Ndërlidhjet

Ivanov: Kompromisi për emrin të mos cenojë identitetin


Presidenti Gjorgje Ivanov

Presidenti Gjorgje Ivanov

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në fjalimin e tij të parë vjetor, bëri të qartë se qëndrimi i tij rreth emrit është moscenimi i identitetit kombëtar të popullit maqedonas. Ai i vlerësoi të arriturat në vend në shumë fusha. Opozita e quajti fjalimin e Ivanovit pro-qeveritar, ndërsa kritika patën edhe deputetët e BDI-së.


Maqedonia nuk do të pranojë kompromis për emrin, nëse i njëjti cenon identitetin kombëtar të popullit maqedonas. Kështu tha presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në fjalimin e tij para deputetëve.

Duke folur rreth kontestit me Greqinë, Ivanov u bëri thirrje të gjithë aktorëve politikë që të mos krijojnë konfuzion dhe dilema te qytetarët, pasi, sipas tij, secili qytetar në shtet i di linjat e kuqe rreth çështjes së emrit, ndërsa Maqedonia ka dëshmuar konstruktivitet në këtë proces.

“Linjat e kuqe individuale janë edhe linjat e kuqe shtetërore. Vendi i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. E di se edhe ju deputetë i keni të njohura dhe të qarta linjat e kuqe, njësoj si i kanë të qarta edhe qytetarët maqedonas”.

“Bëhet fjalë për mosheqjen dorë nga identiteti maqedonas dhe mosndryshimin e Kushtetutës. Kjo është zgjidhja, e cila nuk do ta dëmtonte identitetin gjuhësor, kulturor dhe kombëtar”,
tha presidenti Ivanov.

Ai përmendi edhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Bullgarinë, Serbinë, Shqipërinë dhe Kosovën.
Kosova është partneri ynë i rëndësishëm tregtar, ndërsa ekzistojnë shumë mundësi për bashkëpunim në shumë fusha.

Sot mund të lavdërohemi për cilësinë në marrëdhëniet me fqinjin tonë më të ri. E di se edhe qytetarët e Maqedonisë dhe faktori ndërkombëtar e vlerësojnë lart këtë sukses diplomatik të vendit tonë”.

“Unë jam i kënaqur në rritjen e nivelit të marrëdhënieve ekonomike. Kosova është partneri ynë i rëndësishëm tregtar, ndërsa ekzistojnë shumë mundësi për bashkëpunim në shumë fusha”,
u shpreh Ivanov.

Kritik ndaj fjalimit të Ivanovit ishte Safet Neziri, deputet i partnerit qeveritar, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Sa i përket çështjes së identitetit të kombit maqedonas me Greqinë, pritëm një vizion më të qartë, pritëm diçka ekskluzive rreth daljes nga ky kontest, nga kjo çështje mes Greqisë dhe Maqedonisë, që ne, si deputetë dhe qytetarë të Maqedonisë, të kemi disa vizione më të qarta se si dhe çka përgatitet në politikën e jashtme nga ana e presidentit të Maqedonisë”, tha Neziri.

Edhe opozita maqedonase pati vërejtje ndaj fjalimit të presidentit.

“Sot ishim dëshmitarë të fjalimit të zbehtë të presidentit të shtetit, njësoj si edhe e praktikon funksionin e deritashëm. Shihet qartë se bëhet fjalë për zbatues konsekuent të politikës së shumicës parlamentare dhe liderit të partisë në pushtet”, tha Andrej Petrov, deputet i Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë.

Vetëm partia qeveritare, VMRO-DPMNE, e vlerësoi pozitivisht fjalimin e Ivanovit. Kjo parti konsideroi se fjalimi i shefit të shtetit ishte objektiv.

Fjalimin e Ivanovit e bojkotuan deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare, e cila vazhdon t’i bojkotojë punimet e Kuvendit, e pakënaqur me mënyrën se si realizohen kërkesat e shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG