Ndërlidhjet

Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave edhe për Kosovën


Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, në Prishtinë, 21 dhjetor 2009.
Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, në Prishtinë, 21 dhjetor 2009.

“Liria e lëvizjes është një prej parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut. Kështu që, heqja e vizave nënkupton mundësinë e zbatimit të kësaj të drejte”, deklaroi, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk.



Sllovenia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, qoftë me praninë e saj ushtarake e civile, ashtu edhe në kuadër të politikave integruese evropiane, tha sot në Prishtinë, presidenti slloven, Danilo Turk. Këto komente, Turk i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve lokale dhe pjesëmarrja e serbëve ishin hapa inkurajues për shtetin e ri të Kosovës, tha presidenti slloven.

Ndërsa premtoi praninë sllovene në misionin civil të Bashkimit Evropian dhe forcën e KFOR-it, presidenti slloven tha se e përkrah plotësisht Kosovën, si dhe vendet tjera të rajonit, edhe në ambiciet integruese evropiane dhe liberalizimin e vizave.

“Liria e lëvizjes është një prej parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut. Kështu që, heqja e vizave nënkupton mundësinë e zbatimit të kësaj të drejte”, tha Danilo Turk.

Sidoqoftë, ai rikujtoi se disa vende të rajonit duhet t’i përmbushin edhe disa kritere të parapara. Kurse, pozicioni slloven, sipas presidentit Turk, nga fillimi ka qenë se nuk duhet të ketë ndalesa në lidhje me liberalizimin e vizave.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe homologu i tij slloven, Danilo Turk.
Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Sllovenia, në vazhdimësi, ka luajtur rol konstruktiv në raport me Kosovën. Ai falënderoi shtetin slloven për këtë angazhim dhe premtoi bashkëpunimin konstruktiv të Kosovës me Slloveninë.

“Për ne është aq më tepër e rëndësishme se ky përkushtim, kaq kualitativ, nuk ka mbetur vetëm në relacionet e drejtpërdrejta mes dy vendeve dhe dy popujve, por edhe me një angazhim të fuqishëm të Republikës së Sllovenisë edhe në qendrat ndërkombëtare, për të sqaruar mirë arsyet e mëvetësisë së Kosovës”.

“Një garanci, po ashtu dhe një përkushtim i plotë në ndërtimin e marrëdhënieve të reja në rrafshe të shumta, që janë të nevojshme për dy vende sovrane”,
tha Sejdiu.

Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Në kuadër të delegacionit shtetëror nga Sllovenia gjendeshin dhe ministrja sllovene e Mbrojtjes, Lubica Jelushiq, dhe komandanti i Ushtrisë së Sllovenisë, gjeneralmajor Alojz Steiner, të cilët u pritën nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota.

Ky i fundit konfirmoi zotimin slloven për ndarjen e 1.8 milion eurove për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
...do të thellojmë edhe më tej bashkëpunimin tonë, jo vetëm mes dy vendeve, por edhe për sigurinë në rajon dhe iniciativat rajonale.

”Një donacion i ri, që do ta japë Sllovenia prej 1.8 milion eurosh për nevojat e FSK-së. Shprehëm kënaqësinë e përbashkët, që në të ardhmen të kemi marrëveshje bashkëpunimi në mes dy ministrive tona dhe shpresojmë që në vitin 2010, nëpërmes marrëveshjeve bilaterale me Slloveninë, do të thellojmë edhe më tej bashkëpunimin tonë, jo vetëm mes dy vendeve, por edhe për sigurinë në rajon dhe iniciativat rajonale”, tha Mujota.

Ndërkaq, ministrja sllovene, Lubica Jelushiq, tha se, tash për tash, nuk do të ketë shkurtime në numrin e trupave sllovene në kuadër të KFOR-it.

Vizita te ushtarët sllovenë, që shërbejnë në Kosovë, ishte edhe destinacioni i fundit i delegacionit të lartë shtetëror nga Sllovenia.
XS
SM
MD
LG