Suksesi është i dyshimtë, sepse përderisa nuk mbrohet e tërë Kosova dhe kufijtë e saj nga kalimi i mallrave pa doganë, është vështirë të thuhet se do të kemi sukses të plotë”.

“Por, është mirë që nismat të merren. Dhe, nëse institucionet e Kosovës këtë do ta bëjnë me EULEX-in dhe me institucionet ndërkombëtare, të cilat e kanë përgjegjësinë e sigurisë në Kosovë, unë besoj se do të ketë sukses”,
shprehet Shahini.

Ngjashëm thotë edhe Bedri Selmani, sipas të cilit, lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të varet vetëm nga angazhimi i Qeverisë së Kosovës.

“Besoj se administrata e EULEX-it është e vetëdijshme për këtë. Varet se sa do të jetë e vendosur që në të vërtetë ta mbështesë planin e qeverisë”.

“Përndryshe, unë mendoj se kjo çështje më nuk është temë tabu dhe nuk guxohet të lejohen më grupet më kriminale, grupe që thjesht merren me krim të organizuar, sepse kjo shkon edhe më thellë”.

“Me këtë rast, dëmi më i madh është ndaj buxhetit, ndaj qytetarëve dhe ndaj ndërmarrjeve, të cilat kanë plane të zhvillimit, por këtë nuk mund ta bëjnë”,
thotë Selmani.

Sido që të jetë, eksperti Selmani konsideron se, nëse lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të jetë e efektshme, Kosova rrezikon tërheqjen e investitorëve dhe kompanive të huaja, sepse, siç thotë ai, askush nuk dëshiron të hyjë në një treg, ku ekziston konkurrenca jolojale, e cila është pasojë e ekonomisë joformale.
XS
SM
MD
LG