Ndërlidhjet

KQZ: Rinumërim e pastaj vendim për Gjilanin


KQZ-ja nuk ndryshoi vendim që, për komunën e Gjilanit, fillimisht të zhvillohen hetime dhe të rinumërohen votat, e pastaj të vendoset për rivotim eventual. Ndërkaq, ky komision paralajmëroi se së shpejti do të dilet me një pasqyrë kohore për rivotim në Prizren dhe Lipjan.




Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë të enjten do ta ketë para vetes një plan të hollësishëm nga sekretariati i këtij institucioni në lidhje me procesin përgatitor për përsëritjen e zgjedhjeve lokale në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, data 24 janar 2010 u propozua si afat i mundshëm kohor për zhvillimin e zgjedhjeve në këto dy komuna, mirëpo vendimi final mbi këtë çështje do të merret në mbledhjet e radhës të këtij komisioni.

Me gjithë paralajmërimet për rishqyrtimin e vendimit për komunën e Gjilanit, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se vendimi që, për këtë komunë fillimisht të zhvillohen hetime dhe të bëhet rinumërimi i votave, e pastaj, eventualisht, të vendoset për rivotim, mbetet i pandryshuar.

“Ne duhet, siç kemi vendosur dje, të bëjmë hetime dhe rinumërim sa i përket komunës së Gjilanit. Vetëm në rast se hetohen shkelje aq të rënda, sa që ka nevojë për rivotim edhe në këtë komunë, atëherë do të shkojmë në rivotim”, tha Lushta.

Vendimin e KQZ-së për të urdhëruar përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren dhe në Lipjan, duke e respektuar në këtë mënyrë, siç thuhet, pjesërisht vendimin udhëzues të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e ka mirëpritur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga Ambasada amerikane, pas takimit në mes të ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, dhe kryetares së KQZ-së, ndër të tjera, thuhet:

"Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e KQZ-së, të datës 22 dhjetor, për të implementuar, pjesërisht, vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), të datës 19 dhjetor, i cili udhëzoi përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan”.

“Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan. Qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tri komunat sipas vendimit të KZAP-it, të datës 19 dhjetor”,
thuhet në komunikatë.
“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet e kryetares së KQZ-së, zonjës Lushta, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe i inkurajojmë të gjitha partitë dhe entitetet politike, të respektojnë si germën, ashtu edhe frymën e ligjit, gjersa ky proces vijon, si dhe të përmbahen nga përpjekjet për të minuar institucionet dhe proceset e vendosura me ligj, për avantazhet e tyre partiake”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada amerikane.

Derisa hetimi dhe rinumërimi i votave për komunën e Gjilanit, sipas të gjitha gjasave do të mund të nisë ditën e hënë, në lidhje me përgatitjet për rivotim në Prizren e Lipjan u bë e ditur se sekretariati i KQZ-së është duke u konsultuar me Komisionet Komunale Zgjedhore.

Kryetarja e KQZ-së, Lushta, theksoi se duhet të pritet përfundimi i këtyre konsultimeve, për ta caktuar datën e përsëritjes së zgjedhjeve për Prizrenin dhe Lipjanin.

“Ne nuk kemi marrë kurrfarë vendimi definitiv. Ne po presim të propozojë, sepse sekretariati duhet t’i kryejë punët këtu dhe ne atëherë të marrim një vendim të prerë”,
u shpreh ajo.

Ndërkohë, përmes vendimit të 19 dhjetorit, KZAP-i i kishte rekomanduar KQZ-së që, për përsëritjen e votimeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan, të bëjë ndërrimin e komisionarëve të qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, të shtojë praninë e pjesëtarëve të policisë në të gjitha qendrat e votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen gjatë procesit të votimit.

Sipas KQZ-së, në ditën e përsëritjes së zgjedhjeve në Prizren e Lipjan, do të bëhet ndërrimi i komisionarëve në të gjitha qendrat e votimit, ndërsa u bë e ditur se komisionarët e rinj të t’i nënshtrohen një trajnimi dyditor.
XS
SM
MD
LG