Ndërlidhjet

LDK - 20 vjet pas


“Për 20 vjet, Lidhja Demokratike e Kosovës është identifikuar si parti prijëse në procesin e lirisë dhe pavarësimit të Kosovës”, tha të mërkurën presidenti Fatmir Sejdiu, gjatë shënimit të 20-vjetorit të themelimit të LDK-së. Manifestimet kanë filluar me një homazh te varri i presidentit të ndjerë dhe themeluesit të LDK-së, Ibrahim Rugova.





Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar, të mërkurën, 20-vjetorin e themelimit. Udhëheqësit e kësaj partie ia kanë atribuuar të gjitha meritat për ngritjen e LDK-së, si një prej partive kryesore në Kosovë, liderit të saj të ndjerë, presidentit Ibrahim Rugova.

Manifestimi qendror është mbajtur në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku para anëtarësisë dhe mysafirëve të ftuar, foli kryetari me postin e ngrirë të LDK-së, Fatmir Sejdiu, njëherësh president i Kosovës.

Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, LDK-ja udhëhoqi me proceset në Kosovë, që e çuan vendin kah pavarësimi i plotë, tha me këtë rast Sejdiu.
Derisa Gjermania dhe bota po e rrënonin Murin e Berlinit, LDK-ja filloi rrënimin e mureve ndërshqiptare, duke shpallur hapur idenë e pavarësisë së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës u krijua kur po shuhej një sistem që solli shumë tragjedi për Kosovën dhe popullin shqiptar, kur po binte sistemi komunist në Evropën Juglindore. Derisa Gjermania dhe bota po e rrënonin Murin e Berlinit, LDK-ja filloi rrënimin e mureve ndërshqiptare, duke shpallur hapur idenë e pavarësisë së Kosovës”.

“Njëzet vjet pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, (ajo) është krijuese dhe jetësuese e platformës sonë politike nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës
”, tha Sejdiu.

Fryma politike e fushatës dhe zgjedhjeve lokale ka përshkuar edhe manifestimin e sotëm të LDK-së. Kjo është vërejtur kur në sallë është paraqitur dhe mysafiri i ftuar, kryeministri Hashim Thaçi, i cili është pritur me fishkëllima të shumta.

Thaçi dhe partia e tij, PDK-ja, janë shikuar si rivali kryesor i LDK-së gjatë zgjedhjeve lokale, përderisa këto dy parti janë në koalicion në nivelin qendror.

Ndërkaq, një dokumentar i prezantuar për 20 vjetët e LDK-së, në fokus qendror kishte liderin e saj të ndjerë, Ibrahim Rugova, pastaj kryetarin aktual, Fatmir Sejdiu, dhe përfundonte me Isa Mustafën, i cili në LDK tashmë shihet si personaliteti që ka kthyer LDK-në në skenën politike, pas dy goditjeve që pësoi kjo parti: e para, vdekja e Rugovës dhe, e dyta, ndarja e saj në kuvendin e fundit zgjedhor në dy parti politike, në LDK dhe LDD.

LDK-ja e sotme shihet si një parti që kërkon identitet nga njëri prej ish-themeluesve të saj, Mehmet Kraja, i cili sot nuk është më pjesë e kësaj strukture. Kraja thotë se LDK-ja ka hyrë në një proces reformimi, por dyshon që kryesia aktuale mund ta çojë këtë proces deri në fund.

“Mbas largimit të një personaliteti, kanë probleme që të gjejnë, formulojnë apo të identifikohen me një lider tjetër. LDK-ja ndodhet kot në kërkim të gjenezës së vet edhe të Rugovës; ajo duhet ta rregullojë situatën në rrethanat e tashme”.

“E, në rrethanat e tashme, ajo është e kapur nga udhëheqësia e saj aktuale, e cila as nuk është në gjendje ta reformojë, e as nuk është në gjendje ta çojë përpara dhe ka mbetur peng i vetvetes”,
tha Kraja.

Një mesazh urimi, LDK-së i erdhi edhe nga kryeministri dhe lideri i demokratëve të Shqipërisë, Sali Berisha.

Gjatë ditës, Kryesia e LDK-së bëri homazhe te varri i presidentit Rugova. Më pas, ata vizituan ish-selinë e LDK-së, si dhe vunë gurthemelin e selisë së re të partisë.

Ndërkaq, për t’i rikujtuar momentet e themelimit, zyrtarët e lartë të LDK-së pinë dhe kafen e mëngjesit në restorantin ku ishte marrë vendimi nga elita politike e intelektuale e Kosovës së para 20 vjetëve, për themelimin e kësaj partie, pavarësisht se shumica e tyre sot nuk ishin të pranishëm në këtë shënim jubilar.
XS
SM
MD
LG