Ndërlidhjet

Kthimi i serbëve kah institucionet e Kosovës


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

KIPRED tha se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale ishte 10 herë më e lartë sesa në zgjedhjet e 2007-ës dhe më e lartë sesa në zgjedhjet e Serbisë, të mbajtura në Kosovë. Pas dy dekadave, në analizën e këtij instituti bie dominimi i partive radikale në mesin e serbëve.


Zgjedhjet lokale, të mbajtura më 15 nëntor, si dhe balotazhi i 13 dhjetorit, sipas Institutit për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), vunë në pah mbështetjen që serbët në jug të lumit Ibër u dhanë institucioneve të Kosovës.

Në zgjedhje, sipas drejtorit të këtij instituti, Ilir Deda, u shënua një pjesëmarrje e serbëve dhjetë herë më e madhe sesa në kohën kur UNMIK-u administronte Kosovën, por më e madhe edhe sesa në vetë zgjedhjet e Serbisë, të mbajtura në Kosovë pas pavarësisë.

Është shumë e rëndësishme të ceket se pjesëmarrja në dy vendbanimet më të mëdha pas Mitrovicës, në Graçanicë dhe në Shtërpcë, ka qenë më e lartë sesa në zgjedhjet paralele të Serbisë”, theksoi Deda.

Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit u votua edhe në tri komunat e reja serbe, Graçanicë, Ranillugë dhe Kllokot, në të cilat pjesëmarrja e serbëve ishte e mirë.

Ilir Deda tha se mendon që këtij zhvillimi i ka paraprirë përmirësimi i raporteve shqiptaro-serbe.

Ndërsa, pozitiv, sipas tij, është fakti se komunat e reja tash kanë legjitimitet të plotë të popullatës serbe.

“Hapet një dimension i ri në raportet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Dhe, pas 20 vjetëve, është hera e parë që dy popujt do t’i zgjidhin problemet e tyre në rrafsh institucional, me një kushtetutë, e cila respektohet, dhe me ligje të njëjta që do të respektohen”, tha Deda.

Një tjetër e dhënë që është potencuar nga KIPRED-i, është rënia e dominimit të subjekteve serbe me qëndrime radikale.

“Pas 20 vjetëve përfundon dominimi i Partisë Radikale Serbe në Kosovë. Edhe në zgjedhjet paralele të Serbisë, të organizuara këtë vit në Kosovë, edhe në zgjedhjet e Kosovës, partia që ka më së shumti përkrahje në popullatën serbe, është Partia e Pavarur Liberale, e cila realisht i ka marrë rreth 5 mijë vota dhe është një ndër partitë më të forta serbe në Kosovë”, u shpreh Deda.

Ndërsa u vlerësua pozitivisht krijimi i komunave të reja dhe pjesëmarrja serbe, KIPRED vuri në pah sfidat që do t’i kenë këto komuna, si pasojë e ekzistimit të strukturave paralele serbe, mungesës së stafit, mungesës së infrastrukturës përkatëse dhe buxhetit të pamjaftueshëm.

Kurse, komunat veriore të Kosovës, ku u bojkotuan zgjedhjet në tërësi nga komuniteti serb, sipas KIPRED-it, paraqesin një sfidë të madhe për institucionet.

Krenar Gashi, nga ky institut, tërhoqi vërejtjen se dominimi i strukturave paralele serbe të sigurisë ka ndikuar në bojkotin serb.

“Në Mitrovicë të veriut nuk mund të ketë implementim të suksesshëm të decentralizimit dhe mbajtje të zgjedhjeve, përderisa aty të operojnë strukturat paralele të sigurisë të Serbisë”.

“Këto struktura i kërcënojnë dhe ua bëjnë jetën shumë të vështirë atyre që mendojnë të jenë më bashkëpunues me institucionet e Kosovës”,
tha Gashi.

Po ashtu, sipas Gashit, synimi i Beogradit zyrtar për ndarjen e kësaj pjese të Kosovës, ka bërë që mbështetja për institucionet e Kosovës të mos jetë e njëjtë sikurse në pjesën jugore të vendit.

Derisa krijimi i komunës veriore të Mitrovicës është shtyrë nga institucionet deri në muajin maj të vitit të ardhshëm, që nënkupton se atëherë do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e reja për këtë komunë, Gashi tha se zgjedhjet do të duhej të organizoheshin edhe në tri komunat tjera me shumicë serbe: Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.

Në këto tri komuna kanë fituar me vota të vogla kandidatët shqiptarë, si rezultat i bojkotit serb.
XS
SM
MD
LG