Ndërlidhjet

Papa Benedikti XVI uron edhe në gjuhën shqipe


Vatikan, 25 dhjetor 2009
Vatikan, 25 dhjetor 2009
Papa Benedikti XVI ka ftuar vendet e pasura t'i pranojnë migrantët dhe t’u dëshirojnë atyre mirëseardhje, sepse ata po ikin nga varfëria dhe jotoleranca në vendet e tyre.

Papa Benedikti XVI, në mesazhin tradicional “urbi et orbi”, ka përkujtuar se “Kisha ka dëshmuar solidaritet me të varfrit dhe viktimat e katastrofave natyrore”.

Ai ka vënë në pah “krizën morale” dhe ka thënë se ajo është më e rëndë se kriza globale financiare.

Papa Benedikti XVI ka uruar Krishtlindjet në 65 gjuhë botërore, përfshirë edhe gjuhën shqipe.


Mesazhe paqeje në Kosovë

Mbretërimi i paqes, tolerancës, solidaritetit dhe dashurisë ndërnjerëzore ishte porosia e dërguar nga kisha katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, ku u mbajt mesha e shenjtë e Krishtlindjeve, për të shënuar këtë festë të besimtarëve katolikë.

Meshën e udhëhoqi ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili foli për rëndësinë e kësaj feste dhe, njëkohësisht, u lut për të gjithë ata, të cilët, siç tha ai, janë lënë anash kujdesit njerëzor dhe vuajnë në këtë botë.

Mesha e Krishtlindjeve në Prishtinë
“Lutem për të gjithë ata, të cilët janë në trishtim, nën trysninë e varfërisë dhe të moskujdesit njerëzor, për të gjithë ata të moshuar që janë të detyruar të ballafaqohen me vështirësitë e jetës, të sëmundjeve dhe të pleqërisë, në vetmi, pa dashurinë e fëmijëve të tyre”.

“Zoti qoftë mbështetje, ngushëllim dhe shpresë për të gjithë njerëzit, që në çdo mënyrë vuajnë në këtë botë”,
tha ai.

Pas meshës së shenjtë, imzot Dodë Gjergji i tha Radios Evropa e Lirë se, me rastin e festës së Krishtlindjeve, Kosova i dërgon botës mesazhe paqeje.

Sonte, në Prishtinë, sigurisht sikurse edhe në të gjitha qytetet e tjera të botës, bëhet vetëm një mesazh: paqe njerëzve vullnetmirë mbi tokë dhe lavdi Hyjit në më të lartin qiell. Mesazhi im mbetet gjithmonë që të jetojnë të gjithë njerëzit në paqe dhe të lirë, në dashuri dhe në mirëkuptim me njeri-tjetrin”, u shpreh imzot Dodë Gjergji.

Urime dhe porosi për paqe, besimtarëve katolikë dhe të gjithë shqiptarëve u ka dërguar edhe famullitari Dom Lush Gjergji, i cili ishte i pranishëm në meshën e Krishtlindjeve në Prishtinë.

“Të jenë sa më afër Zotit, për të qenë sa më afër njëri-tjetrit, që ta zbulojnë të mirën, të drejtën dhe të vërtetën, që të dimë të gëzohemi së bashku pas shumë dhembjeve, vuajtjeve dhe pikëllimeve që kemi pasur edhe si popull, edhe si kishë, dhe mbi të gjitha, ta mësojnë artin e dashurisë, që është arti i jetës”, tha Dom Lush Gjergji.

Festën e krishtlindjeve, në emër të Qeverisë së Kosovës, e uroi Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili, me këtë rast, porositi:

“Për një unitet, solidaritet, paqe, tolerancë, bashkëpunim, që t’i tejkalojmë të gjitha këto sfida që janë para nesh, në shtetin e ri dhe demokratik të Kosovës. Sepse, nëse jemi bashkë, tolerantë, solidarë, do të jemi më të fortë, më të bindshëm dhe më të sigurt në ecjet tona, për ta ndërtuar shtetin e Kosovës, mirëqenien për të gjithë qytetarët, për besimtarët dhe për të gjithë popullin e Kosovës”.

Në meshën e shenjtë të Krishtlindjeve në kishën “Shën Ndou” mori pjesë një numër i madh i besimtarëve katolikë. Të pranishëm kishte edhe qytetarë të besimit islam, të cilët, në shenjë respekti, bashkërisht shënuan këtë festë.

Kristë Gojani tha se kjo është festë e të gjithë shqiptarëve.

“Festë e të gjithë shqiptarëve, për paqe dhe dashuri gjithkund në botë, për të gjithë popujt e botës. Ne jemi shqiptarë dhe të gjithë jemi të bijtë e Zotit, pavarësisht që Zotin e quajmë Zot apo Allah. Kështu që, kjo është festë e gjithë shqiptarëve”,
u shpreh ai.

Ndërkaq, Hasan Dërmaku tha se i respekton bashkëkombësit e tij katolikë dhe se festat janë të përbashkëta.

“Populli shqiptar e ka një krishterizëm, një katolicizëm, që i përket kohës apostolike dhe atë e ka traditë. Kjo, së pari, është festë fetare, por është edhe manifestim i civilizuar, kulturor i shqiptarëve në përgjithësi, sepse, përmes krishterimit, populli shqiptar i takon popujve më të vjetër të civilizuar të Evropës”.

“Prandaj, të gjithë popullit, si në Kosovë, si gjithkund në trojet shqiptare, në botë, urime Kërshëndellat, për shumë mot”,
uroi ai.
XS
SM
MD
LG