Ndërlidhjet

logo-print

Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja, thonë zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, mbi 90 për qind e mallrave të huaja importohen në Kosovë, ndërkaq vetëm deri në 8 për qind e produkteve kosovare mund të kalojnë në tregjet e rajonit apo të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Shkaktarë të kësaj gjendjeje, sipas ekspertëve, janë shoqëria dhe institucionet e Kosovës.


Mbi 90 për qind e mallrave për nevojat e popullatës dhe të ekonomisë së Kosovës vazhdojnë të importohen nga vende të ndryshme të Evropës.

Ndërkaq, vetëm deri në 8 për qind e produkteve kosovare arrijnë të eksportohen, thonë autoritetet kosovare dhe ekspertët për çështje ekonomike.

Ilir Berisha, drejtor i Departamentit të Statistikave Ekonomike në Entin Statistikor të Kosovës, thotë se gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, janë importuar mallra me vlerë prej mbi një miliard euro, ndërkaq janë eksportuar produkte me vlerë mbi 128 milionë euro.

“Importi për periudhën janar-tetor të vitit 2009, është 1 miliard e 539 milionë euro, ndërsa eksporti për të njëjtën periudhë është 128 milionë e 143 mijë euro”.

“Po të krahasohet kjo periudhë dhjetëmujore me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, sikurse eksporti, edhe importi ka një rënie. Eksporti ka një rënie prej 27.8 për qind, ndërsa importi ka një rënie, apo ka qenë më i vogël, prej 1.04 për qind
”, thotë Berisha.

Berisha, ndërkaq, tregon se cilat produkte janë eksportuar dhe importuar më së shumti gjatë muajit tetor të këtij viti.

“Importin për muajin tetor të këtij viti, 18.8 për qind e përbëjnë produktet minerale; 15 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet e makinave elektrike; 10 për qind ushqimet; 8 për qind-metalet bazë; 7.8 për qind-produktet e industrisë kimike dhe 7.5 për qind-mjetet e transportit”.

“Ndërsa, eksportin, 59 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt që dalin prej metaleve bazë, kurse 5 për qind-produktet bimore”,
sqaron Berisha.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, e quan shqetësues këtë fenomen, pasi thotë se shoqëria kosovare është shndërruar në një shoqëri të varur nga produktet e huaja, që, sipas tij, Kosova me pozitën gjeografike që ka, nuk e meriton një gjë të tillë.

“Kur merret parasysh se në Kosovë, më se 92 për qind e të mirave importohen dhe vetëm 8 për qind eksportohen, dhe kur analizohet struktura e këtyre produkteve, që përbërja dominuese e eksportit nuk është prodhim final, apo nuk janë produkte që destinacion e kanë konsumatorin e fundit, mirëpo janë zakonisht materiale apo hedhurina metalike që shiten në vendet e rajonit, është mjerimi më i madh që mund t’i ndodhë një shteti, i cili pretendon që në një të ardhme të afërt të jetë në gjirin e familjes evropiane”, thotë Gërxhaliu.

Niveli i lartë i importit po e pengon dukshëm zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, thotë Gërxhaliu, duke shtuar se importi i produkteve nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian, po e dëmton rëndë komunitetin e biznesit në Kosovë.

Gërxhaliu konsideron se Kosova ka produkte të cilësisë së lartë, të cilat mund të eksportohen në vende të ndryshme të Evropës.

Por, siç thotë Gërxhaliu, këto produkte po devalvohen nga vetë shoqëria dhe institucionet vendore.

“Nuk mund të ketë produkti kosovar një respekt, apo tretman të mirëfilltë në tregun e jashtëm, nëse nuk e ka në tregun vendor”.

“Dhe, në tregun vendor nuk mund ta ketë tretmanin e tillë, përderisa nga vetë qarqet e involvuara në këtë tenderomani, do të thotë prioritet u jepet produkteve të huaja dhe anashkalohen ato vendore”,
thekson Gërxhaliu.

Megjithatë, një eksport i mallrave të Kosovës është më i theksuar në drejtim të Shqipërisë, pas lëshimit për qarkullim të autostradës Durrës-Kukës-Morinë.

Ndërsa, sipas statistikave të Entit Statistikor të Kosovës, të dhënat për muajin tetor tregojnë se më së shumti eksport mallrash ka pasur përmes pikave kufitare të Hanit të Elezit, Vërmicës dhe Kullës, ndërkaq importi është shënuar në pikat kufitare në Han të Elezit, Mitrovicë dhe Merdare.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG