Ndërlidhjet

Jeta e rëndë e pensionistëve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Pensionistët e Kosovës vazhdojnë të mbesin me kërkesën e njëjtë - rritjen e pensioneve. Ata përballen me kushte shumë të vështira socio-ekonomike. Shuma prej 45 eurosh, respektivisht 80 euro në muaj, pensionistëve nuk u mjafton. Ata tashmë kanë humbur shpresën për një të ardhme më të mirë. Kështu thotë Latif Mulaku, pensionist.

“Pensionet janë shumë të vogla. Nuk mund t’i mbulojnë as nevojat elementare. Presim që të rriten. Kanë premtuar, por meqenëse nuk kanë fond, nuk besoj”.

“Duhet të nxirret ligji dhe në bazë të ligjit të formohet fondi i pensionistëve - ashtu do të përmirësohej pak gjendja. Ka pensionistë që jetojnë vetëm prej pensionit, i kanë punët keq. Ka raste edhe që vdesin, sepse nuk u del as për ilaçe”,
shprehet Mulaku.

Viti 2009 ka qenë një vit mjaft i vështirë, ngase nuk është realizuar asnjë nga kërkesat e pensionistëve. Kështu thotë Shaban Kajtazi, sekretar i Bashkimit të Pensionistëve të Kosovës.

“Pensionistët janë të mllefosur, sepse rriten pagat në qeveri, në parlament, në strukturat politike, kurse nuk gjendet mundësi të miratohet ligji dhe të rregullohet njëherë e përgjithmonë”, thotë Kajtazi.

As Ligji për sigurimin pensional invalidor, ligj i cili do t’iu kthente statusin e pensionistëve dhe invalidëve të punës, nuk është miratuar. Sipas Kajtazit, diskriminimi dhe shkelja e të drejtave të pensionistëve vazhdon që 10 vjet.

Pensionistët kërkojnë kontributet e tyre që i kanë ndarë nga të ardhurat pensionale për ditët e pleqërisë. Shuma prej 45 eurosh, respektivisht 80 euro, nuk është pension, thotë Kajtazi, por, sipas tij, një ndihmë sociale.

Ndërkaq, Kadri Muhaxhiri është 73-vjeçar. Ai merr 45 euro në muaj. Muhaxhiri thotë se në vitin 2009 është pritur më shumë, por nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Ai tregon se, në mungesë të të ardhurave, këtë vit i është ndërprerë energjia elektrike. Me 45 euro në muaj, ai thotë se nuk mund t’i plotësojë as nevojat elementare.

“Tri herë, sivjet, ma kanë ndërprerë rrymën. Kjo shumë që e marr si pension, nuk më del as për ushqim e lëre më t’i paguaj obligimet komunale”, thotë Muhaxhiri.

Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, thotë se po punohet në këtë drejtim. Sipas tij, në vitin 2010 do të ketë një procedim të Ligjit për pensione dhe pastaj do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Ai shpjegon më shumë:

“Në vazhdimësi, Qeveria e Kosovës ka pasur një bashkëpunim me përfaqësuesit e pensionistëve të Kosovës. Ne kemi qenë të përkushtuar për t’i adresuar drejt kërkesat e tyre”.

“Është punuar në këtë drejtim me grupet punuese, për Ligjin për pensione, dhe është bërë një punë e madhe, e cila është në fazat finale. Duhet të ketë një koordinim me mekanizmat financiarë, në mënyrë që ligji të jetë i implementueshëm", thekson Krasniqi.

Sidoqoftë, në Kosovë llogariten të jenë më shumë se 60 mijë pensionistë. Sipas Ligjit për pensione, personat që kanë mbushur 65 vjeç marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa që nga janari i vitit të kaluar, pensionistët kontributdhënës marrin nga 80 euro në muaj.
XS
SM
MD
LG