Ndërlidhjet

Rekomandimet ekonomike për 2010-ën


Sfida kryesore për vitin 2010 në Kosovë do të mbetet zhvillimi ekonomik, vlerësojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, viti 2009 nuk ka rezultuar me ndonjë përmirësim të dukshëm në fushën ekonomike, ndërsa, vitin tjetër, thonë ata, autoriteteve kompetente u mbetet që të jenë më të angazhuara në këtë drejtim.


Miratimi i disa ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, të cilat krijojnë mundësi për një zhvillim ekonomik, krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investime të huaja, zvogëlimi i ekonomisë ilegale dhe hartimi i një strategjie për zhvillim ekonomik të Kosovës, janë vetëm disa nga rekomandimet e përfaqësuesve të biznesit dhe ekspertëve të ekonomisë për Qeverinë e Kosovës, që duhet t’i ketë prioritet në agjendën e vet për vitin 2010.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se për të pasur një zhvillim më të shpejtë ekonomik dhe për të rritur potencialin financiar të ekonomisë së Kosovës, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përgatisin disa ligje dhe strategji, të cilat, sipas tij, i sjellin perspektivë Kosovës.

“Kosova, për vitin 2010, do të ballafaqohet edhe më tutje me kriza të ndryshme ekonomike, të ardhura nga kriza globale, por edhe nga krizat e brendshme, e që nuk po krijohet mundësi e re për një zhvillim më të hovshëm”.

“Duhet të themelohet Ligji për themelimin e agjencisë për garantim të depozitave bankare për qytetarët. Ky ligj nuk ekziston
”, thotë Shahini.

Në anën tjetër, Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se prioritet kryesor i Qeverisë për vitin e ardhshëm, duhet të jetë krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investimet e huaja.

Kur kihet parasysh se mundësitë buxhetore për investime, qoftë për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, qoftë për rritjen e mundësive për krijimin e vendeve të reja të punës, janë të pamjaftueshme, Ramosaj konsideron se vetëm investimet ndërkombëtare mund të ndikojnë në këtë segment.

“Duke marrë parasysh se shkalla e pjesëmarrjes së investitorëve të huaj në Kosovë, në krahasim qoftë me periudhat e kaluara, qoftë edhe me vendet tjera të rajonit, del se Qeveria e Kosovës nuk e ka dhënë provimin në kuptimin e favorizimit, respektivisht motivimit të investitorëve të huaj, që ta plasojnë kapitalin në Kosovë”, thekson Ramosaj.

Gjatë vitit 2010 është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të shtrijë autoritetin e vet në tërë territorin e vendit, për të parandaluar ekonominë ilegale dhe parregullsitë që bëhen në treg nga veriu i Kosovës, thotë Agim Shahini, duke shtuar se është i nevojshëm edhe kontrolli i plotë i mallit në të gjitha pikat kufitare në verilindje të Kosovës.

Ai thekson se problemi për zgjidhjen e CEFTA-s do të vazhdojë edhe në vitin tjetër.

“Edhe më tutje CEFTA mbetet një ndër problemet më të mëdha, me të cilat po mbyllet ky vit dhe ne nuk patëm zgjidhje. Nga viti i ardhshëm, Serbia do të udhëheqë me këtë sekretariat dhe komunikimi do të jetë shumë më i vështirë”.

“Por, edhe gjasat për të gjetur një zgjidhje, do të jenë më të vogla. Faktori ndërkombëtar mund të bëjë mrekulli dhe ne presim një mrekulli të tillë”, shprehet Shahini.

Po ashtu, ekspertët e ekonomisë pohojnë se prioritet i Qeverisë dhe komunitetit të biznesit për vitin 2010 duhet të jetë promovimi i eksportit të produkteve vendore.
XS
SM
MD
LG