Ndërlidhjet

logo-print

Decentralizimi i (pa)zbatueshëm në Mitrovicë


Mitrovica

Mitrovica

Qeveria dhe ICO-ja këmbëngulin në krijimin e komunës së Mitrovicës veriore, megjithëse disponimi i qytetarëve të kësaj pjese për ta zbatuar Planin e Ahtisarit, është i zbehtë. Të dyja këto institucione besojnë se Mitrovica veriore do të krijohet dhe zgjedhjet do të mbahen në maj.



Një rritje e interesimit të qytetarëve serbë të Mitrovicës për t’u bërë pjesë e ekipeve përgatitore për krijimin e komunës veriore të Mitrovicës, rrit shpresat në Qeveri dhe në ICO, se projekti i decentralizimit do të zbatohet edhe në këtë pjesë.

Ministria e Pushtetit Lokal dhe Zyra Civile Ndërkombëtare kanë rishpallur konkurs për anëtarë të ekipeve përgatitore komunale për veriun e Mitrovicës.

“Ne kemi shpallur konkursin në fillim të vitit, por që nga zgjedhjet lokale të nëntorit ka pasur një interesim të shtuar nga njerëzit që jetojnë në Mitrovicë, në Mitrovicën veriore, kështu që vendosëm me Qeverinë, që secilit që është i interesuar, t’i jepet shansi për të marrë pjesë”, shpjegon zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi arsyen e rishpallje së konkursit.

Por, kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq, nuk është i sigurt se Plani i Ahtisarit do të zbatohet.

Ai thotë se për gjashtë muaj nuk do të ketë gjasa që situata të ndryshohet, ndërsa, sipas tij, serbët, në mënyrë plebicitare kanë treguar se nuk i pranojnë institucionet e Kosovës, e as zgjedhjet që organizohen nga to.

Ivanoviq jep një arsye tjetër për interesimin e serbëve për të qenë pjesë e ekipeve përgatitore për krijimin e komunës së Mitrovicës.

“Ekipet përgatitore nuk do të kenë kurrfarë efekti. Ata marrin pjesë për shkak të pagave të larta për kushtet e Kosovës dhe për 550 euro mund të ketë njerëz që do të paraqiten, por ata nuk do të kenë kurrfarë efekti në organizimin e zgjedhjeve dhe në lobimin për pjesëmarrje të serbëve në to”, thotë Ivanoviq.

Plani i Ahtisarit, që parasheh edhe decentralizimin, është pranuar në mjediset serbe në Kosovën qendrore dhe kjo u dëshmua me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 15 nëntorit.

Por, bojkoti i tërësishëm i zgjedhjeve në veri, sipas analistëve, lë të kuptohet se serbët e kësaj ane nuk e duan integrimin në shoqërinë kosovare.

Pengesat më të mëdha thuhet se vijnë nga strukturat paralele serbe të sigurisë, të cilat kërcënojnë dhe frikësojnë qytetarët.

Zëdhënësja e Ministrisë së Pushtetit Lokal, Lumnie Demi, pranon se depërtimi i institucioneve në veri është i vështirë.

“Aty ku ka pasur qasje Ministria dhe ICO-ja, procesi i decentralizimit ka ecur sipas planit të paraparë. Njëra nga pikat që do ta dëshmonte realizimin e këtij procesi, është edhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale, që dallon dukshëm nga zgjedhjet e kaluara”, thekson Demi.

Në një analizë të bërë për procesin e decentralizimit, Instituti “KIPRED” ka vënë në pah sfidat në veri, duke thënë, madje, se Plani i Ahtisarit në këtë pjesë është i pazbatueshëm.

Endi Mekgafi jep një përgjigje për të. Ai sqaron se decentralizimi nuk do të thotë që domosdo të bartë emrin Ahtisari.

“Nuk do të duhej të fokusohemi se cili plan do të zbatohet. E rëndësishme është që decentralizimi ofron kushte më të mira për qytetarët dhe nuk e kuptoj pse njerëzit do të kishin probleme për ta pranuar këtë”, thotë Mekgafi.

Ai shprehet optimist se komuna e Mitrovicës veriore do të krijohet dhe se zgjedhjet do të mbahen në muajin maj, ashtu siç është paraparë të mbahen edhe në Partesh, vendbanim ky me shumicë serbe, që pritet të shndërrohet në komunë.

“Në zgjedhjet e nëntorit ne u zhgënjyem, sepse për shkak të presionit, disa njerëz zgjodhën që të mos votojnë. Megjithatë, ne ndjejmë se ka interesim në veriun e Mitrovicës për të krijuar komunë të re”.

“Ne, po ashtu, e dimë, nga hulumtimet e bëra nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, se njerëzit në Mitrovicën veriore nuk janë të kënaqur me gjendjen e shërbimeve komunale. Është e rëndësishme që ne të punojmë me Qeverinë për t’i përmirësuar ato
”, shprehet Mekgafi.

Por, kështu nuk thotë se mendon Ivanoviq.

“Jam i sigurt se zgjedhje në veri të Mitrovicës nuk do të ketë pasi që edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit, të organizuara nga institucionet shqiptare të Prishtinës, kanë treguar se serbët nga veriu i Kosovës, kanë bojkotuar në tërësi zgjedhjet komunale”, thotë Ivaniviq, duke paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë, por nga ana e Qeverisë së Serbisë.

Në anën tjetër, Qeveria përmes kontakteve që synon t’i shtojë në vitin e ardhshëm, thotë se mendon që do t’i bindë qytetarët për të mirat që sjell procesi i decentralizimit.

Lumnie Demi shpjegon:

“Duke i pasur parasysh të gjitha bashkëpunimet, të gjitha koordinimet, qoftë me nivelin qendror të qeverisjes, por edhe me zyrat ndërkombëtare në Kosovë, pretendohet që të krijohet një strategji e mirëfilltë, për të filluar zbatimin e procesit të decentralizimit”.

Tashmë Graçanica, Ranillugu e Kllokoti, janë shndërruar në komuna me shumicë serbe, ashtu siç kërkon Plani i Ahtisarit.

Edhe Novobërda ka përfituar duke zgjeruar territorin e saj. Por, kjo nuk ka ndodhur në Mitrovicë dhe në Partesh.

Përderisa në Partesh thuhet se ka një klimë më solide dhe se zgjedhjet mund të mbahen në maj, Mitrovica është tregim tjetër.

Presioni, sipas analistëve politikë, është shumë i madh ndaj qytetarëve të veriut, për shkak se, siç thuhet, Beogradi zyrtar synon ndarjen e kësaj pjese të Kosovës.
XS
SM
MD
LG