Ndërlidhjet

Kuvendi: Vit pjesërisht i suksesshëm


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha të enjten se viti 2009 për legjislativin e Kosovës ka qenë i suksesshëm, me gjithë ngecjet e evidentuara. Ndërkaq, vlerësime më kritike për punën e Kuvendit prezantuan deputetë opozitarë.






Kuvendi i Kosovës ka arritur të përmbushë pjesërisht agjendën e punës për vitin 2009, vlerësojnë deputetët. Sidomos muajt e fundit, kur partitë politike ishin të përfshira në fushatë dhe zgjedhjet lokale, vlerësohet se kanë ndikuar në rënien e intensitetit të punës.

Mirëpo, me gjithë lëshimet, kjo legjislaturë, sipas kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka arritur të përmbyllë me notë pozitive këtë vit të punës.

Jakup Krasniqi
“Me gjithë ngecjet, ju e dini që unë i kam thënë për herë të parë ato ngecje, mund të them se Kuvendi, sa u përket obligimeve që i ka pasur dhe praktikave gjatë gjithë këtyre tri sesioneve deri tash, mendoj se ka përmbushur agjendën sa i përket miratimit të ligjeve”.

“Mendoj se me përmbylljen e seancës së 29 dhjetorit të këtij viti, diku rreth 50 ligj miraton Kuvendi i Kosovës sivjet”,
thotë Krasniqi.

Ndërkohë, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, vlerëson se Kuvendi nuk e ka përmbushur agjendën e vet. Kurse, e gjitha puna e legjislativit, sipas tij, është diktuar nga Qeveria e Kosovës.

Ai kritikon edhe kolegët deputetë nga partitë shumicë për mungesë në seancat plenare, çka, sipas Gjinit, e ka dëmtuar punën e Kuvendit dhe, në të shumtën e rasteve, është dashur të ndërpriten seancat për mungesë kuorumi.

Dalja nga kjo gjendje, sipas Ardian Gjinit, është shpallja e zgjedhjeve parlamentare.

“Kuvendi i Kosovës sivjet e ka kaluar një vit të vështirë. Një vit, i cili totalisht është dominuar nga agjenda e Qeverisë. Kuvendi nuk ka arritur të vendosë agjendën e vet”.
Agjenda legjislative, të cilën e ka sjellë Qeveria para Kuvendit të Kosovës, nuk është përmbyllur, jo për faj të Kuvendit...

“Në të njëjtën kohë, agjenda legjislative, të cilën e ka sjellë Qeveria para Kuvendit të Kosovës, nuk është përmbyllur, jo për faj të Kuvendit. Shpresojmë që kjo vazhdë, rrjedhë degraduese të fillojë të shkëputet në vitin 2010, me zgjedhjet që do të mbahen me siguri në fund të pranverës apo fillim të verës së vitit, në të cilin po hyjmë”,
thotë Gjini.

Duke iu përgjigjur kritikave të vazhdueshme për kontrollin e Kuvendit nga Qeveria, kryeparlamentari Jakup Krasniqi thotë se është normale që agjenda legjislative të përcaktohet nga ekzekutivi, pasi që Qeveria është organi sponsores i ligjeve.

Ndërkaq, mungesa e kontrollit të ekzekutivit nga Kuvendi, nga ana e Krasniqit shihet edhe si mungesë e kapaciteteve të komisioneve parlamentare.

“Unë mendoj që në një masë e kemi kontrolluar (ekzekutivin), por jo në masë të kënaqshme”.

“Jam i bindur që në të ardhmen Kuvendi dhe komisionet duhet të punojnë me kapacitete më të shtuara, t’i kemi përgatitjet më të mira për ta kontrolluar apo mbikëqyrur edhe ekzekutivin, apo edhe trupat tjerë të pavarur, që zgjidhen nga Kuvendi i Republikës
”, thekson Krasniqi.

Në anën tjetër, LDK-ja, përmes deputetit të saj, Lutfi Haziri, vlerëson se ky vit ishte vazhdimësi e shtet-formimit të Kosovës, ku edhe Kuvendi ka luajtur rolin e vet.
Janë themeluar organizata të reja, shtylla të reja shtetërore dhe besoj që është arritur jashtëzakonisht shumë në kuptimin e progresit në Kosovë.

Ky vit edhe për Kuvendin ka qenë vit i shtet-formimit. Janë themeluar organizata të reja, shtylla të reja shtetërore dhe besoj që është arritur jashtëzakonisht shumë në kuptimin e progresit në Kosovë".

“Por, natyrisht që ka ende pozita vakante dhe kapacitete jo të plota në këto organizata”,
vlerëson Haziri.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ka caktuar edhe seancën e fundit për këtë vit, për datën 29 dhjetor. Në këtë seancë do të vihet për miratim buxheti i Kosovës për vitin 2010.

Dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, thanë se janë akorduar që të miratohet buxheti, përderisa opozita vazhdon të mbahet e rezervuar. Sidoqoftë, votat e PDK-së dhe LDK-së konsiderohen të mjaftueshme që buxheti të miratohet përfundimisht.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG