Ndërlidhjet

Arabia Saudite do të lobojë te vendet arabe e islamike për njohjen e Kosovës së pavarur, ka thënë në Prishtinë, ambasadori saudit në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Al – Abdulkarim. Ai ia ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit Fatmir Sejdiu, duke u shndërruar kështu në ambasadorin saudit edhe për Republikën e Kosovës.





Arabia Saudite premton ushtrimin e ndikimit të saj te vendet arabe e islamike për shtimin e numrit të njohjeve të Kosovës.

Këto zotime u konfirmuan nga ambasadori saudit në Tiranë, Abdullah Abdulaziz Al – Abdulkarim, i cili i dorëzoi letrat kredenciale te presidenti Fatmir Sejdiu dhe, nga dita e sotme, është edhe ambasador i Arabisë Saudite në Prishtinë.

Ai u prit në takime të ndara nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, si dhe krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Pas njohjes së Kosovës dhe prezantimit të dëshmisë pro pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, Arabia Saudite do të lobojë pro njohjes së Kosovës te vendet e botës islamike, tha ambasadori saudit.

“Urojmë dhe presim të kemi njohje të reja. Kurse, ne do të angazhohemi dhe ushtrojmë ndikimin tonë te shtetet arabe apo më gjerë, ato islamike, që të shtohet numri i njohjeve të Kosovës”, tha ambasadori Abdullah Abdulaziz Al – Abdulkarim.

“Arabia Saudite nuk do të kursejë asgjë në përkrahjen e Republikës së Kosovës, sidomos në përkrahjen e saj në institucionet ndërkombëtare”, theksoi ambasadori saudit.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi u angazhua sidomos në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite.

“Tani jemi në kapitullin tjetër, atë të avancimit të raporteve, forcimit të relacioneve bilaterale; tash, në veçanti, në kapitullin e bashkëpunimit ekonomik, zhvillimit ekonomik, sjelljes së investitorëve të Arabisë Saudite në Republikën e Kosovës, e, në të njëjtën kohë, forcimin e marrëdhënieve tona bilaterale, të gjithanshme në të gjitha fushat”, tha Thaçi.

Në anë tjetër, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, tha se sapo ishte kthyer nga Riadi, në përpjekje të koordinimit të aktiviteteve diplomatike për lobim te bota islame.

Hyseni tha se vendet si Arabia Saudite mund të luajnë rol shumë të rëndësishëm për procesin e njohjes së Kosovës.

“Njohja e Republikës së Kosovës nga Arabia Saudite erdhi në një moment krucial e shumë të rëndësishëm. Po aq e rëndësishme ishte dëshmia gojore që Mbretëria e Arabisë Saudite paraqiti në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Kosovës”, u shpreh Hyseni.

Përderisa vazhdojnë angazhimet diplomatike të institucioneve në shërbim të njohjeve të reja, edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, si edhe në disa raste të tjera, vazhdon të publikojë emra të disa vendeve, që mendohet se do ta njohin shumë shpejt Kosovën. Kësaj radhe, Pacolli ka paralajmëruar njohjen nga Guinea e Re.

Sidoqoftë, Ministria e Jashtme nuk e ka konfirmuar këtë njohje të paralajmëruar nga Pacolli. Kosova është njohur deri tash nga 64 shtete.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG